????????????????????????????????????
Analiza KPA

KPA me tre mendime për ish-gjyqtaren Fjoralba Prifti

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi në mënyrë unanime të lërë në fuqi vendimin e Komisionit për shkarkimin nga detyra të ish-gjyqtares së Apelit Administrativ, Fjoralba Prifti, megjithëse i rrëzoi si të pabazuara dy prej konkluzioneve të arritura në shkallën e pare të vetingut. Ndërkohë, dy prej anëtareve të trupit gjykues të Kolegjit kanë shfaqur mendime paralele në disa prej çështjeve të shqyrtuara.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e bazoi masën disiplinore për shkarkimin e Priftit në konkluzionin se ajo gjendej në kushtet e mungesës së burimeve të ligjshme për të justifikuar pasuritë e krijuara; në kushtet e fshehjes së pasurisë; si dhe të deklarimit të rremë.

Kolegji çmon se nuk janë të bazuara konkluzionet për fshehje dhe deklarim të rremë, por e la në fuqi shkarkimin me argumentin se subjekti “ka dështuar të provojë burimin e ligjshëm të krijimit të pasurive për shkak të mungesës së dokumentacionit, që provonte edhe përfitimin e së ardhurës në disa raste”.

Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se subjekti nuk arriti të provonte ligjshmërinë e një pjese të të ardhurave të bashkëshortit të përfituara nga puna si përkthyes në institucione dhe organizata ndërkombëtare, si dhe vërtetësinë e një marrëdhënie huaje, të cilat shërbyen si burime për blerjen e një apartamenti.

Pretendimi i subjektit se ajo gjendej në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumentet u gjet i pabazuar nga Kolegji.

Po ashtu, në vendim nënvizohet peshën e balancës negative e konstatuar në shumën prej 3.1 milionë lekësh për vitet 2003, 2006, 2007 dhe 2008.

Kolegji shprehet se kësaj situate i shtohet në vlerësim edhe balanca negative për blerjen e apartamentit ku ish-gjyqtarja Prifti jeton, pasuri që ndonëse i përket bashkëshortit të saj formalisht, afekton në mënyrë të arsyeshme edhe vetë subjektin për shkak se ajo është krijuar në limitet e lidhjes së martesës dhe në kushtet kur është e pamundur të përcaktohet saktësisht se kur bashkëshortët e ardhshëm kishin filluar të ndërtonin një të ardhme financiare të përbashkët.

Vendimi në Kolegj për Fjoralba Priftin u mor nga trupi gjykues i kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Ina Rama dhe anëtarë Natasha Mulaj, Mimoza Tasi dhe Rezarta Schuetz.

Mendimet paralele

Shumica e Kolegjit e përbërë nga relatorja Ina Rama dhe anëtaret Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz kanë çmuar të mos e konsiderojnë një hua në vlerën 30 mijë euro të deklaruar si burim për blerjen e një apartamenti dhe garazhi në Tiranë. Sipas shumicës, “deklarimet e subjektit për ekzistencën e këtij veprimi juridik, vlerën e deklaruar të marrë hua, kohën e kthimit të saj, personat të cilët kanë disponuar shumat në favor të bashkëshortit të subjektit, kthimin e kësaj shume si derivat i kësaj marrëdhënie, mundësinë e këtyre individëve për të krijuar me burime të ligjshme këtë shumë, […], mbetën të paprovuara dhe nuk krijuan bindjen e trupit gjykues se kanë ekzistuar në versionin e deklaruar prej subjektit”.

Kryesuesja Albana Shtylla vlerëson ndryshe, duke çmuar se marrëdhënia e huasë ka ekzistuar dhe huaja ka qenë një nga burimet për krijimin e apartamentit dhe garazhit në Tiranë.

Ajo sjell në vëmendje se marrëdhënia e huasë është pasqyruar në deklarimin fillestar të bashkëshortit, duke referuar dhe kontratën e huasë së vitit 2006. “Gjithashtu, marrëdhënia e huasë është deklaruar në mënyrë të plotë dhe të detajuar në deklaratën vetting, duke shpjeguar në të edhe elementë të dakordësuar mes palëve për kushtet e dhënies dhe shlyerjes së saj”, argumenton Shtylla dhe shton se megjithëse ky veprim është formalizuar që në vitin 2006, nuk është detyrim ligjor.

Sipas Shtyllës, në kushtet e një një marrëdhënie të posaçme dhe të ngushtë familjare është e besueshme që kursimet familjare të krijuara në vite nga familja të jenë venë në dispozicion të bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit në vitin 2004, për të mbështetur atë për blerjen e këtyre pasurive. Ajo vëren se vëllai i bashkëshortit të subjektit jetonte prej një kohe të gjatë jashtë vendit.

“…Huaja është dhënë në janar të vitit 2005, larg në kohë nga momenti i krijimit të bashkësisë ligjore të subjektit të rivlerësimit me z. E. P.. Gjithashtu, nuk rezulton të ketë prova të administruara në fashikull, që gjatë kësaj periudhe subjekti i rivlerësimit të kishte një marrëdhënie të konsoliduar dhe, për më tepër, bashkëjetese me z. E. P. 93, fakt ky, i cili, nëse do të provohej do të krijonte dyshime lidhur me ekzistencën e marrëdhënies së huas dhe nevojës së subjektit për të simuluar një të tillë, me qëllim justifikimin me burime të ligjshme të pasurive apartament dhe garazh, në Tiranë”, argumenton Shtylla dhe i cilëson të besueshme shpjegimet e subjektit se hauaja 30 mijë euro ka qenë burim për apartamentin dhe garazhin në Tiranë.

Shtylla vlerëson gjithashtu se nuk duhej të isht kontrolluar lgijshmëria e huas 30 mijë euro dhënë bashkëshortit të subjektit nga babai para martesës. Subjekti në atë kohë ishte ende larg konceptimit të krijimit të lidhjes në martesë ligjore dhe në këtë kuptim subjekti nuk duhet që të ngarkohet me barrën e kontrollit të një pasurie të krijuar përpara martesës, duke tejkaluar qëllimin e rivlerësimit e për të cilën Kolegji ka arsyetuar dhe në vendime të tjera”, arsyeton Shtylla dhe shton se dhënia nga shumica e atributit si person tjetër i lidhur i babait të bashkëshortit të subjektit, çon në deformim të qëllimit dhe objektit të ligjit të vetingut të magjistratëve.

Këtij mendimi i bashkohet edhe anëtarja Mimoza Tasi, e cila e bazon këtë arsyetim në argumentet se babai i bashkëshortit të ish-gjyqtares e ka dhënë huanë bazuar në marrëdhënien e posaçme atë e bir në vitin 2004, shumë kohë përpara se të lidhej martesa ligjore me subjektin.

“Provohet nga deklarata vetting dhe nga deklarimi për herë të parë i bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit në vitin 2006 se pasuritë apartament dhe garazh, sipas kontratës së sipërmarrjes së datës 15.03.2004, janë pasuri individuale të bashkëshortit, të krijuara para martesës dhe përgjegjësinë për shlyerjen e detyrimeve të marra e kishte vetëm bashkëshorti si person i lidhur”, vlerëson Tasi dhe shton se subjekti dhe bashkëshorti i saj kanë kryer deklarim të saktë dhe të detajuar të kontratës së huasë.

Në vijim Shtylla ndan qëndrim të ndryshëm lidhur me konsiderimin nga shumica të bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit në kushtet e keqbesimit për arsye se ka zbatuar një mekanizëm persistent të vepruari, me qëllim shmangien e pagimit të detyrimeve tatimore.

“Rezulton se z. E. P. ka ushtruar një veprimtari si përkthyes i gjuhës gjermane dhe përkthimet e realizuara prej tij gjatë periudhës 1997 – janar 2017, pra, para dhe pas martesës, duken se kanë qenë të konsiderueshme në numër dhe volum, duke passjelle dhe të ardhura të pretenduara të konsiderueshme”, konstaton Shtylla.

Ajo thekson se ushtrimi i kësaj veprimtarie është bërë kryesisht nëpërmjet marrëdhënies së shërbimit të vendosur ndërmjet tij si individ dhe marrësve të shërbimit, të cilët kanë qenë kryesisht institucione shtetërore vendase apo të huaja, organizata ndërkombëtare, misione ndërkombëtare, organizata jofitimprurëse ndërkombëtare, të regjistruara ose jo në Shqipëri, si dhe shërbime guide turistike gjermanfolëse.

Sipas Shtyllës, legjislacioni për tatimin mbi të ardhurat, nuk detyron profesionistët e kësaj fushe për mënyrën se si duhet të realizohet shërbimi i përkthimit, por e lë në zgjedhjen e ofruesit të shërbimit, nëse ai do të realizohet nëpërmjet një subjekti tregtar të regjistruar prej tyre, apo si individ në marrëdhënie shërbimi me porositësit e tij.

“…Vlerësoj se zgjedhja e mënyrës së ushtrimit të veprimtarisë së përkthyesit, nëpërmjet njërës nga format e lejuara nga ligji i kohës, në rastin konkret si individ i kontraktuar/porositur për ofrimin e këtij shërbimi, nuk tregon një sjellje të qëllimshme apo veprime të vazhdueshme me vetëdije të bashkëshortit të subjektit për t’u shmangur detyrimeve tatimore”, vlerëson Shtylla he shton se bashkëshorti i subjektit prej vitit 2011 e në vazhdim ka deklaruar në DIVA të ardhura të realizuara nga shërbimi i përkthimit.

“Kjo sjellje e tij, në përputhje me detyrimet ligjore, zhbën dyshimet për veprime apo mekanizma të ndërtuara prej tij, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore”, shprehet Shtylla dhe nënvizon se nuk u provua që bashkëshorti i subjektit të ketë bashkëpunuar me marrësit e shërbimit, që ligji e detyron për mbajtjen e tatimit në burim.

Edhe Tasi vlerëson se, pavarësisht se subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshorti nuk arritën që me provat e sjella dhe me shkresat zyrtare të organeve tatimore të mund të konfirmonin pagimin e tatimit për periudha më të gjata se 5 vite, deklarimet e rregullta dhe korrekte në deklaratat periodike për shërbimin e përkthimit, të ofruara në mënyrë permanente ndaj një numri të madh institucionesh, organizatash, entitetesh vendase dhe të huaja duhet të kishin krijuar bindje te shumica se nuk ka pasur përpjekje për të shmangur detyrimin e pagimit të tatimit mbi të ardhurat.

Ndërkohë, anëtarja Mimoza Tasi ndan qëndrim të ndryshëm lidhur me moskonsiderimin e të ardhurave të bashkëshortit të subjektit.  Sipas saj, të ardhurat e bashkëshortit para martese që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit dhe garazhit duhet të konsiderohen në analizën financiare, pa iu nënshtruar kontrollit të ligjshmërisë nën regjimin e legjislacionit të vetingut. “…Duke mos e vendosur subjektin në pamundësi për të provuar ligjshmërinë e të ardhurave të bashkëshortit të krijuara para martese e duke i ngarkuar në mënyrë joproporcionale një barrë prove që e kishte të pamundur për ta përmbysur”, arsyeton ajo.

Ndryshe nga shumica që ka vlerësuar mungesë të burimeve në vlerën 4.8 milionë lekë për blerjen e apartamentit dhe garazhit, Shtylla konsideron huanë 30 mijë eur, si dhe vlerëson se bashkëshorti i subjektit ka pasur burime të ligjshme për të ardhurat e përfituara nga shërbimi i përkthimit në gjuhën gjermane, megjithëse nuk plotësojnë kërkesat sipas legjislacionit të vetingut.

Po ashtu, Shtylla thekson se nuk rezulton që subjekti të kenë kontribuar në pjesën e çmimit të paguar para martese nga bashkëshorti; që të ketë pasur një marrëdhënie të konsoliduar apo bashkëjetese; që të kenë kryer udhëtime së bashku jashtë vendit, përveçse në muajin gusht 2005. Por, Shtylla vëren se se ky udhëtim është larg në kohë nga parapagimi i detyrimeve për pjesët e çmimit të pasurisë.

Ajo çmon se mungesa e burimeve financiare të ligjshme të bashkëshortit për pagesat për pasuritë apartament dhe garazh, në Tiranë, para martese nuk janë të mjaftueshme për të arritur në konkluzionin se ish-gjyqtarja Prifti ka bërë deklarim të pamjaftueshëm.

Megjithatë, Shtylla vlerëson se subjekti rezulton sërish me mungesë burimesh të ligjshme në vlerën 2.8 milionë lekë duke çmuar se nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *