Prokuori Hysen Keta duke dalë nga KPA | Foto : V. Karaj
KPA Lajme Veting

KPA riçel hetimin gjyqësor për Hysen Ketën, pas dorëzimit të nje opinoni nga ONM

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA revokoi të martën vendimin e ndërmjetëm për shpalljen e vendimit për çështjen e ish-drejtuesit të Prokurorisë së Përmetit Hysen Keta, pas dorëzimit të një opinoni nga përfaqësuesja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Elka Ermenkova.

Kryesuesi Sokol Çomo njoftoi pas një tërheqje të trupit gjykues të Kolegjit në dhomë këshillimi se vëzhguesja ndërkombëtare Elka Ermenkova kishte paraqitur së fundmi një opinon në funksion të çështjes dhe për këtë arsye u vendos me shumicë votash që të riçelet hetimi gjyqësor.

Gjithashtu, Kolegji vendosi që ky opinion ti njihet subjektit të rivlerësimit dhe ti jepet mundësia që të paraqesë qëndrimin e tij. Gjatë seancës publike nuk u bënë të njohura detaje lidhur me përmbajtjen e opinionit të ONM-së.

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Përmetit, Hysen Keta u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 25 korrik 2019, pasi u konkludua se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm të kostove reale të ndërtimit të dy shtëpive mbi një truall të trashëguar nga babai në Tiranë.

Vendimi i KPK-së u ankimua nga Keta dhe trupa e kryesuar nga Sokol Çomo me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari, Ina Rama, vendosi ta kalojë çështjen në seancë publike me qëllim “konstatimin e drejtë të gjendjes faktike të çështjes, nëpërmjet përsëritjes së marrjes së provave të nevojshme”.

Në seancën publike më 26 janar, kryesuesi Çomo vuri në dukje se provat shtesë ishin përgjigjet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ajo e Tiranës në lidhje me shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe të ardhurat e Ketës në vitet 93-98.

Sipas kryesuesit të trupës, institucionet kishin kthyer përgjigje se nuk kishin dokumente për këtë periudhë. I pyetur në seancë prokurori Keta dhe avokati i tij Julian Mërtiri kërkuan që përgjigja të merrej si provë. Mërtiri tha se ajo provonte pamundësinë objektive të Ketës për të dokumentuar pagesën e detyrimeve tatimore në periudhën që kishte punuar si avokat. Ai i kërkoi Kolegjit që kjo të konsiderohej në shqyrtimin e çështjes së tij.

Kolegji pranoi t’i merrte si prova përgjigjet nga tatimet dhe caktoi datën 7 shkurt si datë për njoftimin e vendimit, por pezullimi nga detyra i anëtarit të trupit gjykues Ardian Hajdari për shkak të procedimit nga SPAK, e bëri të pamundur dhe seanca u shty për më 22 shkurt.

Hajdari u zëvendësua nga gjyqtarja Natasha Mulaj, por sërish marrja dhe shpallja e vendimit u bë e pamundur, për shkak të riçeljes së hetimit gjyqësor me qëllim shqyrtimin e opinonit të ONM-së. Seanca e radhës u shty për më datë 16 mars, në orën 09:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *