Gjyqtarja Etleva Gjamo pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Gjyqtarja Etleva Gjamo përballet me vetingun

Gjyqtarja Etleva Gjamo e Gjykatës Administrative të Korçës u përball të premten më 4 nëntor 2022 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për konstatimet e Komisionit në kriterin pasuror, për të cilat u evidentuan deklarime të pasakta dhe mospërputhje. Për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, nuk u evidentuan në seancë gjetje me probleme.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Etleva Gjamo po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonci Petkovic.

Etleva Gjamo e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 dhe ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Prej vitit 2013, ajo e ushtron funksionin pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Korçë.

Gjetjet për pasurinë

Relatorja Bekteshi u shpreh se Komisioni nuk ka gjetur probleme në një depozitë në shumën 300 mijë lekë dhe një gjendje në bankë prej 355 mijë lekësh, të krijuara nga pagat.

Ndërkohë, janë konstatuar dy ndërtesa të padeklaruara që gjenden në tokën e përfituar nga familja e origjinës prej Ligjit “Për Tokën” në vitin 1991, ku ajo rezulton të jetë de jure bashkëpronare. Sipas Bekteshit, subjekti ka shpjeguar gjatë hetimit se një prej godinave është shtëpia e ndërtuar prej babait në vitin 1965. Për objektin tjetër ka shpjeguar, se pas shpërbërjes së ish-kooperativës bujqësore, godina e zyrave është blerë nga babai dhe dy vëllezërit e tij dhe se aktualisht është në gjendje thuajse të rrënuar.

Edhe bashkëshorti i subjektit ka rezultuar të mos ketë pasqyruar një ndërtesë që gjendet në tokën e përfitur nga familja e tij e origjinës nga ligji “Për Tokën”, ku ai sipas ligjit gëzon pjesë takuese. Subjekti ka shpjeguar se objekti është shtëpia e ndërtuar nga babai i bashkëshortit të saj në vitin 1955. Po ashtu, ajo ka theksuar se as ajo dhe as bashkëshorti nuk kanë tërhequr të drejta pronësie mbi këto prona.

Gjamo këmbënguli edhe në seancë se ajo dhe bashkëshorti nuk kanë tërhequr të drejta pronësie nga këto pasuri dhe se kjo kishte qenë arsyeja e mosdeklarimit. Për objektin e blerë nga babai dhe dy xhaxhallarët sqaroi se kishte dorëzuar foto që vërtetonin gjendjen e rrënuar.

Gjyqtarja Gjamo ka deklaruar përdorimin e një apartamenti me sipërfaqe 60 m2 + shtesë rreth 108.9 m2, në pronësi të bashkëshortit, pasuri sipas saj e krijuar para martesës dhe që është blerë në vitin 2006 për shumën 1 milion lekë. Si burime krijimi të kësaj pasurie, bashkëshorti i subjektit ka deklaruar kursimet familjare të tij nga puna e tij dhe të prindërve nga pensionet në Shqipëri e në Greqi.

Bekteshi sqaroi se bashkëshorti i subjektit rezulton se e ushtron profesionin e noterit prej vitit 2005 e në vijim. Nga instituciont vendore është konfirmuar se ai është regjistruar si person fizik me xhiro vjetore 2 deri në 3 milionë lekë dhe për rrjedhojë Komisioni ka vendosur të konsiderojë të ardhura vlerën mesatare 2.5 milionë lekë.

Nga analiza financiare e kryer edhe për të ardhurat e bashkëshortit duke filluar nga viti 1995 deri në 2006-ën, është konkluduar se ai dhe prindërit kanë pasur mundësi të kursenin shumën 1 milion lekë që ka shërbyer për blerjen e apartamentit dhe të shtesës. Kjo e fundit rezulton të jetë legalizuar në 2012-ën.

Mëgjithatë, Komisioni vëren se nuk është deklaruar në vitin 2010 investimi për adoptimin e shtesës. Sipas Bekteshit, gjyqtarja Gjamo ka shpjeguar se kjo pasuri është blerë në çmimin 1 milion, lekë pasi edhe pala shitëse e ka përfituar nëpërmjet privatizimit.

Gjyqtarja Etleva Gjamo theksoi në fillim të fjalës së saj se të gjitha konkluzionet janë evidentuar prej Komisionit në deklarimin e bashkëshortit të vitit 2010, që ka qenë edhe deklarimi i parë pas lidhjes së martesës. “Pasuria ime pas martese është ajo e krijuar me kredi dhe legalizimi i shtesës së ndërtuar para martesës. Edhe hetimi i Komisionit ka konfirmuar pretendimet dhe shpjegimet e mia”, pohoi Gjamo.

Ajo vërejti se, megjithëse analiza financiare e nxjerr familjen e bashkëshortit me bilanc pozitiv, duhej që të konsideroheshin edhe të ardhurat e tij nga puna si avokat. Gjamo pohoi se kishte vërtetuar me dokumentacion përfaqësimet gjyqësore të bashkëshortit në cilësinë e avokatit, përpara se ai të merrte licensën e noterit. Po ashtu, kërkoi të zbriteshin shpenzimet e jetesës kur ata jetonin në fshat, duke argumentuar se ekonomia bujqësore e blegtorale mbulonte një pjesë të nevojave.

“Kjo pasuri është blerë para martese në vitin 2006 së bashku me apartamentin”, sqaroi Gjamo lidhur me shtesën.

Lidhur me mosdeklariminn e burimit nga bashkëshorti për investimet e kryera në periudhën 2006-2010, subjekti pretendoi se kishte të bënte me mënyrën e konceptimit të deklarimit të bashkëshortit. Ajo u shpreh se investimet e brendshme në shtesë ishin kryer gradualisht deri në 2010-ën dhe se në atë vit nuk ishin pasqyruar për shkak se ishin në vlerë më të vogël se 300 mijë lekë, që detyronte deklarimin.

Gjamo pohoi se leja e ndërtimit të shtesës ishte nxjerrë ne emër të shitësit, i cili kishte kryer edhe vetëdeklarimin 2006-ën pranë ALUIZNI-t, për shkak se punimet kishin dalë nga projekti i miratuar.

Anëtarja Firdes Shuli e pyeti subjektin se përse nuk kishte dorëzuar që në fillim të hetimit administrativ një preventiv të punimeve të vitit 2006, por e kishte depozituar në KPK së fundmi, kur ishte pyetur lidhur me investimet. Gjamo deklaroi se shpjegimet i kishte dhënë bazuar në kërkesat e pyetësorëve, ku kërkoheshin faturat e pagesave.

Subjekti ka deklaruar marrjen e një kredie në shumën 10 milionë lekë nga bashkëshorti për blerjen e një apartamenti, por nga hetimi ka rezultuar se kjo vlerë nuk është përdorur për destinacionin fillestar. Bekteshi sqaroi se kredia kishte shërbyer për blerjen e dy pasurive të tjera në bashkëpronësi me një person tjetër.

KPK vëren se banka e ka konfirmuar kredinë dhe detyrim e mbetur, ndërkohë që nuk janë gjetur probleme për shlyerjen e kësteve. Subjekti ka deklaruar se gjysma e kredisë shlyhet nga bashkëpronari në dy objektet e blera, shtetasi E.G.

Prej hetimit ka rezultuar se disa këste të kredisë janë paguar nga shtetasi K.P, por subjekti ka shpjeguar se ky person ka kontakte të përditshme me bankën dhe se i ka kryer këto veprime për llogari të bashkëshortit të saj.

Ndërkohë, bashkëshorti ka deklaruar pasuritë që janë blerë me kredinë 10 milionë lekë në Devoll, konkretisht një truall 200 m2 + 110 m2 ndërtesë në vitin 2012, si dhe një truall tjetër 520 m2 në 2013-ën, bashkëngjitur pasurisë tjetër.

Në seancë nuk u evidentuan probleme për burimin e krijimit të këtyre pasurive që rezultojnë të jenë në funksion të ushtrimit të aktivitetit të shitjes së karburanteve. Bekteshi sqaroi se bashkëshorti i subjektit dhe bashkëpronari i pikës së karburantit, e kanë dhënë objektin në huapërdorim pa kundërshpërblim, me qëllim që të kryheshin inestime. Pasi janë kryer investimet dhe shoqëria që e ka marrë në përdorim ka dalë me fitim, është lidhur kontratë qiraje me dy bashkëpronarët.

Sipas Bekteshit, hetimi i KPK nuk ka zbuluar ndonjë situatë konflikti interesi apo trajtimi preferencial në këto transaksione.

Komisioni nuk ka gjetur probleme edhe në ndërtimin e një shtese 60 m2 në objektin e pikës së shpërndarjes së karburanteve, me funksion ushtrimin e aktivitetit bar-kafe.

Po ashtu, sipas KPK nuk janë konstatuar probleme në blerjen e një automjeti nga bashkëshorti në vitin 2009 kundrejt shumë 250 mijë lekë; për blerjen e një zyre 14 m2 në qytetin e Korçës para martese dhe dy llogari bankare.

Ndërkohë, KPK konstaton mospërputhje mes vlerës së deklaruar për blerjen nga bashkëshorti të një automjeti tip “Merzedes Benz” në vitin 2009 në Bullgari kundrejt vlerës 4500 euro, pasi çmimi i pasyqruar në kontratë figuron në masën rreth 500 euro.

Subjekti pranoi se qëndronte mospërputhja mes çmimit të deklaruar nga bashkëshorti me atë në kontratë. Sipas saj, bashkëshorti ka pasqyruar vlerën reale që ka paguar cash për mjetin, ndërkohë që nuk i ka dhënë rëndësi shumës së shënuar në kontratën e shit-blerjes në Bullgari. Ajo shtoi se vlera 4500 është deklaruar edhe në funksion të zhdoganimit të mjetit, që paraqiste vlerën reale të tij.

Nga analizimi i gjendjes cash në shumën 1 milion lekë me burim të ardhurat e subjektit nga puna si gjyqtare dhe të bashkëshortit të saj si noter, KPK ka konstatuar balanca negative në vitet 2010 dhe 2012 në vlerën totale rreth 320 mijë lekë.

Në seancë u evidentua edhe deklarimi nga bashkëshorti i një gjendje cash 30 mijë euro në vitin 2010. Subjekti ka shpjeguar se cashi në atë vit ka qenë në shumën 800 mijë lekë, ndërsa pjesa tjetër përfaqëson të ardhurat dhe dhurime që i kanë dhënë bashkëshortit prindërit e tij.

Bekteshi vërejti se gjendje cash në shumën 30 mijë euro nuk është deklaruar në vijim dhe as destinacioni i saj. Sipas relatores, megjithëse Gjamo nuk ka pranuar se bëhet fjalë për gjendje cash në atë vlerë, KPK e ka përfshirë në analizën financiare, prej nga ka rezultuar se bashkëshorti dhe prindërit e tij kanë pasur burime për krijimin e asaj shume dhe mbulimin e shpenzimeve.

Nisur nga fakti se për periudhën 1995-2010, gjyqtarja Gjamo ka jetuar së bashku me prindërit e saj, Komisioni ka kryer analizë financiare edhe për familjen e saj të origjinës, nga nuk janë konstatuar probleme.

Lidhur me mosdeklarimin e dhurimit të shumës 25 mijë euro nga prindërit e bashkëshortit, subjekti ka deklaruar se nuk e kanë disponuar atë vlerë në 2010-ën kur kanë lidhur martesë.

Gjamo pranoi se bashkëshorti ka pasur pasaktësi në deklarimin e parë në vitin 2010 kur kanë lidhur martesë, por që sipas saj nuk kanë pasur pasoja.

Ajo shpjegoi se dhurimi i shumës 25 mijë euro nuk ishte formalizuar për shkak të lidhjes së posaçme mes bashkëshortit dhe prindërve të tij, si dhe për faktin se para vitit 2010 kur ishin kryer këto veprime, ai nuk ishte subjekt rivlerësimi.

Subjekti kërkoi që të konsideroheshin të ardhurat e bashkëshortit si avokat, edhe në analizën financiare për krijimin e shumës 30 mijë euro. Po ashtu, ajo kërkoi të uleshin shpenzimet e udhëtimeve jashtë shtetit me argumentin se kishin përdor mjet personal dhe kishin shkuar në vendet fqinje.

Duke ju referuar balancave negative në vitet 2010 dhe 2011, subjekti solli në vëmendje të komisionit raportet e kontrollit tatimor për bashkëshortin, që sipas saj rezultonin me shtesë të ardhurash. Edhe në këtë rast ajo kërkoi rishikimin e shpenzimeve të udhëtimeve jashtë shtetit dhe këmbënguli se balancat negative zvogëlohen nëse do të konsiderohen provat dhe shpjegimet e saj.

Në përfundim, Gjamo ritheksoi se konstatimet kanë të bëjnë vetëm me bashkëshortin dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 8 nëntor, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *