Gjyqtari Rexhep Karaj pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPA

Kolegji gjen shkelje në vetingun e Rexhep Karajt, por lë në fuqi shkarkimin

Ish-gjyqtari i Matit, Rexhep Karaj u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 25 nëntor 2021, pasi u konkludua se ai nuk justifikoi pasuritë, si dhe nuk ishte treguar bashkëpunues gjatë hetimit administrativ, duke bërë shpesh deklarime kontradiktore për mungesën e burimeve financiare.

Karaj ju drejtua Kolegjit të Posaçëm të Apelimit me ankim duke pretenduar se vendimi është produkt i një procesi të parregullt ligjor, pasi i është mohuar e drejta për t’u dëgjuar dhe mbrojtur. Po ashtu, ai e cilësoi vendimarrjen e Komisionit të pabazuar në provat e administruara dhe kërkoi administrimin e provave të reja.

KPA pranoi në cilësinë e provave disa prej akteve të dorëzuara nga subjekti, si dhe ka gjetur të drejta disa prej shkaqeve të ankimit, megjithatë u gjet e bazuar vendimarrja e Komisionit për shkarkimin e tij nga detyra për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë.

Po ashtu, Kolegji gjeti shkelje të rënda procedurale në procesin e zhvilluar në KPK. Karaj ka pretenduar në ankim se zhvillimi i seancave dëgjimore është bërë pa praninë e tij, megjithëse për shkaqe shëndetësore ka qenë i shtruar në spital. Ai ka theksuar se ka vendosur në dijeni Komisionin për gjendjen e tij shëndetësore, si dhe për faktin që ndodhej i shtruar në spitalin rajonal të Peshkopisë.

Kolegji vëren se pasi ka shqyrtuar këto pretendime të subjektit dhe pasi verifikoi zhvillimin e procesit të rivlerësimit, si dhe dokumentacionin e fashikullit të administruar gjatë hetimit në Komision, janë konstatuar shkelje të rënda procedurale në procesin e zhvilluar në shkallën e parë të vetingut. Për këtë arsye, trupi gjykues ka vendosur të pranojë kërkesën e subjektit për shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore publike, duke i dhënë mundësinë të dëgjohet dhe të mbrohet lidhur me çështjen e tij.

“Në këtë mënyrë, Kolegji shëroi të gjitha pretendimet e subjektit lidhur me cenimin e së drejtës për t’u dëgjuar dhe mosgarantimin e së drejtës për mbrojtje efektive, pasi Komisioni i ka zhvilluar seancat dëgjimore publike pa praninë e subjektit të rivlerësimit, në kushtet kur ky i fundit ishte në pamundësi objektive për të qenë present,” arsyeton KPA.

Karaj ka kundërshtuar në ankim vlerësimin e Komisionit se nuk ka qenë bashkëpunues, duke prapësuar se gjatë gjithë procesit të rivlerësimit u është përgjigjur në kohë komunikimeve, duke kthyer përgjigje brenda afatit të akorduar. Ai ka sqaruar se i vetmi rast kur nuk ka kthyer përgjigje, ka qenë për pyetësorin nr. 3, të cilin nuk e ka dorëzuar në kohën e duhur për shkak të një situate fatkeqësie familjare.

Kolegji konstaton se Karaj nuk arriti të provojë realisht pengesat që ka pasur për mosdorëzimin në kohë të dokumentacionit të kërkuar nga Komisioni dhe e çmon të drejtë përfundimin se subjekti nuk ka qenë bashkëpunues.

Ish-gjyqtari Karaj ka pretenduar gjithashtu se është i pabazuar vlerësimi i Komisionit për cenim të figurës së gjyqtarit dhe besimit të publikut, lidhur me dorëzimin e deklaratës periodike të vitit 2003 kur ai nuk ka qenë në Shqipëri për shkaqe shëndetësore dhe se plotësimi e dorëzimi janë kryer nga bashkëshortja, e cila nuk ka pasur njohuri për mënyrën dhe llojin e deklarimit.

Kolegji konstaton se sipas legjislacionit në fuqi, si në kohën e dorëzimit të deklaratës së vitit 2003, ashtu dhe aktualisht, plotësimi i deklaratës periodike vjetore është detyrim ligjor personal i subjekteve deklaruese. Sipas KPA, në rastet e pamundësisë objektive të plotësimit të deklaratës, subjekti ose persona të autorizuar prej tij, duhet të kishin bërë me dije ILDKPKI-në në momentin e dorëzimit të deklaratës së parë ose në një kohë të mëvonshme, me qëllim zgjidhjen e situatës.

“Rezulton se edhe më pas, subjekti nuk ka bërë asnjë veprim për të korrigjuar këtë deklarim të pavërtetë sipas tij, duke e pranuar në heshtje, dhe ka dalë me këto pretendime vetëm për efekt të procesit të rivlerësimit”, vlerëson Kolegji dhe ka rrëzuar disa nga shkaqet procedurale të ngritura në ankim.

Problemet për pasurinë

Komisioni ka arsyetuar se subjekti ka vetëpërjashtuar trashëgimtarët e tjerë nga pronësia mbi një truall dhe shtëpi banimi. Sipas Karajt, ky arsyetim i KPK nuk qëndron pasi nuk është një pasuri e fituar me trashëgimi, por në bazë të ligjit “Për tokën” dhe “Për procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në zonën urbane të fshatit”.

Subjekti ka parashtruar se përjashtimi i motrës nuk ka ndodhur për shkak të vullnetit apo ndërhyrjeve të tij, por për shkak se ka qenë e martuar dhe nuk ka qenë në përbërjen familjare.

Kolegji vëren se referuar provave dhe deklarimeve të subjektit, kjo pasuri është një pronë shumëvjeçare, e ndërtuar para viteve ‘90 dhe që ka qenë në përdorim të familjes së tij prej vitesh. Për shkak të vendndodhjes në një zonë rurale, nuk i është nënshtruar regjimit të kolektivizimit duke mbetur në pronësi të familjes Karaj edhe para viteve ‘90.

KPA vlerëson të pabazuar pretendimin e subjektit se është përfitues i pasurisë sipas përkatësisë në familjen bujqësore, pasi pronësia në këtë shtëpi i përket regjimit të trashëgimisë dhe jo asaj të pronës së fituar me ligjin “Për tokën”. “[…]Edhe nëse do të merrej në konsideratë ky pretendim i subjektit, atëherë ai këtë shtëpi duhet ta kishte në bashkëpronësi me nënën, sipas përbërjes familjare të vitit 1974, së cilës i referohet vetë kërkuesi. Në këtë rast, pas vdekjes së nënës në vitin 2011, motra e subjektit të rivlerësimit duhet të trashëgonte si trashëgimtare ligjore, pjesën e saj”, shprehet KPA dhe shton se Karaj nuk arrin të provojë heqjen dorë nga pasuria të nënës dhe motrës, si dhe përfitimin ligjërisht vetëm prej tij të shtëpisë së banimit.

Komisioni ka konstatuar pamundësi financiare të gjyqtarit Karaj në shumën 4.5 milionë lekë për dhënien e një huaje 50 mijë euro në vitin 2016 një shoqërie, me burim kursimet familjare. Gjithashtu, KPK ka konstatuar se subjekti ka lidhur një kontratë porosie duke e trajtuar si kontratë huaje, që megjithëse vlerësohet se është një veprim që nuk ka pasoja juridike, është konsideruar e papranueshme për një gjyqtar, duke u vlerësuar në cënim të figurës së tij.

Karaj i ka kundërshtuar këto konkluzione duke shpjeguar se në kontratë është pasqyruar se huaja është marrë nga shoqëria me qëllim që në të ardhmen të kalohet për llogari të tij një apartament që do të ndërtohet. Po ashtu, është saktësuar se nuk është bërë nëpërmjet kontratës së porosisë, pasi në atë moment nuk ishte nxjerrë ende leja e ndërtimit nga shoqëria ndërtuese.

Ndryshe nga KPK, Kolegji vëren se në kontratë palët janë shprehur qartë për qëllimin e vërtetë të lidhjes së saj, që është kalimi në të ardhmen i pronësisë së një apartamenti, por që në momentin e lidhjes së kontratës nuk mund të realizohej në formën e një kontrate të mirëfilltë porosie pasi kushtëzohej nga faktorë jashtë vullnetit të palëve. Për këto arsye, trupi gjykues i KPA çmon se vetëm fakti i zgjedhjes formalisht të një kontrate atipike, nuk mund ta vendosë subjektin e rivlerësimit në kushtet e cenimit të figurës së tij si gjyqtar dhe e ka rrëzuar këtë konkluzion të Komisionit.

Përfundimin tjetër të KPK për këtë pasuri lidhur me pamundësinë financiare, subjekti e ka konsideruar si pasojë të keqinterpretimit të deklarimeve vjetore ndër vite dhe sidomos të vitit 2014, ku gjendja e kursimeve cash pakësohet në mënyrë artificiale në vlerën 5 milion e 250 mijë lekë, duke e çuar në 800 mijë lekë nga 6 milionë e 850 mijë lekë që ka qenë.

Kolegji vlerëson se leximi në harmoni i deklaratave periodike të viteve 2014, 2015 dhe 2016, për deklarimet e likuiditeteve cash, krijon bindjen se deklarimi në vitin 2014, ka qenë gjendje e likuiditetit cash prej 800 mijë lekësh dhe se subjekti po në këtë deklaratë, ka shënuar shtesë në llogarinë rrjedhëse të bashkëshortes dhe në llogarinë e tij, që sipas akteve të administruara, përkojnë me shtesat respektive të llogarive bankare.

Ndërsa deklarimet e viteve 2015 dhe 2016 për likujditetet, kur subjekti i ka deklaruar së bashku likuiditetet cash dhe ato në bankë, konstatohet se vlerat e pasqyruara përafrojnë me gjendjen e likuiditeteve në bankë në fund të vitit.

Kolegji vlerëson se edhe nëse likuiditeti cash prej 800 mijë lekësh në vitin 2014 do të konsiderohet shtesë apo si gjendje, vitet më përpara rezultojnë me një balancë negative prej 3.2 milionë lekësh, me pamundësi për kursimet jashtë sistemit bankar në disa vite.

“Bazuar në ndryshimin e mënyrës së deklarimeve të likuiditeteve në deklaratat periodike 2015 dhe 2016, në formën e deklarimit së bashku me likuiditetet në banka, por dhe në faktin që në përgjigje të rezultateve hetimore për vitet 2015 dhe 2016, subjekti nuk ka konsideruar shtesa në likuiditetin cash, trupi gjykues çmon se pretendimi i subjektit bëhet i pabesueshëm dhe se huaja është me mungesë burimesh financiare të ligjshme”, vlerëson KPA dhe çmon se është i bazuar qëndrimi i Komisionit se subjekti gjendet në pamundësi në vlerën 4.5 milionë lekë për të justifikuar dhënien e huasë 50 mijë euro në 2016-ën.

Në vijim KPA i ka dhënë të drejtë subjektit për të ardhurat nga puna e bashkëshortes si koordinatore në një organizatë jofitimprurëse dhe të nënës nga pensioni.

Komisioni ka vlerësuar se të ardhurat e bashkëshortes nuk mund të konsiderohen të ligjshme sepse nuk vërtetohet pagesa e detyrimeve tatimore. Ndërsa Kolegji konkludon se subjekti i rivlerësimit arrin të provojë se bashkëshortja ka përfituar pagesa nga organizata jofitimprurëse.

“Nisur nga fakti që subjekti arrin të provojë kalimin e të ardhurave në llogari të bashkëshortes, si dhe nga parashikimet në legjislacionin në fuqi16 , që në rastin e pagesave për shërbimet e konsulencës, tatimi në burim mbahet nga punëdhënësi/kontraktuesi, trupi gjykues vlerëson se të ardhurat e bashkëshortes, në vlerën 5.967 euro (që evidentohen në lëvizjet e llogarisë bankare), konsiderohen si të ardhura të ligjshme, të cilat duhet të përfshihen në analizën financiare përfundimtare të subjektit të rivlerësimit”, arsyeton KPA.

Po ashtu, në ndryshim nga qëndrimi i mbajtur nga KPK, Kolegji ka çmuar të konsiderojë dhe përffshijë në analizën financiare të ardhurat nga pensioni i nënës së subjekytit në vlerën 369 mijë lekë përgjatë viteve 2003-2011.

Ndërkohë, nuk është gjetur i bazuar kërkimi për konsiderimin e të ardhurave nga punësimi i vajzës, pasi ka rezultuar se janë krijuar në kuadër të një marrëdhënieje informale punësimi.

Ashtu si KPK, edhe Kolegji vlerëson se subjekti ka bërë deklarim të pamjaftueshëm dhe ka mungesë burimesh për blerjen e tre automjeteve në vite. Po ashtu, çmohet se Karaj nuk ka arritur të provojë mundësinë e një huadhënësi për krijimin e një shume 4000 euro dhënë subjektit në vitin 2004.

Kolegji konstaton se pas kontrollit të analizës financiare të Komisionit të kryer në Kolegj, duke konsideruar si të drejta disa nga pretendimet e subjektit të rivlerësimit lidhur me të ardhurat nga pensioni i nënës dhe të ardhurat e bashkëshortes nga një organizatë jofitimprurëse, ish-gjyqtari Karaj sërish gjendet në kushtet e mungesës së burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar krijimin e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve të tjera familjare.

Në përfundim, KPA konkludon se ish-gjyqtari Rexhep Karaj nuk arriti nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, pasi ka bërë deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm në këtë kriter.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *