Gjyqtarja Anila Guri duke dalë nga seanca dëgjimore në KPK | Foto : LSA
Analiza Artikull kryesor Analiza KPK Në Fokus

Mungesa e burimeve financiare ndëshkoi kandidaten për Gjykatë Kushtetuese

Kandidatja për anëtare e Gjykatën Kushtetuese, Anila Guri u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për mungesë të burimeve financiare të ligjshme.

Gjyqtarja Anila Guri duke dalë nga seanca dëgjimore në KPK | Foto : LSA

Në vendimin  e zbardhur për subjektin, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shprehet se gjyqtarja Anila Guri nuk ka arritur nivel të besueshëm për kriterin e pasurisë, pasi nga analiza financiare rezultoi në gjashtë vite me balancë negative në vlerën totale 2.1 milionë lekë.

Nga hetimi u konstatua se bashkëshorti i gjyqtares nuk kishte pasur mundësi financiare për ndërtimin e një shtëpie tre katëshe dhe për blerjen e dy autoveturave – duke regjistrua një balancë negative në vlerën 10 milionë e 640 mijë lekë.

Guri gjithashtu nuk justifikoi me dokumentacion ligjor shpenzimet spitalore për kryerjen e lindjes së djalit në SHBA në vitin 2006.

Ndërkohë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka konstatuar probleme për kriterin e profesionalizimit dhe t pastërtisë së figurës.

Trupa gjykuese që kreu procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Anila Guri përbëhej nga Lulzim Hamitaj kryesues, Alma Faskaj relatore dhe Suela Zhegu anëtare. Më 19 korrik 2019, Komisioni vendosi shkarkimin e gjyqtares Guri, pasi arriti n përfundimin se ajo nuk kishte arritur një nivel të besueshëm të vlerësimit të pasurisë.

Gjyqtarja Anlia Guri(Kristani) e ka nisur karrierën e saj në korrik të vitit 1996 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku shërbeu për më shumë se 23 vite. Ajo kandidoi për një pozicion në Gjykatën Kushtetuese.

Mungesë burimesh për shtëpinë tre kate

Ashtu si edhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI që ka konstatuar probleme në deklarimin e pasurisë së subjektit edhe KPK evidenton shkaqe shkarkuese për gjyqtaren Guri në këtë kriter.

Për një banesë tre kate + një kat bodrum në Tiranë, me sipërfaqe 460 m2, e ndërtuar në truallin në pronësi të bashkëshortit D.G., gjyqtarja Guri ka deklaruar si burim të krijimit të kësaj pasurie të ardhurat e bashkëshortit nga aktiviteti i tij tregtar pas vitit 1990 dhe puna pranë disa institucioneve. Ndërsa ka shtuar se për mobilimin ka kontribuuar edhe ajo vetë. Guri ka deklaruar se vlera e kësaj pasurie së bashku me mobilimin është 6.5 milionë lekë.

Për këtë banesë, që ka filluar së ndërtuari në vitin 1998 dhe aktualisht është në proces legalizimi, Guri ka deklaruar në vitin 2003: truall me sipërfaqe 1000 m2, në vlerën 3 milionë lekë dhe banesë 2 kate + papafingo, në vlerën 7 milionë lekë. Si burim krijimi në këtë deklaratë ka përshkruar: trashëgimi dhe kursime të bashkëshortit, të ardhura nga shitja e një banese në Gjirokastër.

Në vendim thuhet se fillimisht se zyra e Kadastrës Tiranë nuk ka konfirmuar asnjë pasuri të llojit “tokë” apo “truall” në emër të subjektit apo të bashkëshortit të saj. Në vijim, ky institucion ka informuar se kjo tokë ka qenë e regjistruar në emër të bashkëshortit të gjyqtares Guri, ndërsa prona nuk është në sistem. Më pas ka rezultuar se me VKM ishte vendosur kalimi i sipërfaqes ndërtimore, të asaj sipërfaqeje për të cilën subjekti ka deklaruar se e kishte blerë me kontratë shitjeje nga ish-pronarët.

Komisioni konstaton se deklarimi i bërë nga Guri për sipërfaqen e ndërtimit në DPV-në e vitit 2003 (banesë 2 kate + papafingo), është i pasaktë, pasi nuk është deklaruar një kat, i cili, pas shpjegimeve të gjyqtares, ka rezultuar të jetë bodrum.

Për vlerën e ndërtimit, Guri ka shënuar në vitin 2003 vlerën 7 milionë lekë, ndërsa në deklaratën veting shumën 6.5 milionë lekë, duke përfshirë në këtë vlerë edhe mobilimin. “Pra, edhe pse shtohet një kat në deklarim dhe mobilohet, vlera e pasurisë zbret në total me të paktën 500.000 lekë”, shkruhet në vendimin e KPK. Vlerën 7 milion lekë Guri e ka deklaruar edhe në ILDKPKI në vitin 2013 gjatë procedurës së kontrollit.

Gjyqtarja Guri ka shpjeguar para Komisionit se nuk ka pasur një informacion të saktë lidhur me vlerën reale të shpenzuar për ndërtimin e shtëpisë, duke pohuar se është ndërtuar prej bashkëshortit dhe se ai asnjëherë nuk ka disponuar një kontratë sipërmarrje apo porosie të lidhur me shkrim. Në vendim thuhet se subjekti ka bashkëngjitur një akt-ekspertim lidhur me vlerën e këtij ndërtimi dhe ka sqaruar se eksperti ka përcaktuar se shuma totale e kostos së ndërtimit të banesës është afërsisht 5 milionë e 400 mijë lekë.

Për të përllogaritur vlerën e ndërtimit të banesës tre kate + një kat bodrum, Komisioni është bazuar në kostot mesatare të ndërtimit sipas Entit Kombëtar të Banesave, për vitin 2000 që ka qenë 24.780 lekë/m2.  “…Për rrjedhojë, vlera referuese më e përafërt e ndërtimit të banesës me sipërfaqe 460 m2 të pasqyruar nga gjyqtarja Guri në deklaratën veting do të ishte 11.398.800 lekë”, shprehet Komisioni, i cili çmon se gjyqtarja Guri ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me vlerën e shtëpisë.

KPK evidenton deklarime të ndryshme edhe lidhur me burimin e ligjshëm të krijimit të kësaj pasurie. Në vendim thuhet se gjyqtarja Guri në vitin 2003 ka shënuar të ardhura nga shitja e një banese në Gjirokastër dhe të ardhura familjare, ndërsa në deklaratën veting ka deklaruar si burim të ardhurat e bashkëshortit të fituara nga aktiviteti i tij tregtar pas vitit 1990 dhe puna pranë disa institucioneve. “Në deklaratën veting hiqet burimi nga ‘shitja e një banese në Gjirokastër’, si dhe ‘kursime’”, konstaton Komisioni.

Komisioni çmon se, duke qenë se kjo pasuri është krijuar nga bashkëshorti para lidhjes së martesës, burimet duhet të vlerësohen rast pas rasti. Si burim krijimi të kësaj pasurie, bashkëshorti i gjyqtares Guri ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga aktiviteti tregtar me kambizëm në qytetet e Shkodrës, Durrësit dhe Tiranës, për periudhën 1990 – 1992; nga aktiviteti tregtar bar-kafe (disko) në një objekt të marrë me qira pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe shitje automjetesh të përdorura në periudhën 1990 – 2000, në vlerën totale rreth 10 milionë lekë.

Si burime janë deklaruar edhe të ardhurat nga shitja e një trualli 500 m2 në vitin 1998 në shumën 1.5 milionë lekë; të ardhura nga puna pranë Drejtorisë së Policisë Shkodër nga shtatori i vitit 1994 – mars të vitit 1995; nga puna pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për periudhën nga prilli i vitit 1995 – mars të vitit 1999 në shumën 576.772 lekë dhe të ardhura nga puna pranë Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Krujë, nga korriku i vitit 2002 — prill të vitit 2004 në vlerën 585.641 lekë.

Por nga hetimi ka rezultuar se gjyqtarja Guri dhe bashkëshorti i saj, nuk kanë ushtruar asnjë aktivitet tregtar në periudhën e ndërtimit të shtëpisë dhe as kanë zotëruar aksione apo kuota në ndonjë subjekt tregtar sh.a., apo sh.p.k.

“Pas analizës së burimit të ligjshëm për krijimin e kësaj pasurie, në vlerësim të dokumentacionit të personit të lidhur, rezultoi se bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit nuk ka pasur burim të ligjshëm të mjaftueshëm për krijimin e likuiditeteve për ndërtimin e kësaj banese”, citohet në vendim.

Komisioni ka arritur në konkluzionin se lidhur me këtë pasuri gjyqtarja Guri ka bërë deklarim të pasaktë për pjesën që zotëron; për sipërfaqen e ndërtimit dhe vlerën e objektit në deklaratën periodike të vitit 2003 dhe se ka mungesë të burimeve të ligjshme në shumën -10.640.188 lekë.

“Lidhur me konkluzionin e fundit dhe në përmbyllje të analizës së kësaj pasurie, Komisioni e gjen me vend të specifikojë faktin që, edhe sikur të merrej në konsideratë pretendimi i subjektit të rivlerësimit lidhur me referencën e kostos së ndërtimit të objektit në fjalë – duke e konsideruar (koston e ndërtimit) në shumën prej 5.400.000 lekësh, aq sa eksperti i zgjedhur nga vetë subjekti e ka përcaktuar – gjithsesi do të konstatohej një mungesë e burimeve financiare të ligjshme prej rreth 4.640.000 lekësh, për krijimin e kësaj pasurie”, citohet në vendim.

Pamundësi për blerjen e dy makinave

Komisioni gjithashtu ka arritur në përfundimin se gjyqtarja Guri nuk ka pasur mundësi financiare për blerjen e një autoveture tip “Golf Volskwagen”, blerë në  mars të 2010-ës në vlerën 500 mijë lekë, për të cilën ka deklaruar si burim të ardhurat e krijuara nga puna e saj dhe e bashkëshortit. Pavarësisht se KPK konstaton se Guri e ka deklaruar saktë këtë pasuri, nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në vlerën 152.509 lekë.

“Lidhur me pretendimin e realizimit të të ardhurave nga vetëpunësimi i bashkëshortit në shumën 1.152.000 lekë, Komisioni çmon se ato kanë mbetur në nivel deklarativ, për sa kohë subjekti i rivlerësimit nuk paraqiti prova bindëse për sa ka pretenduar”, citohet në vendim.

Gjyqtarja dhe bashkëshorti i saj janë gjetur në pamundësi financiare edhe për blerjen e një autoveture tjetër tip “Mercedes Benz” në maj të vitit 2016 në vlerën 7 mijë euro, si burim krijimi i së cilës janë deklaruar edhe në këtë rast të ardhurat nga puna e tyre.

Deklarimet e gjyqtares Guri se për blerjen e Benzit ka shërbyer edhe shitja e një automjeti tip “Land Rover” në vitin 2016 nuk e kanë bindur Komisionin, pasi ka rezultuar se kjo shitje është kryer më datë 14 shtator 2016, ndërsa autovetura tip “Mercedes Benz” është blerë disa muaj më parë, më datë 20 maj 2016. “Rezulton se të ardhurat e përfituara nga shitja e automjetit tip ‘Land Rover’ nuk mund të kenë shërbyer si burim për blerjen e automjetit tip ‘Mercedez Benz’”, theksohet në vendim.

Komisioni nuk ka konsideruar as deklarimet e tjera të Gurit se një pjesë e parave janë parapaguar, kurse pjesa tjetër është dhënë në momentin e lidhjes së kontratës, pasi sipas trupës gjykuese, nuk u paraqit asnjë provë shkresore në mbështetje të këtyre pretendimeve.

Sipas Komisionit, Guri dhe personat e lidhur me të nuk kanë pasur burime të ligjshme për blerjen e këtij mjeti në shumën 192.189 lekë.

Gjashtë vite me balanca negative

Nga analiza financiare e kryer prej KPK ka rezultuar se gjyqtarja Guri dhe personat e lidhur me të nuk kanë pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për të justifikuar shtesën në kursimet gjatë periudhës 2006 – 2016, konkretisht për vitet 2006, 2009, 2011, 2012, 2014 dhe 2015, duke rezultuar me një bilanc negativ në vlerën totale – 2.131.883 lekë.

Në vendim identifikohet deklarim i paplotë, nga ana e gjyqtares, i shpenzimeve spitalore për lindjen e djalit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2006. Komisioni i ka kërkuar gjyqtares Guri shpjegime dhe dokumentacion ligjor provues lidhur me këto shpenzime, ndërkohë që ajo ka deklaruar se nuk kishte pasur shpenzime lidhur me kujdesin shëndetësor në SHBA, pasi ishin mbuluar nga xhaxhai i bashkëshortit. Guri ka sqaruar se kishte kryer shpenzime vetëm për udhëtimin.

“Subjekti nuk depozitoi dokumentacion ligjor të plotë lidhur me marrëdhënien me spitalin ku ajo ka lindur, detyrimet financiare ndaj tij dhe subjektin që ka përballuar shpenzimet spitalore”, thuhet në vendim ku shtohet se për këtë arsye, në analizën financiare të vitit 2006, janë përfshirë vetëm shpenzimet udhëtimit.

Sipas Komisionit, subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të nuk kanë burime të ligjshme financiare të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e kryera në vitin 2006, në shumën 434.268 lekë.

Komisioni evidenton mungesë të burimeve të ligjshme në vlerën 121.764 lekë edhe për çeljen e një depozite me afat 1 vjeçar në vitin 2015 në shumën 2 milionë lekë.

Ndërkohë, KPK nuk identifikon probleme lidhur me një dhuratë në vlerën 500 mijë lekë dhe hua në shumën 570 mijë lekë, që shtetasi L.T., i ka dhënë bashkëshortit të gjyqtares Guri në vitin 2013.

Guri ka shpjeguar se shuma 280 mijë lekë ishte marrë hua nga bashkëshorti pasi ai do të kryente një kontroll mjekësor jashtë shtetit që nuk e ka realizuar më pas, ndërsa vlerën 290 mijë lekë për të paguar një tarifë me qëllim marrjen pjesë një procedurë përmbarimore nga e cila është hequr dorë.

Në vendim thuhet se me një deklaratë të thjeshtë të vitit 2016, L.T. deklaron se i ka dhuruar bashkëshortit të gjyqtares dy shumat e dhëna hua në vlerë totale në vlerën 570 mijë lekë. Ndërkohë, Komisioni ka gjetur se në deklaratën periodike të vitit 2013, subjekti i rivlerësimit ka deklaruar detyrimin sipas të dyja kontratave, por nuk ka dhënë asnjë specifikim mbi qëllimin e detyrimit financiar. Po në këtë deklaratë periodike, Guri ka deklaruar se po i njëjti person ka bërë një dhurim në vlerën 500 mijë lekë të cilat i ka derdhur në llogarinë bankare të bashkëshortit të saj. “Unë nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë lloj marrëdhënieje me shtetasin L. T. . …Dhuruesi kishte dëshirë t’ia dhuronte bashkëshortit tim këto shuma dhe mundësitë e tij ekonomike ia lejonin këtë gjë”, ka deklaruar gjyqtarja Guri para Komisionit.

KPK konstaton se dhuruesi ka pasur burime të ligjshme për dy vlerat dhe se dhurata dhe huaja nuk janë përdorur për blerje pasurie, por janë shuma të depozituara në sistemin bankar, për të cilat janë përfituar interesa nga bashkëshorti i gjyqtares. “Subjekti i rivlerësimit nuk ka dhënë shpjegime bindëse mbi shkaqet që kanë sjellë këtë situatë”, thuhet në vendim ndërkohë që konkludohet se në vitin 2013 nuk ka pasur balancë negative financiare.

Komisioni është tërhequr nga dyshimet e ngritura gjatë seancës dëgjimore për fshehjen e një shtëpie 90 m2 në Velipojë që rezulton në emër të nënën së gjyqtares Guri. Pasi është njohur me gjithë shpjegimet dhe provat e subjektit, Komisioni është bindur se nëna e gjyqtares ka pasur mundësi financiare për ndërtimin e kësaj shtëpie në fshatin Pulaj në Velipojë, e cila është përdorur nga bashkëshortët Guri. Por, KPK konstaton se gjyqtarja Guri duhej ta kishte pasqyruar përdorimin e kësaj pasurie edhe gjatë periudhës 2007-2016 dhe jo vetëm në deklaratën veting.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *