Trupa e KPK-së në çështjen e Elveta Murrës.
Analiza KPK Veting

KPK e gjeti Elveta Murrën me pamundësi financiare në vlera të mëdha

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 23 maj 2022 të shkarkojë nga detyra prokuroren e Elbasanit, Elveta Stafa Murra, pasi konkludoi se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasuritë, se kishte mungesë burimesh për krijimin e tyre si dhe kishte kryer deklarime kontradiktore e të rreme, duke cenuar sipas KPK-së figurën e prokurores dhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Elveta Murra e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1985. Ajo punoi prej më shumë se tre dekadash si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Në vendimin e arsyetuar të KPK theksohet se kur është përballur me barrën e provës për balancat negative, prokurorja Murra ka ndryshuar disa herë deklarimet lidhur me burimet e krijimit të disa pasurive. Ndërkohë, është konstatuar një rast kur për justifikimin e mosdeklarimit të një kredie të marrë nga i biri, ka dorëzuar dokumentacion që nuk ishte i njëjtë me atë të dorëzuar nga institucioni i Inspektorit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI.

Procesi i vetingut për prokuroren Murra u përfundua vetëm në kriterin e pasurisë.

Problemet për pasurinë

Sipas vendimit të arsyetuar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit ka deklaruar në mënyrë të pasaktë e të pamjaftueshme burimin e krijimit të një apartamenti në Elbasan të porositur në vitin 2008 për çmimin reth 5.5 milionë lekë.

Si burim krijimi të kësaj pasurie, Murra ka deklaruar të ardhurat e siguruara nga shitja e një apartamenti të mëparshëm në 2009-ën për çmimin 2 milion e 632 mijë lekë dhe të një sipërfaqe toke për 4.2 milionë lekë.

KPK ka pranuar si burim të ardhurat nga shitja e apartamentit, por nuk ka përfshirë ato nga shitja e tokës në vlerën 4.2 milionë lekë. “Subjekti nuk arriti të provojë burimin e ligjshëm të këtyre të ardhurave të pretenduara dhe pagimin e detyrimeve përkatëse në buxhetin e shtetit. Aktmarrëveshja për këtë sipërfaqe toke rezultoi në fund të vitit 2009, periudhë, kur sipas kontratës së shitjes ishin shlyer të gjitha detyrimet ndaj palës blerëse të apartamentit dhe, për më tepër, subjekti këto të ardhura i ka deklaruar si gjendje cash në fund të vitit 2009”, argumenton Komisioni.

Po ashtu, trupa e KPK-së nuk ka përfshirë të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga pemëtaria, pasi nuk është vërtetuar pagesa e detyrimeve tatimore. “Subjekti kishte pretenduar vetëm të ardhura nga dhënia në përdorim e kësaj toke në vitet 2006 – 2008, në deklaratat periodike vjetore dhe në përgjigje të pyetësorit standard dhe jo të ardhura nga shfrytëzimi i saj”, vëren Komisioni dhe konkludon se nga analiza përfundimtare për këtë pasuri rezulton balancë negative në shumën 5 milionë e 860 mijë lekë dhe për rrjedhojë subjekti gjendet në kushtet deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm.

Murra është gjetur në pamundësi edhe për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 60 m2 në Pogradec në vitin 2010 për vlerën 2.2 milionë lekë. Si burim krijimi të kësaj pasurie ajo ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një garsoniere me sipërfaqe 25 m2 në Pogradec që është blerë në 2006-ën; të ardhurat dhe kursimet e akumuluara ndër vite nga të ardhurat dhe pagat e saj e të bashkëshortit nga puna si avokat; të ardhura nga shitja e një automjeti dhe kthimi i një pjese të një detyrimi.

KPK konstaton se nuk është arritur të provohet burimi i krijimit të garsonierës, pasi subjekti ka deklaruar se kjo pasuri është blerë me të ardhurat e bashkëshortit nga emigracioni, që nuk janë dokumentuar.

Gjatë hetimit administrativ, Murra ka deklaruar si burim blerje të kësaj pasurie edhe të ardhurat nga shitja e një automjeti në vlerën 250 mijë lekë. “Pra, subjekti ndryshoi deklarimin në lidhje me burimin e krijimit të pasurisë apartament me sipërfaqe 25 m2 në Pogradec, e cila ka shërbyer si burim për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 60 m2”, citohet në konkluzionin e Komisionit. Për rjedhojë, të ardhurat nga shitja e garsonierës nuk janë konsideruar si burim i ligjshëm për blerjen e apartamentit 60 m2 në Pogradec.

Në përfundim, KPK ka konsideruar si burime për blerjen e këtij apartamenti të ardhurat nga pagat e subjektit të rivlerësimit dhe ato të bashkëshortit nga aktiviteti si avokat, por që nuk janë gjetur të mjaftueshme për pagesën e një kësti. Edhe në këtë rast, KPK vlerëson se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm.

Gjyqtarja Murra ka ndryshuar deklarimet e saj lidhur me burimet e krijimit edhe për një automjet të blerë në vitin 2014 për vlerën 13 mijë euro dhe 526 mijë lekë shpenzime për zhdoganimin. Në vitin 2014 subjekti nuk i ka deklaruar burimet e kësaj pasurie, kurse në deklaratën “veting” ka shënuar se kanë qenë të ardhurat nga shitja e dy automjeteve që i kishte blerë për shuma më të vogla. Pasi është përballur me rezultatet e hetimit administrativ, Murra ka shtuar si burim edhe të ardhurat nga puna e saj dhe e bashkëshortit, si dhe gjendjen cash të vitit paraardhës.

Subjekti nuk ka arritur të provojë pagesën e tatimit mbi fitimin kapital të realizuar nga shitja më shtrenjtë e dy automjeteve dhe për pasojë në analizën financiare janë konsideruar si të ardhura shumat që kanë shërbyer për blerjen e tyre. Nga analiza e kësaj pasurie ka rezultuar balancë negative në shumën 1.8 milionë lekë, si dhe është konkluduar se Murra ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm.

Gjatë hetimit administrativ subjekti është pyetur lidhur me mosdeklarimin e një kredie në vlerën 280 mijë lekë të marrë nga djali i saj E.M. në vitin 2014.

Murra ka deklaruar se marrja e kredisë nga djali është pasqyruar në DVP-në e vitit 2014, e shoqëruar me statement të bankës, por gabimisht është harruar të shoqërohet përgjigjja me kopje të kontratës. Ajo ka theksuar se kredia është marrë nga djali për nevojat e tij personale.

Subjekti ka paraqitur si provë një fotokopje të faqes së deklarimit vjetor periodik të vitit 2014. Por, referuar dokumentacionit të depozituar nga ILDKPKI-ja të deklaratave periodike vjetore të subjektit të rivlerësimit, faqja në fjalë nuk ka rezultuar e njëjtë me atë të paraqitur nga Murra.

“Tek përshkrimi i detyrimeve të personit të lidhur E.M nuk figuron e deklaruar kredia e marrë në ‘Alpha Bank’ në vlerën 280,000 lekë, ashtu siç e sjell subjekti në provën e paraqitur prej saj”, vëren KPK dhe i ka kaluar subjektit barrën e provës për këtë konstatim.

Murra ka deklaruar se ka dorëzuar në ILDKPKI dy deklarata periodike për vitin 2014 dhe se në të parën, gabimisht nuk është deklaruar marrja e kredisë nga ana e djalit. Ajo ka sqaruar se për këtë fakt është kontrolluar nga ILDKPKI në 2016-ën, kur është konstatuar ky fakt dhe bashkë me inspektoren e këtij institucioni është përpiluar një faqe tjetër ku është pasqyruar marrja e kredisë.

Komisioni e konsideron të paqartë këtë situatë, nisur nga fakti se subjekti ka sjellë si provë një dokument të ndryshëm nga ai i depozituar në ILDKPKI.

“Procesverbali i mbajtur nga ILDKPKI-ja në vitin 2016 me subjektin e rivlerësimit, dokument të cilin subjekti e sjell si provë, nuk provon faktin e depozitimit dy herë të faqes *** të DPV-së së vitit 2014, përkundrazi, aty sqarohet për një fakt (të marrjes kredi në “Alpha Bank” nga djali E. M.), të cilin subjekti duhej ta kishte deklaruar në DPV-në e vitit 2014”, vëren Komisioni dhe del në përfundimin se veprime të tilla të prokurores Elveta Stafa (Murra) përbëjnë cënim të figurës së magjistratit dhe humbjes së besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.

Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar balancë negative në vlerën 13.6 milionë lekë.

Në përfundim, trupi gjykues i KPK i kruyesuar nga Etleda Çiftja, me relator Roland Ilia dhe anëtare Pamela Qirkon, konkludon se bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, prokurorja Elveta Stafa (Murra) ka kryer deklarim të pasaktë të pasurive në vite dhe gjatë procesit administrativ ka kryer deklarime kontradiktore duke mos iu përgjigjur saktë pyetjeve. Po ashtu, konkludohet se Murra nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të pasurisë së saj, se është përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në pronësi dhe përdorim, se ka kryer deklarim të rremë, si dhe nuk justifikon krijimin e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *