Prokurori Petrit Çano duke dalë nga KPA | Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Kolegji i Apelimit dëgjon ballafaqimin e qëndrimeve në çështjen e Petrit Çanos

Komisioneri Publik këmbënguli që KPA të merrte masën e shkarkimit ndaj prokurorit të Krujës, Petrit Çano, ndërsa ky i fundit këmbënguli se e kishte përmbysur barrën e provës dhe se pretendimet për cenim të besimit publik ishin të pabaza.

Prokurori Petrit Çano duke dalë nga KPA | Foto: Edmond Hoxhaj.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të martën konkluzionet përfundimtare në çështjen ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili ankimoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmim e Çanos në tetor 2019, kërkoi nga Kolegji që të ndryshonte këtë vendim dhe të caktonte shkarkimin e prokurorit për shkelje në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit.

Çano dhe mbrojtësi i tij kundërshtuan përfundimet e Ballhysës dhe këmbëngulën për konfirmimin në detyrë. Duke iu referuar raportit mbi profesionalizmin, Çano tha se drejtuesi i prokurorisë nuk mund të mbante përgjegjësi për fajet e një prokurori dhe se ai kishte zbatuar me korrektësi ligjin. “Nuk ka pasur cënim të besimit të publikut te drejtësia,” tha ai.

Raporti misterioz i DSIK

Çështja ndaj Çanos ka zgjatur gati dy vjet dhe në KPA janë zhvilluar mbi 7 seanca në lidhje me këtë rast. Disa prej seancave u hapën dhe u mbyllën pa ndonjë produktivitet për shkak se as Komisioneri Publik dhe as vetë Çano nuk patën akses në një raport të Shërbimit Informativ Shtetëror që kishte ndryshuar vlerësimin e figurës së prokurorit nga i përshtatshëm në të papërshtatshëm.

Në përfundimet e tij, Ballhysa përsëriti se ai nuk kishte mundur të gjente asgjë në material përpos ndryshimit të statusit. Ballhysa tha se anonimizimi i dokumentit e bënte atë të palexueshëm dhe se ai ia la Kolegjit të shprehej mbi këtë rast.

Avokati Julian Mërtiri nga ana e tij la të kuptohej se bëhej fjalë për denoncime që kishin të bënin me punën e prokurorit dhe që ishin bërë vetëm pas fillimit të procesit në KPA. Një denoncim i ngjashëm u rrëzua nga KPA më herët si pa indicie. Mërtiri po ashtu këmbënguli se Çano vijonte të ishte pajisur po nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar me certifikatë sigurie, duke i mëshuar kontradiktës mes dy dokumenteve.

Mërtiri po ashtu paraqiti edhe një mbrojtje procedurale. Ai tha se ankimi ishte bërë në tejkalim të afateve.

Qëndrimet mbi pasurinë

Ballhysa vuri në dukje disa elementë sa i përket kriterit të pasurisë, për të cilat sipas tij nuk ishte provuar e kundërta e barrës së provës dhe që e vendosin Çanon në pozita jo të favorshme.

Komisioneri tha se megjithëse nuk ishte gjetur konflikt interesi, Çano i kishte blerë dy apartamente me çmime mjaft më të ulëta se çmimet e tregut. Në një rast, sipas tij çmimi i blerjes ishte 7.5 milionë ndërsa vlerësimi në treg 17 milionë ose 60 për qind më shtrenjt. Në rastin e dytë nga 12.3 milionë që ishte vlerësuar, apartamenti ishte blerë për 7.4 milionë lekë.

Avokati i Çanos i kundërshtoi të dy gjetjet. Ai tha se në rastin e parë, marrëveshja dhe pagesat ishin bërë disa vite para se të bëhej rivlerësimi i apartamentit, ndërsa këmbënguli se në rastin e dytë Komisioneri Publik nuk merrte në konsideratë amortizimin. Ai solli si provë kontrata të ngjashme për apartamente të së njëjtës natyrë.

Komisioneri Publik këmbënguli po ashtu në një pamjaftueshmëri prej 2.6 milionë lekësh, që vinte kryesisht nga mosprovimi i pagimit të tatimeve për 1.4 milionë lekë të ardhura nga shitja e mobiljeve të një aktiviteti të bashkëshortes dhe disa mungesa në vite krijuar prej kursimeve.

Mërtiri i kundërshtoi edhe këto gjetje dhe vuri në dukje se bilanci i Çanos ishte pozitiv. Ai këmbënguli se të ardhurat prej 1.4 milionë lekësh ishin të dokumentuara nga tatimet dhe duhej të konsideroheshin të ligjshme.

Qëndrimet mbi profesionalizimin

Ballhysa e cilësoi si “cënim të besimit të publikut te drejtësia” faktin që Çano nuk kishte ndërhyrë  apo nuk kishte marrë masa të tjera sa i përket vendimeve për lirim para kohe të disa të burgosurve të rrezikshëm nga burgu i Krujës apo përfitimit prej tyre të amnistive dhe uljeve të dënimit.

Ballhysa tha se për këto veprime, prokurori Bujar Memia ishte shkarkuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe vuri në dukje statistika që sipas tij bënin me përgjegjësi edhe Çanon si drejtues prokurorie.

Çështje që lidhen kryesisht me lirimin e Genc Tafilit, Endrit Dokles, Ilir Pajës dhe Hekuran Billës, ka sjellë shkarkimin e prokurorit Memia dhe gjyqtares së Krujës Enkeleda Hoxha.

Por avokati Mërtiri këmbënguli që Çano nuk kishte përgjegjësi për veprimet e prokurorit dhe se ai nuk kishte mundësi t’i apelonte ato vendime. Ai vuri në dukje se kompetencat e drejtuesit nuk ishin shkelur. Po ashtu, Mërtiri këmbënguli se kjo pjesë e ankimit ishte shtuar nga Komisioneri pas depozitimit të ankimit dhe duhej të rrëzohej për procedurë.

Mërtiri po ashtu tha se çështja duhej të shqyrtohej nga ILD dhe jo në procesin e rivlerësimit, ndërsa shtoi se KPA do duhej të shqyrtonte në Apel edhe rastin e shkarkimit të Memisë dhe se vendimi për këtë rast do të paragjykonte çështjen që vinte nga një drejtim tjetër.

Vetë Çano këmbënguli se kishte bërë detyrën me korrektësi. Ai tha se nuk kishte cënuar besimin dhe se qëndrimi i Komisionerit ishte i pabazuar.

“Drejtuesi i prokurorisë nuk është roje i prokurorit dhe nuk mund të mbajë përgjegjësi për fajet e tij,” tha Çano, ndërsa kundërshtoi statistikat si jodomethënëse.

KPA njoftoi se do të shpallte vendimin në 21 shtator ora 15.00.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *