Vendimi i KPA: Ish-gjyqtari Admir Thanza dështoi në “testin e integritetit”
Analiza

Vendimi i KPA: Ish-gjyqtari Admir Thanza dështoi në “testin e integritetit”

Në vendimin e zbardhur për ish-gjyqtarin Admir Thanza, Kolegji cilësoi si cënime të rënda mosdeklarimin e dënimit, atë të procedimit penal dhe konfliktin e interesit. KPA arsyetoi edhe për të drejtën e KPK për të hetuar kontrata me çmime të ulëta mes subjekteve dhe të tretëve.

Ish-Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, KPK, | Foto nnga : LSA

Duke gjetur të saktë dhe të provuar gjithçka ishte vendosur më herët nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit la në fuqi në prill të këtij viti shkarkimin e ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza.

Thanza, i cili u gjet se nuk kishte plotësuar saktë formularin e vetëdeklarimit për dekriminalizimin dhe u dënua së fundmi nga gjykata me 9 muaj burg të konvertuar në 18 muaj shërbim prove, kishte apeluar vendimin e Komisionit duke preteduar ndër të tjera “proces të parregullt” dhe “gjykim të njëanshëm”.

Në vendimin e zbardhur të Kolegjit bëhet me dije se të gjitha pretendimet e Thanzës ishin rrëzuar si të pabazuara. Trupa që gjykoi rastin kryesuar nga Rezarta Schuetz, Ardian Hajdari relator dhe anëtarë Ina Rama, Luan Daci, Natasha Mulaj, arsyetoi ndër të tjera  se Thanza kishte cenuar besimin e publikut te drejtësia, kishte fshehur gjendjen e tij gjyqësore dhe kishte qenë në konflikt interesi.

Kolegji gjeti të bazuara po ashtu edhe gjetjet e KPK sa i përket pasurisë së Thanzës, duke theksuar kryesisht blerjen prej tij të një apartamenti me çmim më të lirë dhe një dhurim garazhi, gjë që e vuri atë në konflikt interesi vite më vonë.

Qëndrimet e Kolegjit mbi konfliktin e interesit dhe etikën

Kolegji i Posaçëm i Apelimit u ka kushtuar rëndësi disa prej pretendimeve të Thanzës në lidhje me konfliktin e interesit, etikën dhe profesionalizmin. KPA ashtu si Komisioni më herët i ka gjetur mosdeklarimet prej ish-gjyqtarit të një dënimi në Itali, një procedimi penal në Shqipëri, kontaktin me një person të papërshtatshëm, mosdeklarimin e një dhurate dhe mos heqjen dorë nga një çështje me palë dhuruesin, si shkelje të rënda që cenonin besimin e publikut te drejtësia.

Sipas KPA, Thanza ka pretenduar se dënimi në Itali kishte ndodhur 19 vjet më parë dhe KPK kishte marrë në shqyrtim atë edhe pse ishte jashtë afatit kushtetues. Sipas ish-gjyqtarit, vendimi “është marrë në mënyrë subjektive, të njëanshme, qëllimisht rënduese dhe diskriminuese, rrjedhojë e një interpretimi dhe zbatimi të gabuar të dispozitave specifike kushtetuese dhe ligjore duke afektuar në thelb vendimmarrjen e Komisionit dhe duke prodhuar dhënien e një vendimi të padrejtë, për sa i përket shkarkimit të tij”.

Por ky pretendim u rrëzua nga Kolegji. KPA shprehet se Thanza kishte shërbyer si gjyqtar në nivelet më të larta të sistemit dhe se duke mos e deklaruar këtë ngjarje, atëherë kur ajo kishte ndodhur dhe në vijim ai kishte cenuar besimin e publikut te drejtësia.

“Vendimi i dënimit penal të formës së prerë ndaj tij, edhe pse përreth 19 vite më parë, kur subjekti kryente detyrën e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë besimin e publikut te drejtësia”, shprehet KPA.

Trupa gjykuese arsyeton se prej kohës kur ky dënim ka ndodhur e në vijim gjithmonë ligjet e Shqipërisë për funksionimin e sistemit të drejtësisë kanë pasur të ndaluar qëndrimin gjyqtar duke pasur një dënim penal.

“(Ligji) Ka parashikuar si një ndër kushtet themelore për përzgjedhjen dhe qëndrimin në detyrë të magjistratëve edhe mungesën e një dënimi penal të formës së prerë”, thuhet në arsyetim.

Trupa gjykuese e KPA vijon më tej duke thënë se edhe nëse merreshin të mirëqena rrethanat që sipas pretendimit të subjektit, e shtynë të pranojë veprën penale për të cilën u dënua, ai kishte përgjegjësi të ruante integritetin personal dhe minimalisht duhej ta kishte raportuar atë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Më tutje KPA citon “Parimet të Bangalores” sipas të cilave: “Gjyqtari duhet gjithmonë: të mos kryejë mashtrim, të mos gënjejë dhe të mos falsifikojë; të jetë i virtytshëm në sjellje dhe karakter. Nuk ka shkallë integriteti. Integriteti në gjyqësor është  nevojë.”

I parë në këtë këndvështrim, Thanza u penalizua edhe për mosdeklarim të procedimit penal nisur ndaj tij e më pas të pushuar nga Prokuoria e Përgjithshme dhe kontaktin me një grua, që bashkë me të u hetua për korrupsion. KPA arsyetoi se pretendimet e ish-gjyqtarit se ligji nuk i kërkonte të deklaronte këtë rast si kontakt të papërshtatshëm, pasi takimet me zonjën në fjalë kishin ndodhur para se ndaj saj të nisnin hetimet, nuk ishte argument i mjaftueshëm.

KPA arsyetoi ndër të tjera se ai kishte qenë i detyruar të deklaronte këtë rast. Sipas Kolegjit qëllimi i legjislatorit për të marrë vetëdeklarim të detajuar në lidhje me figurën ishte “testimi i integritetit”. “Legjislatori me anë të këtij formulimi ka pasur për qëllim të testojë integritetin moral, qëndrimin e subjektit të rivlerësimit në raport me vërtetësinë e fakteve”, shprehet KPA. Kolegji thotë se deklarimi nuk do e kishte penalizuar Thanzën, por do e kishte lehtësuar atë, ndërsa mosdeklarimi “e ngarkon subjektin me përgjegjësinë e fshehjes së një fakti dhe të plotësimit të pasaktë dhe të pavërtetë të deklaratës për kontrollin e figurës”.

Si i pavërtetë u trajtua nga Kolegji edhe pretendimi i Thanzës se nuk kishte qenë në konflikt interesi dhe se nuk e konsideronte dhuratë garazhin, por si një kontratë të simuluar për të mundësuar rregjistrimin e një prone të blerë më herët. Po ashtu u vlerësua edhe qëndrimi i tij se çështja që kishte gjykuar, në të cilën palë e interesuar ishte edhe kompania e ndërtimit që i kishte shitur apartamentin dhe garazhin, nuk ishte çështje themeli, por kopetencash.

KPA arsyetoi se asnjë nga argumentet e Thanzës nuk qëndronin. Sipas Kolegjit Gjykata e Lartë kishte bërë me dije se çështja ishte themeli dhe se Thanza ishte relator i saj.

Sipas Kolegjit konflikti ishte i qartë, qoftë edhe për faktin se shoqëria në fjalë kishte qenë e gatshme për ta ndihmuar subjektin për të kryer “një veprim juridik të simuluar” (kontratën e dhurimit) dhe se i kishte shitur një apartament me çmim më të ulët se kostoja e ndërtimit. KPA shprehet se provohej “një marrëdhënieje të vazhdueshme të mirë mes palëve, e cila ka ndikuar në vendimmarrjen e subjektit të rivlerësimit”.

KPA konfirmon gjetjet e KPK për pasurinë

Kolegji ka arsyetuar se të gjitha gjetjet e Komisionit mbi pasurinë e Thanzës qëndronin. Ai ka rrëzuar fillimisht pretendimet e subjektit se disa pasuri që i kishte shitur nuk duhej të ishin kontrolluar dhe se kishte pasur qëndrim të njëanshëm në kontrollin e tyre.

Më tej Kolegji merr një qëndrim që mund të ndikojë edhe në vendime të tjera të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, sa i përket kontratave preferenciale të nënshkruara nga subjektet e rivlerësimit me çmime që rezultojnë nën kosto apo më të lira se çmimet e tregut.

Thanza pretendoi se KPK nuk mund të analizonte “marrëdhënien juridike konsensuale mes individit dhe shoqërisë ndërtuese”, pasi kontrata ishte “akt autentik ligjor, për sa i përket vullnetit, qëllimit dhe mënyrës së lidhjes së saj dhe ka fuqinë e ligjit për palët që e kanë nënshkruar atë (neni 690 i Kodit Civil)”.

Por sipas KPA, ky pretendim vlen vetëm për palët që kanë nënshkruar kontratën dhe jo për të tretët. “Kjo nuk do të thotë që ka fuqinë e ligjit dhe është e padiskutueshme edhe për të tjerët, të cilët nuk janë palë në kontratë,” arsyeton Kolegji. Po ashtu KPA arsyeton se ajo nuk do të thoshte “se çmimet e parashikuara nga palët janë reale”.

Kolegji arsyeton se ishte një fakt i njohur që çmimet e shitblerjeve në kontrata ishin vendosur me marrëveshje të palëve, shpesh për të shmangur pagesën e tatimeve nga shitësi i pasurisë së paluajtshme. “Analiza e marrëdhënies juridike mes subjektit dhe shoqërisë ndërtuese është bërë me të drejtë nga Komisioni, për faktin e çmimit nën kosto të shitblerjes së pasurisë së paluajtshme, objekt i marrëdhënies juridike”, thuhet në arsyetim.

KPA po ashtu rezulton se gjeti të drejtë analizën finaciare që i ishte bërë Thanzës nga KPK dhe vlerësoi ngjashëm me Komisionin të gjitha gjetjet sa i përket pasurive. Sipas Kolegjit deklarimet e Thanzës sa i përket pasurisë kishin qenë të pamjaftueshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *