Gjyqtarja Flutura Hoxha pas seancës në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Veting

Gjyqtarja Flutura Hoxha përballet me vetingun

Gjyqtarja e Rrethit Gjyqësor Pukë, Flutura Hoxha u përball të martën në mesditë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, ku gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për mbi barrën e provës që i kishte kaluar për kriterin e pasurisë. Ndërkohë, ajo u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa për profesionalizmin nuk u evidentuan gjetje domethënëse.

Procesi i rivlerësimit ndaj gjyqtares Hoxha po kryhet nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relator Roland Ilian dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Flutura Hoxha ka një karrierë të gjatë në sistem gjyqësor shqiptar. Nga viti 1998 deri në vitin 2006 ajo ka shërbyer si kryetare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë. Gjatë periudhës 2007-2011 ka mbajtur funksionin si inspektore në ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe në 2012-ën është rikthyer sërish në Gjykatën e Pukës, ku dhe e ushtron detyrën.

Komisioni konstatoi pasaktësi dhe mospërputhje në deklarimin e pasurisë. Sipas relatorit Ilia, gjyqtarja Hoxha ka shpjeguar në deklaratën ‘veting’ se ka krijuar kursime deri në vitin 2015 që ua ka dhënë prindërve, por pa deklaruar vlerat konkrete të kursyera në deklarimet periodike. Gjithashtu, nuk ka deklaruar as pakësimet e gjendjeve cash për shumat që u ka dhënë prindërve që janë investuar në disa depozita prej të atit.

Relatori Ilia sqaroi se subjekti nuk ka deklaruar ndonjëherë pasuri në përdorim apo zotërim të saj. Ndërkohë, në pronësi të prindërve kanë rezultuar disa pasuri të paluajtshme, dy në qytetin e Pukës të përfituara para se gjyqtarja Hoxha të fillonte detyrën dhe dy apartamente në Tiranë.

KPK konstaton se shtëpia që prindërit zotërojnë në Pukë, që është deklaruar si adresë banimi nga subjekti rezulton të jetë ndërtuar në vitin 1982 dhe është përfituar me një vendim gjykate të vitit 1994. Objekti i dytë që prindërit e zotërojnë në Pukë, një magazinë, rezulton të jetë blerë prej tyre në vitin 1996, po përpara fillimit të detyrës. Ilia deklaroi se subjekti është pyetur përse nuk ka deklaruar shtëpinë në përdorim dhe burimin e krijimit.

Gjytarja Hoxha i pranoi një pjesë të pasaktësive në deklarime dhe shpjegoi se ka jetuar dhe jeton me prindërit, nisur dhe nga fakti se nuk ka krijuar familjen e saj. Lidhur me mosdeklarimin e përdorimit të shtëpisë në Pukë, subjekti shpjegoi se aty kishte lindur dhe ishte rritur dhe se e kishte shënuar gjithmonë si adresë banimi.

Për një apartament të blerë nga babai në Tiranë në vitin 2007, subjekti ka shpjeguar gjatë hetimit administrativ se ka kontribuar, por nuk ka specifikuar vlerën konkrete të shpenzuar prej saj. “Subjekti ka shpjeguar se burim krijimi për këtë pasuri kanë qenë të gjitha të ardhurat e familjarëve”, tha Ilia.

KPK vlerëson se subjekti rezulton të ketë pasur dhe të ketë marrëdhënie interesi me familjarët në cilësinë e bashkëfinancueses së kësaj pasurie, si dhe për përdorimin. Ilia sqaroi se analiza financiare është kryer për periudhën 1998-1997, ku sipas tij janë përfshirë dhe të ardhurat e subjektit, nga ka rezultuar balancë negative në shumën rreth 2 milionë lekë për blerjen e apartamentit.

Komisioni ngre dyshime se apartamenti është blerë për strehimin e gjyqtares Hoxha kur ajo është emëruar si inspektore pranë ish-KLD-së dhe se është përpjekur ta fshehë këtë pasuri si dhe burimin e krijimit.

Bazuar në një denoncim, KPK ka verifikuar dhe një tjetër apartament të blerë në Tiranë prej prindërve të subjektit, por pasi është qartësuar se i është dhuruar vëllait të saj të ndjerë dhe fëmijëve të tij, kjo pasuri nuk është përfshirë në hetim.

Nga sa u relatua dhe shpjegua gjatë seancës dëgjimore, u kuptua se vëllai i ndjerë i gjyqtares Hoxha ishte oficeri i policisë së Lezhës, Saimir Hoxha, i cili humbi jetën në krye të detyrës më 28 shtator 2021, pasi skuadra që ai drejtonte u sulmua me armë zjarri nga Aldi Rama, 21 vjeç. Saimir Hoxha u përcoll në banesën e fundit si “Dëshmor i Atdheut”.

Gjyqtares Flutura Hoxha i është kaluar barrë prove dhe për burimet financiare të disa depozitave të krijuara nga babai prej vitit 2004 dhe në vijim. Relatori Ilia tha se nga analiza e përgjithshme financiare ka rezultuar balancë negative në vlerën rreth 6.1 milionë lekë.

Gjyqtarja Hoxha i kundërshtoi konkluzionet e KPK-së për pasurinë dhe e konsideroi të gabuar metodologjinë e përdorur në analizën financiare.

“Të ardhurat e mia janë të njehsuara me ato të prindërve. Duke qenë një familje patriarkale, të ardhurat janë dorëzuar në familje. Ato nuk janë konsideruar si dhuratë, por si detyrim,” deklaroi Hoxha. Ajo shtoi se mosdeklarimet e pakësimve të cashit kur babai kishte investuar në depozita kishin ndodhur për shkak të faktit se ishte me gjendje civile e ndarë që prej vitit 1993, shumë kohë përpara se të ushtronte detyrën e gjyqtares.

Si burime të krijimit të dy apartamenteve të blera në Tiranë nga prindërit dhe të depozitave bankare në emër të babait, Hoxha shpjegoi se kishin shërbyer të ardhurat e prindërve nga pagat e pensionit, të ardhurat nga pagat e saj, të motrës dhe të vëllait, si dhe të ardhura të përfituara nga babai nga puna si topograf në subjekte private, pasi kishte dalë në pension, që sipas saj ishin në vlera të konsiderueshme.

Lidhur me të ardhurat e babait si topograf pas daljes në pension, Hoxha pretendoi se gjendej në kushtet e pamundësisë objektive për të gjetur dokumentacion ligjor, pasi kishte kaluar kohë e gjatë dhe institucionet nuk i dispononin.

“Për apartamentin në rrugën Jordan Mija në Tiranë e porositur nga babai në vitin 2007 për çmimin 63 mijë euro kanë investuar të gjithë familjarët. Janë të gjitha kursimet nga të ardhurat e prindërve, të miat, të vëllait dhe të motrës”, theksoi Hoxha.

Ajo sqaroi se shtëpia ishte blerë pasi ajo dhe motra jetonin me qira në Tiranë dhe ky investim shmangte shpenzimet mujore që do të duhej të paguanin për qiranë. “Asnjëherë nuk është diskutuar për pjesë takuese apo kontribut për këtë apartament. Do të përdorej nga çdokush anëtar i familjes që do jetonte në Tiranë. Babai nuk kishte detyrim ta deklaronte. Edhe unë nuk kisha detyrim, se nuk ishim në të njëjtën certifikatë familjare”, argumentoi Hoxha.

Subjekti pretendoi se nuk mund të vlerësohej qartë kontributi i saj, pasi kishte dorëzuar çdo muaj pagën e saj në familje, por nuk kishin bërë ndonjëherë përllogaritje se cili ishte kontributi i secilit. “Kur kam deklaruar gjendjen cash kam deklaruar diçka të përafërt me mundësinë e kursimit, por unë nuk kam pasur gjendje cash se e dorëzoja pagën në familje,” pohoi subjekti. Ajo theksoi se ndihej e keqardhur për konstatimin e Komisionit për fshehje të këtij apartamenti, pasi nuk kishte pasur detyrimin e deklarimit as ajo dhe as prindërit.

Hoxha këmbënguli se metodologjia e ndjekur nga Komisioni në kryerjen e analizës financiare ishte e gabuar dhe se nuk pasqyronte gjendjen faktike. Subjekti kërkoi që të konsideroheshin të gjitha të ardhurat e familjarëve, që sipas saj janë të mjaftueshme për krijimin e pasurive dhe për kryerjen e gjithë shpenzimeve.

“Tek analiza e apartamentit bëhet analizë dhe për familjarët, por ju i referoheni gjendjes së cashit të deklaruar nga unë. Një pasaktësi në gjendjen e cashit është ndikuese në vitet e mëvonshme. Duhej të ishin marrë parasysh të ardhurat dhe shpenzimet e familjarëve dhe jo deklarimet e mia periodike,” vërejti Hoxha dhe kërkoi të përfshihen të gjitha të ardhurat dhe balancat pozitive të konstatuara në disa vite.

Subjekti pretendoi se KPK kishte kryer gabime dhe në përllogaritjen e të ardhurave të saj dhe të vëllait nga pagat. Po ashtu, ajo kërkoi të përfshihen në analizë të ardhurat nga interesat e depozitave të investuara nga babai.

Hoxha deklaroi se kishte dorëzuar një analizë financiare të hartuar nga një ekspert, ku ishin shpjeguar të gjithë burimet dhe investimet e shpenzimet e kryera, prej nga rezultonte me balancë pozitive.

Në përfundim të seancës, gjyqtarja Flutura Hoxha kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet me 25 mars, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *