Gjyqtari Tritan Hamitaj duke dalë nga seanca dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në Tiranë më 15 shtator 2020. Foto: BIRN
Analiza KPA

Argumentet e KPA për lënien në fuqi të shkarkimit të Tritan Hamitajt

Gjyqtari i Apelit të Durrësit, Tritan Hamitaj u shkarkua nga detyra më 17 shtator 2020 pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ai nuk justifikonte me burime të ligjshme blerjen e pasurive në emër të tij apo të personave të lidhur; dhënien e huave prej tij; aftësinë financiare të të tretëve për kthimin e huave; krijimin e likuiditeteve; si dhe mbulimin e shpenzimeve për periudhën e rivlerësimit. Komisioni konstatoi bilanc negativ në një vlerë më të madhe se 14 milionë lekë për gjithë periudhën e rivlerësimit.

Po ashtu, dy anëtare të trupës së KPK, kryesuesja Suela Zhegu dhe relatorja Genta Tafa “Bungo” vlerësuan se Hamitaj kishte cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë, pasi ka ndryshuar deklarimet, ka kryer deklarim të rremë dhe ka mbajtur qëndrim jobashkëpunues gjatë procesit të hetimit administrativ. Ky konkluzion dhe disa prej konstatimeve të shumicës u vlerësuan ndryshe nga komisioneri Lulzim Hamitaj.

Ish-gjyqtari Hamitaj i kundërshtoi konkluzionet e Komisionit duke pretenduar se nuk ishin arritur si rezultat i provave të marra në procesin e tij të rivlerësimit, si dhe nuk është bazuar në burimet financiare të pranuara nga vetë Komisioni. Ai argumentoi se kur vetë Komisioni pranon se toka bujqësore krijon të ardhura që janë të shtrira përgjatë periudhës 1991-2016, kjo afekton shifrën e konkluduar.

Sipas tij, analizën financiare të Komisionit e afekton edhe e ardhura nga puna part-time e bashkëshortes në Institutin e Kulturës Italiane në vitet 2004-2008, burim i njohur nga Komisioni, por që ka lënë të pacaktuar sa është e ardhura.

Subjekti e kundërshtoi metedologjinë e KPK-së lidhur me analizën e një huaje dhënë prej tij një shoqërie, likujditete për të cilat në shkallë të parë është konstatuar se nuk mbulohet e gjitha me të ardhura të ligjshme, e për rrjedhojë nuk është konsideruar. Hamitaj ka pretenduar se Komisioni duhet të kishte përfshirë të ardhurat e ligjshme për çdo vit ose në momentet që ka kryer investimet, duke e cilësuar analizën financiare të paqartë dhe të pasaktë.

Por, konkluzioni i Komisionit për shkarkimin e Hamitajt u gjet i drejtë dhe nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo.

Megjithëse nga analiza financiare e kryer në Kolegj bazuar në kundërshtimet e subjektit, ka pasur reduktim të bilancit negativ, pamundësia financiare ka mbetur sërish në vlerë të lartë, në shumën totale prej 11.9 milionë lekësh. Sipas KPA-së, edhe nëse do të konsideroheshin të ardhurat e deklaruara në vite nga tokat bujqësore dhe ato nga puna e bashkëshortes në Institutin e Kulturës Italiane, që nuk janë arritur të vërtetohen me dokumentacion provues në vlerat e deklaruara, përsëri balanca negative do të mbetej në shumën 8.5 milionë lekë.

Për një pjesë të të ardhurave të deklaruara se kanë shërbyer në vite për mbulimin e investimeve dhe të shpenzimeve, Kolegji konkludon se ato mbeten në nivel deklarativ, pasi nuk janë vërtetuar me dokumentacionit ligjor provues.

Në përfundim, KPA arrin në konkluzionin se Hamitaj ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e vlerësimit të pasurisë.

Po ashtu, Kolegji i ka rrëzuar shkaqet e ankimit të Hamitajt që kishin të bënin me procesin e rregullt ligjor si dhe kërkesën për kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore publike. Sipas KPA, në këtë rast nuk gjendet situata që do të legjitimonte Kolegjin të kërkonte mbledhjen e fakteve ose të provave, si dhe të korrigjonte ndonjë gabim procedural të kryer nga ana e Komisionit. Bazuar në këtë konkluzion, trupa e KPA ka vendosur të shqyrtojë çështjen në dhomë këshillimi.

Cënimi i besimit

Lidhur me konkluzionin e shumicës së trupës së Komisionit, se Hamitaj ka cënuar besimin e publikut, ky i fundit ka parashtruar në ankim se rastet e shkarkimit të magjistratit janë të parashikuar në mënyrë shteruese në Kushtetutë dhe se nuk mund të shtohen me ligj, duke e cilësuar antikushttues përcaktimin e largimit nga detyra për shkak të cënimit të besimit të publikut në legjislacionin e vetingut. Sipas tij, termi “besim i publikut” është evaziv dhe i papërkufizuar në ligj, si dhe e ka gjetur të paarsyetuar vendimin e Komisionit përsa i përket lidhjes me publikun.

Hamitaj argumenton se përcaktimi në ligj lidhur me bashkëpunimin gjatë procesit të rivlerësimit është një dispozitë procedurale që ndikon në mënyrën e vlerësimit të deklarimeve të subjektit, por nuk mund të sjell masë disiplinore. Ai thekson se subjekti i rivlerësimit ka të drejtën e heshtjes, e cila nuk mund të sjelli penalizim – të drejtë të cilën shprehet se nuk e ka shfrytëzuar, pasi ka dhënë pohime për faktet. Po ashtu, ka përdorur si argument në qëndrimin e tij edhe jurispudencës e Kolegjit lidhur me zbatimin e parimit të mosndëshkimit dy herë për të njëjtën shkelje.

Kolegji arsyeton se cenimi i besimit të publikut te sistemi i drejtësisë që parashikon shkarkimin nga detyra, vjen si zbërthim i nevojës për të cilën u krijua sistemi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Për këtë arsye çmohet i pabazuar pretendimi i Hamitajt për antikushtetueshmërinë e kësaj dispozite.

“Mospërkufizimi në ligj i termit ‘besim i publikut’ nuk e bën evaziv këtë term, pasi veprimet dhe mosveprimet e një gjyqtari kundrejt zbatimit të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës dhe jashtë saj, si dhe gjatë procesit të rivlerësimit duhet të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë personale dhe profesionale, në drejtim të rritjes së besimit të publikut në sistemin e drejtësisë dhe dhënies së një shembulli të mirë”, argumenton KPA.

Kolegji shton se ligjvënësi parashikoi të drejtën e institucioneve të vetingut të magjistratëve për të marrë vendime jo vetëm bazuar në një ose disa prej kritereve; si dhe në vlerësimin e përgjithshëm të tri kritereve, por edhe në vlerësimin tërësor të procedurave.

“[…]Duke paraparë në nenin 48 të këtij ligji se gatishmëria dhe sjellja e subjektit të rivlerësimit gjatë këtij procesi mbahen parasysh nga këto organe në marrjen e vendimit. Në këto kushte, cenimi i besimit të publikut, që passjell dhe zbatimin e nenit 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016, vjen në harmoni me dispozitat e sipërcituara të këtij ligji, nëse ndodhemi përpara një sjellje jo korrekte të subjekteve të rivlerësimit gjatë procesit të rivlerësimit”, citohet në konkluzionet e KPA.

Ndërkohë, evidentohet se situata faktike në këtë rast nuk është e njëjtë me ato kur Kolegji ka zbatuar parimin e mosndëshkimit dy herë për të njëjtën shkelje. Sipas Kolegjit, në këtë rast zbatimi i përcaktimit ligjor për shkarkimin nga detyra lidhur me cënimin e besimit të publikut nuk ka të bëjë me shkelje ligjore të subjektit gjatë periudhës së rivlerësimit, por me sjelljet e tij gjatë procesit të hetimit administrativ.

“[…]Duket sikur subjekti konfondon këtë proces të natyrës administrative, në të cilin barra e provës parashikohet si detyrim ligjor i subjektit e ku vendimmarrja bazohet në hetimin kryesisht të Komisionit, si dhe shpjegimet dhe provat e vëna në dispozicion nga subjekti i rivlerësimit, me procesin penal, ku janë të aplikueshme e drejta për të heshtur apo ndalimi i vetinkriminimit”, vëren trupi gjykues.

Sipas Kolegjit, nga analizimi i akteve të dosjes gjyqësore, konstatohet se ish-gjyqtari Hamitaj nuk është treguar bashkëpunues mbi informacionin e kërkuar nga Komisioni në kuadër të hetimit administrativ përgjatë procesit të rivlerësimit, duke u përgjigjur në disa raste se nuk mban mend apo nuk disponon dokumentacion. Po ashtu, konstatohet se subjekti nuk ka treguar një sjellje korrekte gjatë procesit të hetimit administrativ pasi veprimet e tij të krijojnë bindjen se nuk kanë pasur për qëllim zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor, por zvarritjen deri në pamundësimin e tij.

Në vendim thuhet se kjo situatë konstatohet dukshëm me kërkesat në mënyrë të vazhdueshme për shtyrje të seancave, të përsëritura dhe haptazi të pabazuara, para dhe gjatë seancave dëgjimore. “Në çdo rast, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të paraqesë kërkesa procedurale të bëra në kuadër të këtij procesi, por jo ato të cilat dukshëm kalojnë kufirin e ligjores për të rënë në abuzivitet”, shton Kolegji dhe rendit në vendim kërkesat e njëpasnjëshme të Hamitajt për shtyrje të seancave; për t’u gjykuar nga një trup gjykues i formuar sipas ligjit; kërkesë për përjashtimin e një komisionereje, etj. – kërkesa që i janë rrëzuar prej KPK-së.

“Mosserioziteti i treguar nga subjekti i rivlerësimit është i dukshëm dhe në mënyrën e paraqitjes së kërkesave paraprake një e nga një, duke e bërë trupin gjykues të Komisionit të ndërpriste disa herë seancën e të tërhiqej për shqyrtimin e tyre. Këtë tendencë, për të ngritur kërkesa të pajustifikuara e të pabazuara, subjekti i rivlerësimit e ka treguar edhe ndaj Kolegjit, duke paraqitur kërkesa të ndryshme: për përjashtimin e secilit anëtar të trupit gjykues të caktuar për gjykimin e kësaj çështjeje; […] ; kërkesa për konstatimin e paligjshmërisë së trupave gjykues në Komision dhe Kolegj; kërkesa për pezullimin e shqyrtimit të çështjes në Kolegj, etj.”, arsyeton KPA dhe e gjen të drejtë konkluzionin e Komisionit për vlerësimin tërësor të procedurave dhe zbatimin e përcaktimit ligjor duke arritur në përfundimin se ish-gjyqtari Tritan Hamitaj ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *