Ish-gjyqtari i Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri pas vendimit të KPK-së. Foto: LSA
Analiza Korrupsioni KPK Në Fokus

Tre versionet për blerjen e një apartamenti penalizuan Luan Hasnezirin

Gjyqtari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri, i shkarkuar nga KPK, dha versione të ndryshme mbi blerjen e një shtëpie, ndërsa iu gjetën probleme në deklarimin e gjendjes cash. KPK rrëzoi pretendimet e DSIK-së lidhur me mosdeklarimin e refuzimit të vizës amerikane.

Ish-gjyqtari i Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri pas vendimit të KPK-së. Foto: LSA

Dhënia e tre versioneve të ndryshme mbi mënyrën se si e kishte paguar një apartament duket se është fakti më penalizues i gjyqtarit të Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri gjatë procesit të vetingut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Sipas vendimit të zbardhur të KPK-së, pretendimet e Hasnezirit përfshi deklaratat noteriale të marra prej tij u rrëzuan edhe nga deklarimet e mëparshme për llogari të vetingut të ish-gjyqtarit Astrit Faqolli.

KPK në vendim shprehet se ndërsa Hasneziri kishte pretenduar se i kishte shlyer detyrimin për shtëpinë disa javë pas nënshkrimit të një kontrate noteriale me Faqollin, që ishte përfaqësues me prokurë i shitësve, ky i fundit kishte deklaruar se paratë ishin paguar të nesërmen e nënshkrimit të kontratës.

Hasneziri ka kundërshtuar gjetjet e KPK-së dhe ka dhënë një sërë shpjegimesh, por pretendimi i tij se kishte përdorur një hua nga vëllai u rrëzua, ndërsa Komisioni shprehet se ky i fundit nuk arriti të dokumentonte burimin e ligjshëm të pasurisë.

Hasneziri u shkarkua më 26 qershor të këtij viti. Ai kishte filluar karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1999 si gjyqtar i Gjykatës së Tiranës dhe më pas në Vlorë. Ai është emëruar gjyqtar i Krimeve të Rënda në vitin 2005 dhe e mbajti këtë pozicion për gati 15 vite.  Hasneziri ishte gjithashtu një nga kandidatët në garë për Gjykatën Kushtetuese.

Vendimi i zbardhur i KPK-së vë në dukje se një apartament që rezultoi si pasuria e vetme e paluajtshme e gjyqtarit, i blerë për 5.9 milionë lekë dhe transaksionet për blerjen e tij ishin telashi kryesor i Hasnezirit.

Sipas trupës gjykuese të kryesuar nga Suela Zhegu, relatore Alma Faskaj dhe Lulzim Hamitaj anëtar, Hasneziri “nuk ka paraqitur prova, të cilat të provojnë burimin e ligjshëm dhe realizimin e të ardhurave për krijimin e pasurisë apartament” dhe “ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kontrollin e pasurisë”.

Treshja që gjykoi rastin arsyetoi se ish-gjyqtari kishte dhënë “tre alternativa të ndryshme të shlyerjes së vlerës së kësaj pasurie”. KPK thotë se një përshkrim gjendej në kontratën noteriale në të cilin thuhej  se pagesa ishte bërë menjëherë, një shpjegimi i dytë ishte dhënë në deklaratat periodike në të cilin vihej në dukje një hua dhe një kredi e butë nga banka, ndërsa në deklarimet që ka bërë gjatë procesit të rivlerësimit gjyqtari ka deklaruar shlyerjen  e 1.5 milionë lekëve me të ardhurat e tij dhe pjesën tjetër me huanë e marrë nga personi tjetër i lidhur, vëllai tij A. H. Ky i fundit ishte paguar pjesërisht me shumën e marrë si kredi.

Shpjegimet e Hasnezirit se kontrata noteriale ishte bërë në mirëbesim dhe se ai dhe kolegu i tij Faqolli, që shërbente në këtë rast si përfaqësues me prokurë i palës shitëse kishin marrëdhënie të posaçme dhe se ky i fundit kishte pritur edhe disa javë pas nënshkrimit të saj, nuk e bindën trupin gjykues.

Në vendimin e zbardhur vihet në dukje se Hasneziri kishte sjellë si provë deklaratat noteriale nga vëllai dhe nga ish-gjyqtari që mbështesnin versionin e tij, por KPK përdori si kundërargument deklarimet e Faqollit, po për llogari të procesit të tij në veting.

“Të nesërmen e largimit të tyre, shtetasi Luan Hasani (Hasneziri) më ka kontaktuar mua duke më bërë të ditur se kishte siguruar paratë për blerjen e banesës dhe menjëherë pas kësaj, ndërsa isha i pajisur me prokurë nga pronarët e apartamentit A. P. dhe S. H., unë kam lidhur në emër dhe për llogari të tyre kontratën e shitjes nr. ***, datë 12.12.2006. Çmimi i shitjes së banesës prej 5.900.000 lekësh është paguar cash nga ana e blerësit Luan Hasani,” citohet nga KPK deklarimi i Faqollit. Faqolli u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit pasi kishte kaluar shkallën e parë të vetingut.

Ky qëndrim sipas Komisionit vërteton kontratën noteriale dhe sipas kësaj rrjedhe të ngjarjeve Hasneziri rezultoi me bilanc negativ prej 4.7 milionë lekësh. KPK tha se një bilanc negativ më i vogël rreth 300 mijë lekë rezultonte edhe nëse merrej në konsideratë pagesa në cash vetëm e shumës prej 1.5 milionë lekësh, një version i pretenduar nga Hasneziri.

Nga ana tjetër, KPK ngriti edhe dyshime të tjera mbi këtë pasuri. Sipas saj rezulton se banka e kishte vlerësuar apartamentin në shumën 11 milionë lekë në datën 28 dhjetor 2006.  “Pra, gati dyfishin e vlerës së kontratës së shitjes së datës 12 dhjetor 2006”, thuhet në vendim.

“Komisioni në analizë gjithashtu dhe të dy deklarimeve të dhëna, çmon se ato janë kontradiktore dhe nuk mund të përbëjnë provë për të provuar vërtetësinë e deklarimeve të subjektit lidhur me mënyrën e shlyerjes së vlerës së kësaj pasurie”, shprehet KPK.

Edhe pse rrëzoi versionin e Hasnezitit duke shpjeguar se nuk kishte prova për huatë dhe as për qarkullimin e parave të tërhequra nga banka, KPK bëri hetime mbi mundësitë e vëllait të tij për të dhënë paratë borxh. KPK shprehet se Hasneziri nuk provoi dot që vëllai kishte pasur të ardhura të ligjshme.

KPK gjeti probleme edhe në deklarimin e shtesave cash në viti nga Hasneziri. Sipas KPK-së, gjyqtari kishte deklaruar për llogari të vetingut 600 mijë lekë cash, por bazuar në deklarimet në vite shuma ishte 3.3 milionë. Hasneziri pranoi lapsuset në këtë pikë, por kërkoi nga KPK të merrte parasysh shpjegimet e tij.

Probleme KPK konstatoi edhe me përdorimin e një makine. Sipas Komisionit, makina nuk ishte deklaruar në përdorim për disa vite, ndërsa rezultoi se personi që e kishte atë nuk kishte burime të ligjshme pasurie.

Ndërkohë, Komisioni rrëzoi raportin e DSIK-së për papërshtatshmëri të figurës së gjyqtarit për shkak të fshehjes së një refuzimi për dhënie vize nga amabasada e SHBA. KPK arsyetoi se refuzimi i vizës dhe arsyet për këtë refuzim ishin bërë të qarta në deklarimin e pasurisë në vitin 2004 dhe po ashtu në deklarimin e pasurisë për llogari të vetingut. Komisioni cilësoi gabim mosdeklarimin e këtij fakti në deklaratën e pastërtisë së figurës, por çmoi se gjyqtari nuk e kishte fshehur këtë fakt.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *