Prokurori Ndini Tavani pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA
Analiza KPA Veting

“Analizë e gabuar e fakteve”: Vendimi i KPA për rikthimin e prokurorit Ndini Tavani

Më 4 nëntor 2021, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të rrëzojë vendimin e shkarkimit të prokurorit të Tiranës, Ndini Tavani dhe e riktheu atë në detyrë. Sipas vendimit të arsyetuar të Kolegjit, Komisioni kishte vendosur më parë shkarkimin e tij në ‘analizë të gabuar të fakteve dhe legjislacionit’.

Sipas vendimit të 11 tetorit 2019 të KPK-së, Tavani kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për një prej burimeve për blerjen e një apartamenti në Tiranë dhe të një automjeti në vitin 2016. Po ashtu u konkludua mungesë burimesh për blerjen e një automjeti tjetër në vitin 2009, për shkak të deklarimit të pasaktë të pakësimit të gjendjes cash.

Vendimi i Komisionit u ankimua si i pabazuar në ligj dhe në fakte nga prokurori Ndini Tavani dhe vendimi i Kolegjit i dha atij të drejtë.

Në hetimin e një apartamenti të blerë në Tiranë nga subjekti dhe një automjeti tip “Citoren C5” në vitin 2016, Komisioni ka konkluduar se Tavani ka kryer deklarim të pamjaftueshëm lidhur me shumën 2.5 milionë lekë të deklaruar si burim, vlerë për të cilën subjekti ka deklaruar se është krijuar prej të ardhurave nga avokatia për vitet 2003-2004.

Po ashtu, është konstatuar mungesë burimesh financiare në shumën 673 mijë lekë për të paguar këstin e dytë të apartamentit në vitin 2016, blerjen e automjetit po në këtë vit, si dhe për të kryer shpenzimet e tjera familjare.

Subjekti ka shpjeguar në ankim se shuma prej 2.5 milionë lekësh e disponuar cash para fillimit të detyrës në vitin 2006, është pakësuar dhe shtuar gjatë viteve dhe në vijim ka shërbyer si burim krijimi për pagesën e këstit të dytë të apartamentit në vitin 2016.

KPA vëren se Komisioni e ka mbështetur arsyetimin në deklarimin e subjektit mbi kursimet cash në vlerën 2.5 milionë lekë të kryer para fillimit të detyrës në vitin 2006. “Komisioni, në analizën e të ardhurave nga avokatia për vitet 2003-2004, nuk i është referuar në asnjë moment deklarimit të subjektit në deklarimin e pasurisë së rivlerësimit”, konstaton Kolegji dhe vlerëson se kontrolli duhet të fillojë nga deklarata “veting”.

Tavani ka shënuar në deklaratën “veting” se të ardhurat nga profesioni i avokatit kanë qenë në shumën 1 milion e 839 mijë lekë për periudhën 2003-2004. Ai ka sqaruar se kjo vlerë përfaqëson të ardhurat bruto dhe se pas pagesës së detyrimeve ka mbetur neto shuma 1 milion e 394 mijë lekë.

KPA vëren se Komisioni ka qenë në dijeni të të dhënave në lidhje me detyrimet e paguara nga subjekti i rivlerësimit për të ardhurat nga avokatia, duke mos u gjendur kështu në kushtet e aplikimit të marzhit të fitimit 80%. “Rasti konkret nuk është i njëjtë me ‘eksperiencat me subjekte të tjera’, siç është shprehur Komisioni në vendim”, vlerëson trupa e Kolegjit.

KPA e konsideron kontradiktor qëndrimin e KPK me të dhënat e rezultuara nga dokumentacioni, pasi ka pranuar vlerën totale të qarkullimit të deklaruar, por nuk ka pranuar shumat e paguara si detyrime tatimore që rezultojnë referuar në të njëjtat të dhëna.

Sipas KPA-së, të ardhurat neto nga ushtrimi i profesionit të avokatit në shumën 1 milion e 395 mijë lekë së bashku me ato të fituara si avokat i caktuar kryesisht në shumën 274 mijë lekë rezultojnë në shumën totale 1 milion e 669 mijë lekë dhe jo në vlerën 1 milion e 534 mijë lekë sa ka përllogaritur Komisioni në vendim.

Nga analiza financiare e kryer në KPA, në të njëjtën logjikë të analizës financiare të ndjekur nga Komisioni, por duke konsideruar shumën 1 milion e 669 mijë lekë si kursim cash para fillimit të detyrës, ka rezultuar se subjekti i rivlerësimit ka pasur mungesë të burimeve të ligjshme financiare në shumën 536 mijë lekë për të paguar këstin e dytë të apartamentit në vitin 2016.

Sipas KPA-së, kjo balancë negative nuk mund të përbëjë shkak për t’u kualifikuar si deklarim i pamjaftueshëm.

Kolegji e ka rrëzuar dhe konkluzionin e KPK-së se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me pakësimin e gjendjes cash në vitin 2009, prej nga është konstatuar pamundësia në shumën 611 mijë lekë për blerjen e një automjti tip Mercedes Benz.

Tavani ka theksuar në ankim se KPK në mënyrë të gabuar ka përfshirë në analizën financiare të vitit 2009 krijimin e një depozite prej 5.200 eurosh, pasi ajo është krijuar në janar të atij viti me burim të ardhurat familjare nga kursimet e vitit 2008.

KPA ka vlerësuar që së pari të përcaktojë burimet financiare të përdorura nga subjekti i për krijimin e pasurive gjatë vitit 2009, konkretisht për blerjen e automjetit në vlerën 7.000 euro dhe krijimin e depozitës bankare dhe më pas të verifikojë mjaftueshmërinë e tyre.

Në deklaratën periodike të vitit 2009, subjekti ka shënuar si burim krijimi të depozitës 5.200 euro të ardhurat nga kursimet e vitit 2008, ndërsa në deklaratën e viteve 2008 dhe 2007 nuk ka shënuar shtesa ose pakësime të parave cash të akumuluara në vite.

Kolegji vlerëson se deklarimi i subjektit në vitin 2009 duhet lexuar e kuptuar si korrigjim i atij të vitit 2008. Nga analiza financiare e kryer për 2008-ën është konkluduar se Tavani ka pasur një tepricë pozitive në shumën 652 mijë lekë, vlerë që konsiderohet se e mbulon depozitën 5.200 euro të krijuar në 2009-ën.

Për rrjedhojë analiza e kryer në Kolegj për vitin 2009 ka rezultuar pozitive dhe është konkluduar se subjekti ka pasur mundësi për blerjen e Benz-it.

Po ashtu, Kolegji ka rrëzuar Komisionin dhe në konkluzionin se prindërit e subjektit janë persona të lidhur dhe se prokurori Tavani ka kryer deklarim të paplotë lidhur me një apartament të blerë prej tyre në Tiranë, përpara se ai të fillonte detyrën.

Kolegji arrin në përfundimin se Komisioni nuk ka vlerësuar në mënyrë objektive faktet e provuara gjatë hetimit administrativ, pasi nga tërësia e tyre nuk ka rezultuar asnjë e dhënë sipas së cilës subjekti i rivlerësimit të ketë kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në krijimin e pasurisë në fjalë.

Po ashtu, Kolegji ka rrëzuar si të pabazuar edhe konkluzionin tjetër të Komisionit se prindërit e subjektit janë persona të lidhur.

“Prindërit e subjektit të rivlerësimit nuk mund të konsiderohen si persona të tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit, pasi, … nuk u provua që ndërmjet subjektit të rivlerësimit dhe prindërve tij të ketë pasur marrëdhënie interesi në lidhje me krijimin e pasurisë apartament me sipërfaqe 65 m2, në Tiranë, apo dhe të ndonjë pasurie tjetër, për sa kohë nuk u provua që subjekti i rivlerësimit të ketë pasur cilësinë e dhuruesit, huadhënësit dhe huamarrësit kundrejt prindërve të tij, lidhur me këto pasuri”, arsyeton KPA dhe vlerëson se KPK nuk ka kualifikuar në mënyrën e duhur dhe të plotë situatën faktike në këtë rast.

Vlerësimi profesional

Lidhur me kontrollin e aftësive profesionale, Komisioni ka arritur në konkluzionin se janë konstatuar hetime të paplota, mosadministrim i procedimeve penale dhe mosrealizimin i tyre në mënyrë efektive, me qëllim garantimin e drejtave dhe lirive të qytetarëve. Gjithashtu, KPK ka konkluduar se jo në pak çështje të adresuara nga një numër i lartë i denoncuesve, ka rezultuar se vendimmarrjet e subjektit ishin prishur nga organet e gjyqësorit, madje edhe në mënyrë të përsëritur.

Komisioni i ka vlerësuar këto veprime dhe mosveprime të kryera jo për shkak të paaftësisë profesionale të subjektit, por që dëshmojnë për sjellje të tij në mospërmbushje të detyrës në pozicionin e prokurorit, duke cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

Ashtu si për pasurinë, Kolegji i ka gjetur të drejta shumicën e shkaqeve të ankimit të Tavanit për aspektin profesional, i cili ka pretenduar se konstatimet e Komisionit janë të pabazuara, në kundërshtim me ligjin dhe pa lidhje me çështjet.

Sipas KPA-së, qëndrimi i Komisionit në lidhje me kontrollin e këtij kriteri nuk është rezultat i një vlerësimi të drejtë dhe në harmoni me dispozitat ligjore në fuqi.

“Kolegji konstaton se konkluzionet e Komisionit në lidhje me disa prej dosjeve penale të analizuara, përbëjnë vlerësime e qëndrime në kapërcim të objektit të organeve të rivlerësimit lidhur me kontrollin e këtij kriteri”, shprehet KPA, ndërsa disa konstatime të Komisionit në këtë kriter që janë konsideruar të bazuara, i vlerëson të pamjaftueshme për të cënuar subjektin.

Në përfundim, Kolegji vlerësoi se prokurori Ndini Tavani ka aritur nivel të besueshëm në të tri kriteret dhe e riktheu atë në detyrë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *