Gjyqtari Adriatik Bocaj pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Gjyqtari Adriatik Bocaj jep shpjegime për pasurinë dhe profesionalizmin

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Adriatik Bocaj u përball të hënën më 11 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për bilancin negativ paraprak në vlerën totale 1.7 milionë lekë të konstatuar për periudhën 1994-2016, si dhe për disa pretendime të ngritura në deoncime nga publiku. Ndërkohë, Bocaj mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Bocaj po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Etleda Çiftjan. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Adriatik Bocaj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ai punoi si gjyqtar në Gjykatën e Lezhës deri në vitin 2013 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës.

Konstatimet për pasurinë

Bocaj ka pasqyruar në deklaratën veting historikun e burimeve financiare që kanë shërbyer për blerjen në vitin 2000 të një apartamenti me sipërfaqe 72.1 m2 në Tiranë. Ai ka sqaruar se në viutin 1993 ka përfituar nga privatizimi një apartament në Rrëshen që e ka shitur në ’96-ën tek Enti Kombëtar i Banesave për velrën 430 mijë lekë. Po atë vit, ka blerë një apartament në Lezhë për çmimin 600 mijë lekë, që e ka paguar me të ardhurat e përfituara nga shitja e banesës në rrëzhen dhe 170 mijë lekë nga të ardhurat nga pagat.

Apartamentin në Lezhë e ka shitur në vitin 2000 për 2 milionë lekë, shumë të cilës i ka shtuar dhe 500 mijë lekë nga pagat, për të plotësuar çmimin e apartamentit të blerë në Tiranë.

Bekteshi tha se nga hetimi ka rezultuar se në vitin 2003, subjekti ka deklaruar se zotëronte 25% të kësaj pasurie, nga 100% që shënon në deklaratën “veting”, ndërkohë që në deklaratën e parë nuk ka pasqyruar si burim të ardhurat nga pagat.

Megjithëse nga analiza financiare për blerjen e apartamentit në Lezhë është konstatuar një balancë negative në shumën 51 mijë lekë, Komisioni nuk ka gjetur probleme në transaksionet e kësaj prone, si dhe në shumën e përfituar nga shitja që ka shërbyer si burim për banesën në Tiranë. Sipas KPK, Bocaj ka paguar në kohë reale edhe tatimin për të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit në Lezhë.

Nga analiza e kryer mbi mundësinë e blerjes së shtëpisë në Tiranë në vitin 2000 është konstatuar bilanc negativ në shumën 42 mijë lekë.

Gjyqtari Adriatik Bocaj e falënderoi Komisionin për hetimin e kryer duke e cilësuar të plotë dhe racional. Në vijim ai sqaroi në fillim se shënimin në vitin 2003 se zotëronte ¼-ën pjesë takuese e kishte kryer pasi kishte konsideruar se secili prej anëtarëve të familjes duhej të kishin pjesë të barabarta. Sipas tij, kishte qenë deklarimi i parë dhe se gabimi ishte korrigjuar në vitet pasues.

Lidhur me pamundësinë e konstatuar në blerjen e apartamentit në Lezhë, subjekti vërejti se nuk ishin llogaritur disa prej të ardhurave të bashkëshortes. Duke iu referuar jurispudencës së institucioneve të vetingut, ajo kërkoi që shpenzimet jetike deri në vitin 1998 të përllogariten në masën e 30% të të ardhurave. “Kështu rezulton me bilanc pozitiv 200 mijë lekë më shumë”, tha Bocaj.

Po ashtu, edhe lidhur me mungesën e konstatuar për apartamentin në Tiranë, subjekti vërejti se nuk ishin përllogaritur disa prej të ardhurave të bashkëshortes, si dhe kërkoi që shpenzimet jetike para vitit 1998 të konsiderohen në masën 30% të të ardhurave. Ai tha se edhe në këtë rast rezultonte kishte pasur burime financiare të mjaftueshme për investimin e kryer në vitin 2000.

Pasuria e dyte e deklaruar nga subjekti është një automjet i llojit Skoda, e blerë për çmimin 22 mijë e 980 euro në vitin 2012 me kontratë qiraje financiare dhe me kontratë shitje të vitit 2017. Si burim ka deklaruar edhe një hua 7000 euro.

KPK nuk ka gjetur probleme lidhur me vlerën e kontratës së qirasë financiare, ndërkohë që nuk është konsideruar në analizën financiare huaja e marrë nga subjekti nga një i afërm i tij, pasi ka deklaruar të dhëna kontradiktore që lidhur me të ardhurat që kanë shërbyer për krijimin e asaj shume.

Në kontratën e huasë është deklaruar se burim i huasë kanë qenë të ardhurat e huadhënësit nga aktvitti i tij privat. Gjatë hetimit administrativ, Bocaj ka shpjeguar se i ka kërkuar kushëririt të tij dokumentacion për burimin e huasë sipas kërkimit të KPK-së dhe se i afërmi ka shpjeguar se ajo shumë rjedh nga të ardhurat që babai i tij kishte përfituar si ish-përndjekur politik.

Për shkak të moskonsiderimit të huasë, nga analiza financiare paraprake është konstatuar bilanc negativ në shumën 815 mijë lekë për blerjen e mjetit dhe mbulimin e shpenzimeve në vitin 2012.

KPK ka gjetur pamundësi edhe për shlyerjen e kredisë deri në vitin 2017, pasi ka rezultuar pamundësi në shumën 521 mijë lekë e shpërndarë në tre vite.

Nga analiza financiare paraprake e kryer për gjithë periudhën 1994-2016 ka rezultuar pamundësi financiare në vlerën totale 1.7 milionë lekë, e shtrirë në vitet 1994-1996; 1996-2000, si dhe në vitet 2007, 2008, 2012, 2013, 2015 e 2016.

Gjyqtari Bocaj shpjegoi se huanë e kishte marrë pasi shoqëria që shiste mjetin kërkonte shlyerjen filimisht të 30% të vlerës së makinës. Ai vërejti se e kishte deklaruar këtë hua që në momentin që e kishte marrë. Ndërkohë, lidhur me deklarimin e burimit në kontratën e huasë, solli në vëmendje jurispudencën e institucioneve të vetingut dhe të Gjykatës Evrpoiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se është përcaktuar se deklarimi i personave të lidhur nuk mund të jetë i të njëjtit standard me ato të subjekteve të rivlerësimit.

Bocaj këmbënguli se provohej se huadhënësi kishte pasur burime të ligjshme. Pas konstatimeve të vëzhguesit ndërkombëtar se transaksionet për huanë nuk ishin të dokumentuara, subjekti deklaroi se babai i huadhënësit e kishte tërhequr cash vlerën në fjalë dhe se ia kishte dhënë po në atë formë. “Edhe në deklaratën noteriale është shprehur se është dhënë jashtë zyrës noteriale”, pohoi ai.

Në vijim, Bocaj pretendoi se shpenzimet e shkollimit të fëmijëve dhe transportit janë përfshirë dy herë në analizën financiare, njëherë bazuar në deklarimet e tij, si dhe janë të përllogaritura në shpenzimet jetike. Sipas subjektit, nëse do të hiqej një prej këtyre shpenzimeve dhe do të konsideroheshin të ardhurat e deklaruara prej tij në vite, atëherë vlera negative do të mbetej minimale.

Figura dhe profesionalizmi

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK nuk ka gjetur probleme për gjyqtarin Bocaj. Edhe Komisioni ka arritur në konkluzionin se nuk ka të dhëna që të penalizojnë subjektin në këtë kriter.

Lidhur me aftësitë profesionale, u evidentuan disa gjetje të konstatuara në çështjet e denoncuara nga publiku. Bekteshi deklaroi se ndaj subjektit janë depozituar 14 denoncime nga publiku, një pjesë e të cilave referonin pretendime që lidhen me themelin e çështjes.

Bocajt i janë kërkuar shpjegime për 6 denoncime. Në një rast, subjekti është pyetur lidhur me mosaplikimin për njoftimin e një pale ndërgjyqëse edhe përmes faqes zyrtare në internet të gjykatës. Në një vendim me objekt ndreqje gabimi të vitit 29010, duket se subjekti e gjykuar si çështje themeli duke thirrur ekspert dhe administruar aktin e e ekspertimit. Bekteshi vijoi se në një çështje dukeshin të paqarta veprimet procedurale gjatë seancave gjyqësore, si dhe se kishte mungesë dokumentacioni në lidhje me njoftimin e palëve. Në një rast tjetër duket se gjykimi është zhvilluar në mungesë të palës së paditur si dhe nuk provohej marrja në dijeni e saj.

Gjyqtari Bocaj theksoi se gjithmonë ishte përpjekur të ishte korrekt në ushtrimin e detyrës. Ai vërejti se denoncimet janë depozituar edhe prnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe janë arkivuar.

Lidhur me konstatimin e mosnjoftimit të palës së paditur, ai shpjegoi se personi në fjalë ishte konstatuar se ishte larguar jashtë shtetit. Sipas subjektit, u vendos zhvillimi në mungesë të palës së paditur, ndëkrohë që as paditësi nuk u paraqit në tre seanca radhazi kur pritej të paraqiste konkluzionet përfundimtare dhe për rrjedhojë kishte vendosur pushimin e çështjes.

Subjekti deklaroi se njoftimi ishte kryer i rregullt sipas procedurave, edhe me shpallje në vendbanimet e të paditurit.

Ai kundërshtoi konstatimin e KPK lidhr me thirrjen e ekspertit në një vendimarrje për ndreqje gabimi. Sipas subjektit, eksperti nuk ishte thirrur në cilësinë e funksionit të tij, por për t’u pyetur nëse gjykata kishte vlerësuar drejt ose jo një rrethanë.

Në përfundim të seancës, gjyqtari Adriatik Bocaj kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 15 shtator, në orën 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *