KPK përfundon vetingun e Roland Hysit pa vendim përfundimtar

Lajme

Ish-gjyqtari i Fierit Roland Hysi u dënua për korrupsion me vendim të formës së prerë në shtator të 2020-ës, ndërkohë që u shkarkua nga detyra prej KLGj-së vetëm një vit më vonë që solli dhe humbjen e statusit të magjistratit, fakt ku u bazua Komisioni për ndëprerjen e procesit të vetingut ndaj tij pa një vendim përfundimtar.

KPK përfundon vetingun e Roland Hysit pa vendim përfundimtar

KPK në seancë dëgjimore | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosur më 18 shkurt 2022 të deklarojë të përfunduar procesin e vetingut për ish-gjyqtarin e Fierit Roland Hysi pa një vendim përfundimtar, për shkak se ka humbur statusin e magjistratit si pasojë e një dënimi penal të formës së prerë.

Gjyqtari i Gjykatës së Fierit, Roland Hysi u arrestua në janar të vitit 2019 së bashku me psikologen Elona Meçani pas publikimit të një videoje përgjimi kompromentuese nga emisioni ‘Stop’, që përfshinte ryshfet në para dhe favore seksuale.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ pranoi më 11 tetor 2021 kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD, Artur Metani për fillimin e procedimit disiplinor dhe shkarkimin nga detyra të Hysit, pasi ishte dënuar me 3 vjet burg për korrupsion në tetor të 2019-ës – vendim që është lënë në fuqi dhe nga Apeli në shtator të 2020-ës. Në vendimin e KPK sqarohet se Hysi nuk e ka ankimuar vendimarrjen e KLGJ-së për shkarkimin e tij nga detyra.

Më 10 nëntor 2021, bazuar në një kërkesë të Komisionit, KLGJ ka depozituar kopje të vendimit të marrë një muaj më parë për shkarkimin nga detyra të Roland Hysit. Duke ju referuar ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ku ndër të tjera, përcaktohet se “statusi i magjistratit mbaron në rastet kur shkarkohet nga funksioni”, trupa e KPK ka arritur në konkluzionin se mbarimi i statusit të magjistratit sjell si pasojë përfundimin e procedure administrative pa një vendim përfundimtar për çështjen pasi nuk ka më objekt.

Në përfundim, katër muaj pasi KLGJ e kishte shkarkuar Hysin, trupa e kryesuar Brunilda Bekteshi, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Firdes Shulin ka vendosur të deklarojë të përfunduar procesin e vetingut ndaj tij, pa një vendim përfundimtar.