Analiza Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Dosjet me hetime të paplota dhe kontratat fiktive me pasurinë penalizuan Trenovën

Vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit tregon se dy raste hetimesh të paplota-njëra prej të cilave ndaj një prokurori të akuzuar për korrupsion dhe deklarimet e rreme dhe fiktive të pasurisë janë arsyet e shkakimit të prokurorit Gentian Trenova nga detyra.

Prokurori i Apelit, Gentian Trenova dhe avokati i tij para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: L.Çela

Prokuroria e Përgjithshme dërgoi në fillim të janarit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit vlerësimin profesional të prokurorit Gentian Trenova, duke vlerësuar atë “Shumë mirë” në të gjitha kategoritë. Por Komisioni, pasi shqyrtoi dy dosje të zgjedhura me short të hetuara nga Trenova e gjeti atë të “papërshtatshëm”, duke konstatuar se i vlerëson cilësitë e tij të papranueshme në punë, një gjykim të dobët, dhe një mënyrë pune që nuk pajtohet me pozicionin e tij.

Trenova është nga të paktat raste shkarkimi, kur hetimet e KPK kanë shkuar deri në vlerësimin profesional, pasi pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar e kanë pësuar kryesisht nga pamundësia për të justifikuar pasurinë dhe për disa prej tyre janë gjetur “kontakte të papërshtatshme”.

Sipas vendimit të zbardhur të KPK, i publikuar së fundmi, Trenova është penaliziuar nga pushimi i hetimeve për një rast të dyshuar për pasuri të paligjshme në Gjirokastër dhe pushimin e hetimeve për një koleg prokuror, të dyshuar për marrje rryshfeti. KPK thotë se gjeti në të dyja rastet se Trenova nuk kishte kryer hetime të plota. Trenova u mbrojt duke thënë se në rastin e parë, kallëzimi nga policia nuk kishte qenë i plotë, ndërsa në rastin e dytë, “hetimet e kryera në momentin e marrjes së vendimit të pushimit kishin qenë të plota”.

Trenova po ashtu u mbrojt se vendimet e tij ishin miratuar nga drejtuesi i prokurorisë, por në të dyja rastet, KPK e gjeti këtë arsyetim të pabazë, duke thënë se përgjegjësia për hetimet i takonin prokurorit që i kryente ato dhe se qëndrimi i drejtuesit ishte i parëndësishëm.

Prokurori sidoqoftë u gjet me një mori problemesh edhe në deklarimin e pasurisë. Në vendimin e zbardhur, KPK shprehet se ai nuk kishte qenë në gjendje të justifikonte pasuritë, kishte bërë deklarim të rremë, kishte ndërmarrë veprime fiktive, kishte pamjaftueshmëri të ardhurash për blerjen e një apartamenti, mungesë burimi të ardhurash në vitin 2007, kishte mosdeklarim të gjendjes së parave kesh e të ngjashme.

Trenova hasi vështirësi t’i justifikonte veprimet e tij gjatë seancës dëgjimore, ndërsa u vendos në pozitë kur përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs e pyetin nëse kishte fshehur pasuri. “Ju duhet të zgjidhni,  ose keni bërë kontratë të fshehtë ose keni bërë një kontratë të rreme. Dhe kjo tregon se ligjshmëria dhe kredibiliteti juaj është i ulët,” deklaroi  Jacobs.

Trenova u bë pjesë e listës prioritare të vetingut, për shkak të zgjedhjes së tij si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ai mbaroi Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2002 dhe në vitin 2005 u emërua prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë e më pas në Apel.

Dosjet e pushuara

Pasi fillimisht konfirmoi raportin e Drejtorisë së Sigurimit të informacionit të Klasifikuar (DSiK) sipas të cilit Trenova nuk kishte kontaktet të papërshtatshme, KPK i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme vlerësim për profesionalizmin e prokurorit. Raporti i Prokurorisë ishte me nota shumë pozitive. Aty thuhet se në vitet 2014, 2015 dhe 2016 Prokurori i Përgjithshëm kishte vlerësuar subjektin me notën “shumë mirë”. Po ashtu, edhe pas shqyrtimit të pesë dosjeve të zgjedhura me short ai u vlerësua shumë mirë për njohuritë ligjore, arsyetimi ligjor, aftësia për të përballuar ngarkesën në punë, aftësia për të kryer procedurat hetimore, aftësia për të administruar dosjet e të ngjashme, po ashtu u vlerësua shumë mirë në etikë, integritet, paanësi dhe për bashkëpunimin e aftësi të tjera profesionale.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, Trenova kishte marrë gjithmonë vlerësimin “shumë mirë” edhe në vlerësimet e mëparshme të Prokurorit të Përgjithshëm. “Dosjet e prokurorit Trenova rezultojnë që përmbajnë të gjitha aktet e hetimeve paraprake”, thuhet në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Por në të njëjtat dosje të përzgjedhura me short, për të cilat Prokuroria e Përgjithshme vlerësoi shumë mirë, hetimi i pavarur i KPK gjeti dy me probleme. Një prej tyre kishte të bënte me hetimin e një kolegu prokuror me inicialet A.K pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i cili ishte kallëzuar për korrupsion dhe rezultoi në një përgjim të një personi të hetuar për trafikim qeniesh njerëzore se kishte marrë para për të mbyllur çështjen ndaj një personi të akuzuar për dy aksidente në të cilat ai kishte përplasur këmbësorë.

Sipas vendimit të zbardhur, ndërsa prokuroria po përgjonte një të dyshuar për trafik personash, ky i fundit kishte marrë një mesazh nga një person i dytë i cili thoshte se edhe pse kishte paguar 4500 euro, çështja ndaj tij mund të rihapej nga një prokuror tjetër.

“Betohem që i kam dhënë prokurorit 4.500 euro në dorë dhe që ai e kishte mbyllur çështjen, por një tjetër e kish rihapur atë, meqenëse personi që godita kërkoi për një rihapje të çështjes…”, thuhet në SMS e përgjuar.

Pas kësaj, prokurorja M. K., vendosi të niste hetimet për veprën penale të “Korrupsionit aktiv dhe pasiv” me të dyshuar një të ri të akuzuar për aksidentet dhe një prokuror të panjohur. Ajo e mbajti dosjen për një vit dhe më pas u zëvendësua nga prokurorja E. M., të cilën drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda e zëvendësoi me Gentian Trenovën.

Ky i fundit, siç del nga vendimi i zbardhur, fillimisht kërkoi zgjatje të hetimeve për dy muaj dhe pastaj vendosi mbylljen e hetimit “duke argumentuar se në rastin konkret nuk ekzistojnë elemente të veprave penale për të cilat është regjistruar ky procedim penal”.

KPK thotë se vendimi i pushimit u mor se edhe pse gjatë marrje në pyetje, i dyshuari për aksidentet dhe për dhënien e rryshfetit kishte pranuar se kishte bërë pagesën në prani të të atit. Babai i tij e mohoi këtë dhe i dyshuari ndryshoi qëndrim më vonë. Prokuroria nga ana tjetër duhej të vërtetonte nëse kishte pasur apo jo kontakt mes prokurorit dhe të hetuarve. Por për dy vjet, ndërsa verifikuan dhe kontrolluan telefonin e të riut të dyshuar, prokurorët e çështjes nuk verifikuan nëse kolegu i tyre kishte pasur kontakte me babanë e të dyshuarit.

Trenova ishte sidoqoftë ai që mbylli dosjen duke i quajtur hetimet të përfunduara. KPK thotë se ky vendim nuk ishte i drejtë. “Duhet të ishin verifikuar më tej në mënyrë që të përcaktohej kontakti i mundshëm midis personit nën hetim dhe secilit prej prokurorëve, të cilët kanë trajtuar çështjet kundër shtetasit”, thuhet në vendimin e KPK.

KPK gjeti se prokurorja para Trenovës kishte lënë një listë detyrash, të cilat trupi gjykues thotë se ai nuk i ka kryer. Aty kërkohej të merrej në pyetje prokurori i përmendur, të hetoheshin numrat telefonikë të tij dhe babait të të riut, të verifikohej deklarimi i personit nën hetim në lidhje me autoveturën, e cila ishte në përdorim nga prokurori i dyshuar për korrupsion.

KPK thotë se në dosje nuk u evidentua që këto veprime ishin kryer. “Po kështu, në fashikullin e akteve të dosjes së procedimit penal mungonte tërësisht çdo lloj veprimi procedural për të kaluar prokurorin A. K., si person nën hetim pasuror, me qëllim që ndaj tij dhe personave të tjerë të përfshirë (A. L. dhe A.L./babai) të kryhej hetim pasuror (me përjashtim të verifikimit nga regjistri i automjeteve)”, thuhet në vendim.

Aty theksohet se megjithëse në dosje dilte që prokurori kishte pasur komunikim me babanë e personit nën hetim, telefoni i këtij të fundit nuk ishte verifikuar.  “Trupi gjykues konkludoi se nga ana e subjektit të rivlerësimit ishte kryer një hetimi i paplotë, si dhe nuk ishin mbledhur të gjitha provat e kërkuara, për qartësimin e rrethanave të aktit korruptiv”, vendosi KPK.

Trenova u mbrojt duke thënë se hetimi kishte qenë i plotë dhe se kishte zgjatur një vit e gjysëm, se ishin marrë parasysh veprimet hetimore të kryera deri në atë fazë. “Hetimi ka qenë i shtrirë jo vetëm në kohë, por edhe në dinamikën e mjeteve dhe metodave të hetimit në funksion të një qëllimi të vetëm”, i shkroi Trenova KPK-së. Sipas tij, vendimi i  pushimit ishte marrë pasi oficeri i Policisë Gjyqësore, i ngarkuar me hetimin, kishte relatuar se hetimet ishin të plota dhe ndaj hetimet duhen pushuar. Ai kundërshtoi gjetjen e KPK-së, duke thënë se ishin verifikuar tabulatet e komunikimeve të babait të të dyshuarit dhe se po ashtu “kur ishte ngarkuar për hetimin e çështjes, ishin pothuaj realizuar veprimet hetimore që mund të realizoheshin”.

Por duke iu referuar kësaj dosje, KPK i rrëzoi pretendimet e tij duke vënë në dukje se kur pushoi hetimet ai nuk kishte kryer as veprimet hetimore që i kishte caktuar vetes, kur vendosi t’i shtynte ato me disa muaj.

Dosja e dytë tek e cila KPK gjeti probleme Trenovës ishte vendimi për të mos filluar hetimin pasuror për një person të kapur me 100 kilogramë hashash dhe një pistoletë pa leje në Greqi. Trenova kishte arsyetuar se pasuria ishte vendosur para kohës së ndalimit të tij si i përfshirë në aktivitet kriminal dhe konsideroi atë jo domedhënëse. “Nga shqyrtimi i të dhënave të mbledhura, nuk kishte rezultuar që shtetasi V. L., ose personi i lidhur me të, të ketë në pronësi ndonjë pasuri tërësisht të pajustifikuar, e cila mund të konsiderohet si e ardhur nga veprimtari të paligjshme”, citohet vendimi i Trenovës.

Por KPK, duke u nisur nga kallëzimi i policisë e cila pretendonte se kishte të dhëna për prona të parregjistruara dhe llogari bankare, gjeti gjatë shqyrtimit të dosjes se hetimet e prokurorit nuk kishin qenë të plota. KPK thotë se në dosjen penale mungonte “verifikimi i plotë i pasurive, aseteve dhe likuiditeteve në bankë të shtetasit në hetim”. Po ashtu ne dosje mungonte verifikimi i historikut tregtar apo aksioneve e transaksioneve të ngjashme dhe mungon hetimi i veprimeve noteriale për investime në pasuri të paluajtshme. “ Nuk rezulton arsyetimi i plotë, analitik dhe logjik në vendim i të gjitha të dhënave që rezultuan nga veprimet procedurale të hetimit pasuror paraprak nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër”, thotë KPK.

Trenova është mbrojtur duke thënë se referimi i policisë nuk ishte plotë pasi të dhënat kishin ardhur vetëm për një shtëpi të vogël me vlerë të ulët, se procedurat e fillimit të hetimit pasuror nuk ishin parashikuar qartë. Ai thotë se ligji “kërkonte që hetimi të bazohej edhe kur nga hetimet e bëra kishte dyshime të besueshme dhe jo supozime, për pasuri të vendosura gjatë veprimtarisë kriminale”. Duke thënë se në këtë rast mungesa e të dhënave do të çonte vetëm në një hetim formal.  Ai po ashtu tha se “edhe nga drejtuesi i Prokurorisë, është konstatuar rregullsi në vendimmarrje”.

Megjithatë KPK nuk i gjeti të plota arsyetimet. Pretendimi se raporti i policisë nuk kishte pasur prova dhe ishte i bazuar mbi supozime, KPK tha se nuk qëndron duke theksuar se ishte prokurori që duhej të bënte hetimet vetë ose përmes policisë gjyqësore. Aty po ashtu thuhet se policia kishte referuar më shumë se një pasuri siç pretendoi prokurori. Ata thanë se Trenova kishte pretenduar paqartësi proceduriale të ligjit, por sipas KPK ai ishte shumë i qartë. KPK thotë më tej se Trenova nuk ka sqaruar në vendim pse nuk ka bërë verifikim të pasurive të referuara nga policia dhe as e bën këtë pas kërkesës së KPK-së.

Në fund KPK vlerësoi se pretendimet e Trenovës se vendimet e tij ishin miratuar nga drejtuesit e Prokurorisë nuk shërbenin si justifikim, pasi “Komisioni çmon se aftësia profesionale e prokurorit nuk lidhet me miratimin ose jo të vendimeve të tij nga drejtuesi i Prokurorisë”. Në fund KPK gjeti se  Trenova ishte i “papërshtatshëm” sa i përket kriterit të etikës dhe profesionalizmit dhe “një subjekt i cili nuk arrin një nivel të besueshëm në sistemin e drejtësisë”.

Problemet me pasurinë

Problemet e pasurisë së Trenovës u konstatuan fillimisht nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të interesave (ILDKPKI), i cili sipas vendimit të zbardhur i dërgoi KPK-së raport negativ për Trenovën. ILDKPKI konstatoi se ai kishte mungesë të burimeve financiare të ligjshme, kishte kryer fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë.

KPK konstatoi se blerja e një apartament për 1.9 milion lekë në Tiranë në vitin 2007, i trasferuar më pas me kontratë dhurimi të tretëve, ishte bërë në mungesë të ardhurash të ligjshme dhe po ashtu deklarim të rremë e veprime fiktive.

KPK gjeti se apartamenti ishte deklaruar i blerë për 1.9 milionë, por në kontratën e shit-blerjes ai del i blerë për 40 mijë euro.  Komisioni tha se Trenova nuk vërtetonte dot zotërimin e një shume prej 12 mijë eurosh, e cila ishte marrë sipas tij nga kursimet në bankë dhe nga gjendja kesh e përdorur për të blerë apartamentin, por që sipas KPK në bazë të deklarimeve ai nuk mund të justifikonte gati gjysmën e kësaj shume.   KPK thotë se Trenova kishte deklaruar më herët se e kishte prishur gjendjen kesh prej 800 mijë lekësh për dasmën, ndërsa prokurori pretendon se dasma kishte qenë vetëm një nga shpenzimet e bëra me këto kursime.

Trenova u mbrojt duke pranuar se kishte bërë deklarim fiktiv të vlerës së apartamentit me qëllim përfitimin e një kredie 28 mijë euro, prej të cilës një pjesë ishte përdorur për të paguar diferencën e vlerës së apartamentit dhe një shumë prej 12 mijë eurosh ishte përdorur për mobilim dhe shpenzime të tjera.  Ai këmbënguli se kishte pasur të ardhura nga paga dhe kursimet për të paguar 12 mijë euro për apartamentin dhe pasi ishte marrë kredia duke përdorur për vlerë të apartamentit shifrën 40 mijë euro, shitësi ia kishte kthyer këtë sasi pas duke mbajtur vetëm diferencën që i ishte dashur për apartamentin.

Por KPK përveç se i cilësoi jobindëse shpjegimet, i bëri me dije Trenovës se ndërmarrja e veprimeve fiktive prej tij, një kontratë e dytë shit-blerje me çmim më të lirë cenonte “rëndë pastërtinë e figurës dhe të etikës së magjistratit”. KPK thotë se kjo kontratë e dytë sidoqoftë nuk vlente për vetingun dhe se në fund Trenova nuk justifikonte, veç mangësive të tjera, 1.5 milionë lekë.

Po ashtu, KPK thotë se subjekti nuk kishte provuar nga të ardhurat e tij shpenzimet “prej 13 mijë eurosh, për ristrukturim e mobilim të apartamentit”.  Ndërsa përpjekja e Trenovës për të shpjeguar këtë sasi parash si të marrë nga kredia, u cilësua si “mosdeklarim likuiditeti të gjendjes cash”.

KPK po ashtu gjeti se Trenova kishte probleme edhe me shtesën që i kishte bërë këtij apartamenti, duke e bërë atë dupleks. Problemet ishin gjetur edhe nga ILDKPKI, e cila njoftoi Komisionin se kishte marrë një denocim anonim që prokurori ishte angazhuar në një ndërtim të paligjshëm.

Trenova pretendoi fillimisht se pasuria i ishte kaluar vjehrrit dhe vjehrrës dhe se ai jetonte aty për shkak të marrëdhënieve të mira me ta. Ai tha se kishte kaluar apartamentin prindërve të bashkëshortes në mënyrë që ata të mund të merrnin një kredi. Prokurori paraqiti një deklaratë noteriale të tyre ku pranonin të kishin marrë në dhurim apartamentin dhe gjithashtu i pyetur nga KPK për mosdeklarim të apartamentin si “në përdorim” ai tha se deklarimin e adresës së banimit e konsideronte të mjaftueshme.

Hetimet e KPK-së i rrëzuan këto pretendime, pasi u mësua se asnjë kredi nuk ishte marrë mbi apartamentin, dhurata realisht nuk ishte kaluar te prindërit e bashkëshortes dhe për rrjedhojë kontrata e dhurimit nuk kishte vlerë.

Hetimet zbuluan se prokurori, i cili jo vetëm jetonte në apartament, por edhe kishte shpenzuar në mobilimin e tij, kishte bërë dhurim fiktiv të apartamentit në mënyrë që të shmangte përgjegjësitë ligjore që vinin nga ndërtimi i paligjshëm. Ata po ashtu gjetën së ndërtimi ishte bërë pa mirëkuptimin e banorëve të tjerë të pallatit, ndërsa gjetën se kishte mospërputhje për kohën kur ai ishte ndërtuar.

KPK  cilësoi se në këtë rast kishim të bënim me “dhënie të imazhit të rremë të zhveshjes nga pronësia e për pasojë, shkarkimin nga përgjegjësitë përkatëse të veprimeve të mëtejshme, pasi nga provat dhe faktet rezulton se ka qenë e vijon të jetë i vetmi posedues efektiv në këtë pasuri. Veprimet e tij cenojnë rëndë pastërtinë e figurës dhe etikës së magjistratit”. KPK gjeti probleme edhe me disa dhurime dhe hua të marra nga subjekti.

Në fund duke marrë në konsideratë edhe pretendimet e Trenovës, KPK vendosi që ai nuk e kalonte kriterin e pasurisë. Përfundimisht Trenova u shkarkua për mospërmbushjen e dy kritereve nga tre që rivlerësohen nga KPK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *