Konflikti i interesit vulosi shkarkimin e prokurorit Arben Pasho nga KPK
Analiza

Konflikti i interesit vulosi shkarkimin e prokurorit Arben Pasho nga KPK

Marrja 14 mijë eurove hua nga një biznesmen ndaj të cilit, ai vetë dhe prokuroria që drejtonte, kishin pushuar hetimet për akuzat “pastrimit të parave”, “ndërtimit të paligjshëm” dhe “shpërdorimit të tokës”, penalizoi prokurorin e Gjirokastrës Arben Pasho. KPK arsyetoi se ai kishte “cënuar besimin e publikut te drejtësia”. 

Drejtuesi i Prokurorise se Gjirokastres, Arben Pasho pas seances degjimore ne KPK.

Pavarësisht se Komisioni i Pavarur i Kualfikimit, KPK nuk ka gjetur probleme shkarkuese në secilin prej komponentëve rivlerësues për drejtuesin e Prokurorisë së Gjirokastrës, Arben Pasho, në përfundim ka konkluduar se “duke i konsideruar në tërësi, ato cënojnë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë”. Trupa gjykuese e KPK-së e përbërë nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Olsi Komici relator dhe Roland Ilia anëtar, vendosi më datë 16 maj 2019 shkarkimin nga detyra të prokuorit Arben Pasho.

Prokurori Arben Pasho drejtonte Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër që prej vitit 2011 deri në vendimin e shkarkimit të të tij nga detyra prej KPK-së, më 16 maj të vitit 2019. Më parë ai ka punuar si prokuor edhe në Sarandë e në Tepelenë. Pasho ju nënshtrua procesit të vetingut në të tri kriteret, duke u vlerësuar pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa u evidentuan problematika për profesionalizimin dhe pasaktësi në atë të pasurisë.

Konflikti i interesit

Vendimi i zbardhur sëfundmi tregon se një detyrim financiar, në shumën 14,000 euro, ndaj biznesmenit I.M., me qëllim pagesën e tarifës së shkollimit të djalit, ka penalizuar prokurorin Arben Pasho. Në këtë rast Komisioni e ka gjetur në kushtet e konfliktit të interesit, pasi ka qenë i hetuar tri herë nga organi i akuzës që drejtohej në atë periudhë prej subjektit ku në një rast nga vetë ai.

Në vendim thuhet se Pasho ka deklaruar se e ka marrë shumën 14 mijë euro nga biznesmeni I.M., pasi më datë 23 gusht 2016 do të paguante nga llogaria e vet në numrin e llogarisë të një Universiteti në Hollandë, këtë vlerë për studimet “master” të djalit të tij O.P.

Nga hetimi ka rezultuar se kjo hua është shlyer nëpërmjet llogarisë bankare me burim të ardhura nga një kredi dy vjeçare në vlerën 1 milion lekë dhe të ardhura të tjera familjare. Komisioni, ka konstatuar se shtetasi I.M., ka pasur mundësi financiare me burime të ligjshme për të dhënë huan prokurorit Pasho se veprimet janë kryer përmes sistemit bankar.

“Referuar faktit se gjatë hetimit ka rezultuar se shtetasi I.M., dhe subjekti i rivlerësimit, z. Arben Pasho, kanë njohje të hershme mes tyre dhe marrëdhënie miqësore, e provuar kjo edhe me faktin e marrëdhënies së huas në vitin 2016 nga shtetasi I. M.…, …Komisioni ka vendosur të hetojë lidhur me raste të mundshme të konfliktit të interesit të subjektit të rivlerësimit me shtetasin I. M..”, citohet në vendimin e KPK.

Komisioni ka administruar tri dosje në ngarkim të biznesmenit I.M., të cilat ka rezultuar se  janë pushuar. Ndonëse KPK konkludon në fund të hetimit se nuk janë gjetur prova që miqësia mes tyre ka ndikuar në vendimarrje, konflikti i interesit duhej të ishte shmangur dhe deklaruar.

Kështu, në vitin 2014, ndaj I.M., si përfaqësues ligjor i dy shoqërive është hetuar për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Më datë 30 dhjetor 2014 nga prokurori i çështjes P.D. është vendosur pushimi i procedimit penal në ngarkim të tij dhe Pasho, në cilësinë e drejtuesit të prokurorisë, ka miratuar këtë vendim duke ia njoftuar palëve të interesuara.

Në vitin 2015 ndaj I.M. është kryer kallëzim për veprën penale të “ndërtimit të paligjshëm”. Në këtë rast, prokurori i çështjes, Gj.F. ka vendosur mosfillimin e hetimeve gjë që është miratuar edhe nga drejtuesi Pasho.

Ndërsa kallëzimi i datës 19 gusht 2015, ndaj shtetasit I.M., si përfaqësues ligjor i dy shoqërive për “shpërdorim të tokës” është hetuar nga vetë prokurori Arben Pasho, njëkohësisht edhe në cilësinë e drejtuesit të prokurorisë, i cili më datë 24 gusht 2015 ka vendosur mosfillimin e procedimit penal.

“Komisioni, referuar faktit se nga shtetasi I.M., është deklaruar njohja 26-vjeçare me subjektin e rivlerësimit, pasuar kjo nga fakti i dhënies hua subjektit të shumës prej 14,000 euro, deklarimit nga subjekti të një udhëtimi të djalit të tij me ftesë të shtetasit I.M., në Francë në vitin 2016, me automjetin e këtij të fundit, krijon bindjen se subjekti ka lidhje shoqërore dhe interesi me shtetasin I.M.”, citohet në vendimin e KPK-së.

Komisioni konstaton se lidhur me hetimin e tri çështjeve të sipërcituara, nuk është evidentuar ndonjë kërkesë drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, apo urdhër ose udhëzim për të vlerësuar një situatë të mundshme konflikti interesi.

KPK vlerëson se Pasho, në momentin që i ishte caktuar të hetonte çështjen, ku personi i proceduar ishte shtetasi I.M., duhej të deklaronte situatën e konfliktit të interesit.

Pasho është mbrojtur duke pohuar se shtetasin I.M., e njihte që prej vitit 1993 si banor të Gjirokastrës dhe se kishte pasur gjithmonë marrëdhënie korrekte me të dhe se; në asnjë rast nuk kishte pasur raporte të tilla që ta kushtëzonin në ushtrimin e detyrës si prokuror në lidhje me problematikat që mund të kishte ky person apo që mund të dilnin.

Komisioni, konkludon se prokurori Pasho dhe shtetasi I.M., kanë pasur njohje të hershme dhe lidhje miqësore dhe interesi. “Pavarësisht këtij fakti, subjekti i rivlerësimit ka hetuar në një rast drejtpërdrejt kallëzimin penal ndaj shtetasit I. M. (në vitin 2015) dhe në dy raste të tjera (vitet 2014 dhe 2015) në cilësinë e drejtuesit të institucionit, dhe ai nuk ka ndërmarrë asnjë nga veprimet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për ndodhjen në situata të mundshme apo faktike të konfliktit të interesit”, thuhet në vendim.

Komisioni konsideron se nga vlerësimi i materialeve në dosje, nga shpjegimet Pashos dhe rezultatet e hetimit nuk është vërejtur ndonjë rrethanë që favorizon drejtpërdrejt shtetasin I. M. dhe nuk është provuar ndonjë ndikim i mundshëm i subjektit të rivlerësimit në këto procedime penale. Por, pavarësisht këtij fakti Komisioni vlerëson se marrëdhënia mes subjektit të rivlerësimit dhe biznesmenit I.M., veçanërisht ajo e huas në vitin 2016, në tërësinë e saj, nuk është një marrëdhënie korrekte, pasi ajo vë në dyshim veprimtarinë profesionale të subjektit të rivlerësimit dhe cënon besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.

Problemet në dosje

Ndërkohë, nga pesë dosjet e shortuara janë vërejtur problematika në dy prej tyre. Për një kallëzim penal të 12 dhjetorit 2013 për veprat penale “pushtim toke” dhe “kanosje”, për të cilin është vendosur mosfillimi i procedimit penal në datën 27 dhjetor të po atij viti, Komisioni konstaton se në vendimin për mosfillimin e procedimit penal të marrë nga Pasho, nuk gjendet i pasqyruar fakti i veprës penale “kanosje”; akti i njoftimit të vendimit të mosfillimit të procedimit penal nuk ka datë se kur është njoftuar.

Gjithashtu, është konstatuar edhe se akti i njoftimit të vendimit të pushimit tek emri “prokurori i rrethit Arben Pasho”, nuk është nënshkruar nga ai, por te nënshkrimi ka një gërmë (P/), që sipas KPK-së, do të thotë se ky akt është nënshkruar nga një person i autorizuar për të cilin nuk u gjet ndonjë akt delegimi.

Në vendim thuhet se Pasho nuk ka dhënë shpjegime lidhur me nënshkrimin dhe pretendon se mangësitë proceduriale kanë ardhur si pasojë e neglizhencës së sekretarisë së prokurorisë. Ndëra për gjetjen tjetër, Pasho është shprehur se: “….veprimi i kanosjes ishte verbal dhe nuk kishte prova reale për t’u diskutuar. Ishte debat mes palëve pa dëshmitarë të pranishëm… dhe në këto rrethana kam çmuar se nuk kishte elementë të veprës penale të kanosjes”.

Ndërkohë, komisioni ka evidentuar zgjatje të hetimeve më shumë nga sa është e parashikuar në ligj në një dosje të regjistruar më datë 22 tetor 2013 për veprën penale “organizimi i llotarive të palejuara”, për të cilën është vendosur pushimi i procedimit penal në datën 17 prill 2014. Në vendimin e KPK thuhet se në dosjen në fjalë mungon vendimi për zgjatjen e afateve të hetimit dhe se në vendimin e pushimit nuk evidentohet fakti që personi ndaj të cilit janë zhvilluar hetime ka ndryshuar dëshminë e tij gjatë pyetjes nga Oficeri i Policisë Gjyqësore. Gjithashtu, Komisioni konstaton se njoftimi është kryer më datë 19 mars 2015, jashtë afatit të përcaktuar ligjor.

Denoncimet nga publiku

Ndaj prokuorit Pasho, janë depozituar pranë KPK-së 14 denoncime nga publiku, ku janë identifikuar problematika vetëm në tri prej tyre.

KPK ka verifikuar denoncimet e A.S dhe një gruaje me inicialet L.P. I pari ankohet ndaj për zvarritje të çështjes hetimore deri në 4 vjet “me qëllim mbrojtjen hapur të  falsifikimit dhe përdorimit të dokumenteve të falsifikuara”.

Ndërsa në rastin e dytë L.P. është ankuar se Pasho, ka pushuar çështjen e saj padrejtësisht dhe nuk ka studiuar dosjen duke vendosur pushimin e çështjes penale ndërkohë që asaj i ishte dërguar fletëthirrja nga gjykata se ishte dërguar për gjykim nga prokurori.

Komisioni, konstaton se Pasho, me cilësinë e drejtuesit të prokurorisë, ka mbajtur qëndrime të ndryshme sa i përket të njëjtës çështje, ndërsa nuk ka bërë vendim për pushimin e njërës çështje.

“Në cilësinë e drejtuesit të prokurorisë, subjekti nuk është thelluar për sa i përket hetimeve të kësaj çështjeje, pasi janë miratuar dy herë dy vendimet e pushimit të procedimit, atij të datës 17.1.2013 dhe të datës 7.9.2015, vendime këto të dy të prishura nga gjykata për hetime të mëtejshme që duhen bërë prokuroria”, evidenton KPK.

Sipas Komisioni, pas analizimit të dokumentacionit në dosje dhe shpjegimeve të prokurorit Pasho, rezulton se veprimet e këtij të fundit janë ndërmarrë pa kryer një analizë të thelluar profesionale që do të justifikonte vendimmarrjen dhe në mënyrë impulsive, duke konsideruar se nuk përkon me etikën e tij si prokuror.

Ngjashëm u gjetën shkelje edhe në dosje e dytë. KPK thotë se justifikimi i Pashos që këto ishin probleme të sekretarisë nuk qëndronte pasi ai nuk kishte marrë masa për këtë.

“Subjekti, në cilësinë e drejtuesit të prokurorisë, nuk rezultoi të ketë ndërmarrë ndonjë veprim parandalues apo masë disiplinore në ngarkim të punonjësve të sekretarisë së prokurorisë për shkelje të ndryshme administrativo-ligjore”, thuhet në vendim.

Në përfundim të vlerësimit për aspektin profesional, Komisioni identifikon si problematikë kryesore konfliktin e interesit. “Në lidhje me situatën e konfliktit të interesit konstatohet se të paktën në një rast subjekti i rivlerësimit ka vepruar në kushtet e konfliktit të interesit”, thuhet në vendim.

Pasuria

Në lidhje me vlerësimin e pasurisë së prokurorit Arben Pasho, konstatohen disa pasaktësi në deklarim dhe një mosdeklarim i pjesës takuese në një pasuri të paluajtshme.

Komisioni konstaton se Pasho nuk e ka pasqyruar në deklaratat e pasurisë për vitet 2003-2016 si dhe në deklaratën veting pjesën e tij dhe të bashkëshortes në bashkëpronësi në një apartament me sipërfaqe 76 m2 e ndodhur në qytetin e Vlorës, por njëkohësisht konkludon se mosdeklarimi i kësaj pasurie nuk rezultoi të jetë i qëllimshëm, pasi ata e kanë dhuruar pjesën e tyre në bashkëpronësi të familjarëve të cilët realisht kanë banuar në atë pronë, pa kundërshpërblim.

Lidhur me kriterin e pasurisë, në vendim thuhet se: “trupi gjykues, mbështetur në parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit arrin në përfundimin se këto problematika nuk përbëjnë shkak të mjaftueshëm shkarkimi”.

Prokurori Arben Pasho u vlerësua pozitivisht për kriterin e pastërtisë së figurës, pasi nuk u konstatuan kontakte të papërshtatshme me persona me lidhje me krimin e organizuar.

Por, në përfundim, Komisioni ka vendosur shkarkimin e prokuorit Arben Pasho.  Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në vlerësimin e përgjithshëm të tri kritereve, në unanimitet arrin në përfundimin se pavarësisht se “nuk u vlerësua që problematikat e konstatuara për secilin komponent përbëjnë më vete shkak për shkarkim nga detyra, duke u analizuar në tërësinë e tyre, në vlerësim të Komisionit, konsiderohet se subjekti i rivlerësimit ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia me veprimet dhe mos veprimet e tij”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *