Trupa e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit gjatë një procesi. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
Analiza KPK Veting

Kolegji e gjeti të drejtë shkarkimin e Blerim Tominajt për deklarim të pamjaftueshëm të pasurive

Kolegji e ka gjetur të drejtë konkluzionin e Komisionit për shkarkimin nga detyra të ish-prokurorit të Krimeve të Rënda, Blerim Tominaj, për probleme në kriterin e pasurisë dhe balanca negative në vlera të mëdha.

Tominaj u largua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 16 qershor 2020 për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë. Mungesa e provave bindëse për disa veprime financiare me vlerë rreth 292 mijë euro brenda rrethit të ngushtë familjar, e çuan Komisionin në konkluzionin e shkarkimit të tij.

Tominaj kreu ankim në Kolegj duke kërkuar kalimin në seancë gjyqësore publike të çështjes së tij; vazhdimin e hetimit administrativ dhe për tre komponentët e procesit të rivlerësimit që lidhen me pasurinë, figurën dhe aftësinë profesionale; si dhe ndryshimin e vendimit duke e konfirmuar atë në detyrë.

Subjekti ka kundërshtuar në Kolegj procedurën e kryer nga Komisioni, duke pretenduar se Komisioni ka rrëzuar kërkesat për riçelje të hetimit dhe përjashtimin e trupit gjykues. Ai e ka konsideruar procesin të njëanshëm dhe të paragjykuar në aspektin formal, pasi Komisioni është një organ që vetë heton, vetë analizon dhe më pas vetë gjykon e merr vendim.

Kolegji i ka rrëzuar si të pabazuara shkaqet që lidheshin me aspektin procedural, si dhe ka gjetur të drejta thuajse të gjitha konkluzionet e Komisionit për pasurinë.

KPK konkludoi mungesë të burimeve të ligjshme në masën 1,9 milionë lekë për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 164 m2 në Tiranë në vitin 2007, kundrejt çmimit 2 milionë. Po ashtu, u konstatua mospërputhje deklarimesh për burimin e krijimit të kësaj pasurie; si dhe se çmimi i blerjes ishte joreal dhe shumë i ulët krahasuar me ato të referencës sipas Entit Kombëtar të Banesave. Kjo, edhe në faktin se çmimi i blerjes së pasurisë nga subjekti është më i ulët nga sa e ka blerë shitësja, që është motra e tij.

Tominaj i ka kundërshtuar konkluzionet e KPK-së duke pretenduar se nuk ka mospërputhje në deklarimin e burimit të krijimit, pasi gjatë hetimit administrativ ka detajuar kursimet familjare të deklaruara më parë.

KPA vëren se subjekti në vitin 2007 nuk e ka deklaruar burimin e krijimit; në daklaratën “veting” ka shënuar kursimet familjare; ndërsa në përgjigje të pyetësorit të Komisionit ka shpjeguar se 1 milion lekë janë nga shitja e një apartamenti në Tiranë në vitin 2000 dhe 1 milion lekë nga kursimet nga pagat e tij e të bashkëshortes.

Trupi gjykues vlerëson se në kushtet kur në deklaratën “veting” subjekti ka shënuar si burim kursimet familjare, ky deklarim nuk e përjashton mundësinë që këto vlera të krijohen nga burime të ndryshme.

Sipas KPA, rezulton se Komisioni nuk ka konstatuar mospërputhje deklarimesh për burimin e krijimit të kësaj pasurie duke u nisur nga lloji i kursimeve të krijuara, por thelbësore ka qenë analiza nëse është ose jo i vërtetë skenari që pretendon subjekti i rivlerësimit për mënyrën e përdorimit të kursimeve familjare. Kjo, pasi subjekti pretendon përdorimin e një pjese të këtyre kursimeve të cilat gjendeshin në bankë edhe pas datës kur është lidhur kontrata e shitblerjes së apartamentit.

Tominaj ka theksuar në ankim se çmimi është sipas kontratës dhe jo sipas EKB-së. Por, KPA vlerëson se në momentin kur subjekti e ka blerë këtë pasuri në vitin 2007, bazuar në çmimin e tregut, vlera duhej të ishte rreth 15.9 milionë lekë, shumëfish me e lartë se shuma 2 milionë lekë e paguar. Për rrjedhojë, është gjetur i drejtë konkluzioni i Komisionit se çmimi i vendosur në kontratën e shitblerjes është një çmim joreal.

Ndërkohë, KPA sjell në vëmendje se në analizën financiare Komisioni e ka vendosur çmimin në shumën 2 milionë lekë, vlerë për të cilën i ka kaluar Tominajt barrën e provës për të vërtetuar burimin e ligjshëm.

“[…]”Edhe nëse do të pranohej pretendimi i subjektit të rivlerësimit se çmimi i kontratës së shitblerjes është real, për Kolegjin mbetet i rëndësishëm kontrolli i analizës financiare të Komisionit, lidhur me mungesën e burimeve të krijimit të pasurisë, në çmimin prej 2.000.000 lekësh”, shprehet Kolegji.

Në vijim, KPA konstaton se pretendimet e subjektit për konkluzionet e analizës financiare të burimeve të krijimit të kësaj pasurie nuk kanë të bëjnë me konkluzionet e Komisionit.

Ndryshe nga Komisioni, trupi gjykues i Kolegjit ka vendosur të konsiderojë në analizë kursimet cash të mundshme deri në momentin e blerjes së apartamentit, prej nga bilanci negativ ka mbetur në vlerën 1.5 milion lekë.

Për një lokal me sipërfaqe 75 m2 në Tiranë, të blerë nga subjekti në vitin 2011 për vlerën 140 mijë euro, Komisioni ka konkluduar balancë negative totale në vlerën 10.2 milionë lekë. Pamundësia ka rezultuar megjithëse është konsideruar si burim një hua, që sipas trupës së KPK, Tominaj nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin pasi ka mbetur e paprovuar kryerja e transaksionit mes tij dhe huadhënësit. Edhe në këtë rast janë konstatuar mospërputhje deklarimesh në lidhje me burimin e krijimit, si dhe nuk janë provuar me dokumentacion ligjor pagesat e kryera për blerjen e kësaj pasurie.

Kolegji e çmon të pambështetur pretendimin e subjektit se nuk e ka administruar fizikisht huan prej 100 eurosh, pasi kjo bie në kundërshtim me përmbajtjen e aktit noterial të hartuar në momentin e marrjes së huas.

Po ashtu, ka konstatuar se me të drejtë Komisioni nuk ka përfshirë në analizën e vitit 2011 një pjesë të huas që mund të kishte mbetur pas shpenzimeve të kryera në 2010-ën, pasi Tominaj nuk e ka deklaruar si gjendje cash të mbetur në fund të atij viti.

“[…]Ligji në mënyrë konsistente ka kërkuar që subjektet deklaruese të shprehen për ‘[…] ndryshimet (shtesa dhe pakësime” nga “deklarimi i mëparshëm deri më 31 dhjetor të vitit të deklarimit, që lidhen me zyrtarin, bashkëshortin/en dhe fëmijët madhorë […]’. Legjislacioni në fuqi ka qenë i qartë duke parashikuar që deklaratat përbëjnë dokumente zyrtare dhe mospërmbushja e këtij detyrimi sillte pasoja për subjektet deklaruese”, arsyeton KPA.

Ndërkohë, Kolegji vlerëson ndryshe nga Komisioni lidhur me një hua 8000 euro të marrë nga subjekti në vitin 2011. Sipas KPA, megjithëse Tominaj nuk e ka pasqyruar në deklaratën “veting” këtë hua, ai e ka deklaruar në 2011-ën, si dhe ka deklaruar shlyerjen e detyrimit në vitin 2012. KPA çmon se kjo hua nuk duhet përjashtuar nga analiza financiare për shkak të mospasqyrimit në deklaratën “veting”.

Por, për shkak se subjekti nuk ka jusitifkuar ligjshmërinë e krijimit të huas, në përfundim edhe Kolegji vlerëson se nuk duhet të përfshihet si e ardhur në analizën e burimeve të kësaj pasurie.

Tominaj ka deklaruar kursime në vitet 2008, 2009 dhe 2010. Pavarësisht se ai ka rezultuar me mundësi kursimi në vitet 2009 dhe 2010, për shkak të pamundësisë për të justifikuar me burime të ligjshme kursimin e deklaruar në 2008-ën, si dhe mosdeklarimit të pakësimit të gjendjes cash në 2011-ën për pagesën e kësteve të kësaj pasurie, Kolegji e gjen të drejtë vlerësimin e Komisionit se ato nuk duhet të përfshihen në analizën financiare. Në përfundim është konfirmuar edhe bilanci negativ në vlerën 9.3 milionë lekë.

Lidhur me një apartament me sipërfaqe 55 m2 në Durrës, që subjekti e ka fituar me trashëgimi nga babai i cili e kishte blerë në vitin 2004, nga hetimi në Komision ka rezultuar se nuk janë vërtetuar pagesat e kryera nga i ati i prokurorit Tominaj dhe se nuk është provuar financimi i kësaj pasurie nga motra e tij ashtu si është pretenduar. Nga analiza financiare, prindërit kanë rezultuar me mungesë burimesh të ligjshme në shumën 1.9 milionë lekë. Pasi subjektit i është kaluar barrë prove për këto gjetje, Komisioni ka çmuar se ai nuk arriti të povonte të kundërtën.

Nga analizimi i vendimit të Komisionit, Kolegji vlerëson se problemet e konstatuara nuk janë identifikuar si arsye për të bazuar vendimin për dhënien ndaj subjektit të rivlerësimit të masës disiplinore të shkarkimit nga detyra. Për rrjedhojë, është çmuar e panevojshme të analizohen shkaqet e ankimit për këto konkluzione të Komisionit, pasi konsiderohen se nuk mund të sjellin pasojë në procesin e rivlerësimit kalimtar të Tominajt.

Tominaj ka përfituar me trashëgimi nga babai edhe një lokal në Tiranë me sipërfaqe 179 m2. Ka rezultuar se i ati e ka blerë këtë pasuri në vitin 2008 kundrejt shumës 170 mijë euro. Nga analiza financiare e kryer në Komision, prindërit e Tominajt kanë rezultuar me bilanc negativ në vlerën 17.6 milionë lekë.

Subjektit i është kaluar barrë prove edhe për mosprovimin e kryerjes së pagesës nga i ati për blerjen e këtij lokali. Po ashtu, nuk është provuar pretendimi i disponimit të monedhave të arit nga familja Tominaj, ashtu si ai ka pretenduar.

Nisur nga fakti se të ardhurat e gjeneruara nga lokali janë përfituar nga subjekti, Komisioni ka krijuar bindjen se kjo pasuri ishte e tij, përpara se ta përfitonte me testament. Për shkak të mosvërtetimin të burimeve të ligjshme të kësaj prone, Komisioni ka konkluduar se Tominaj gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm.

Lidhur me pretendimin e subjektit se çmimi lokalit ishte 70 mijë euro, KPA vëren se në kontratë shënohet 170 mijë euro dhe se ëshë likujduar para nënshkrimit të saj. “Trupi gjykues çmon se kontrata e sipërmarrjes […], datë 12.10.2006, ndërmjet shoqërisë ‘{***}’ ShPK dhe z. A. T. për t’i shitur dyqanin në katin e {***}, Seksioni {***}, me sip. 140 m2 , brenda 6 muajsh, në çmimin prej 70.000 eurosh, e cila u revokua me kontratën nr. {***} rep., nr. {***} kol., datë 07.05.2008, duke u kthyer palët në gjendjen e mëparshme, është një situatë tjetër juridike e pavarur nga ajo e pasurisë objekt kontrolli”, citohet në vendim dhe theksohet se në kontratën e revokimit dhe të sipërmarrjes nuk rezulton ndonjë lidhje.

Për rrjedhojë gjendet i drejtë konkluzioni i Komisionit se analiza për verifikimin e burimeve të kësaj pasurie duhet t’i referohet çmimit të kontratës prej 170 mijë eurosh.

Kolegji vëren se, edhe nëse do të pranohej pretendimi se apartamenti në Durrës ishte financuar nga motra në formë dhurimi për prinddërit, sërish këta të fundit do të rezultonin në pamundësi në vlerën 14.5 milionë lekë për krijimin e lokalit në Tiranë.

“[…]Për trupin gjykues është e pabesueshme kryerja e këtij transaksioni nga babai i subjektit të rivlerësimit me një çmim shumë të lartë dhe në kushtet kur të ardhurat kryesore të tij, duke filluar nga viti 1993 e në vazhdim, i kishte nga pensioni i pleqërisë”, shprehet KPA.

Lidhur me shkakun për shpenzimet e studimit të vajzës, KPA konstaton se Komisioni ka vendosur në analizë të dhënat e pretenduara nga Tominaj, e për rrjedhojë nuk mund të ndikonin në vendimarrjen e shkallës së parë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *