Albana Shtylla zgjidhet në krye të Kolegjit të Apelimit

Lajme
Me vota unanime gjyqtarja Albana Shtylla u zgjodh kryetare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pas mbarimit të mandatit të Natasha Mulajt.

Albana Shtylla zgjidhet në krye të Kolegjit të Apelimit

Gjyqtarja Albana Shtylla gjatë një seance të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Fotoi:LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit  njoftoi të martën rrotacionin në krye të tij. Sipas njoftimit për shtyp KPA zhvilloi seancën për zgjedhjen e kryetarit të ri Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, me mandat nga 26 korriku i këtij viti deri më 26 korrik 2023. “Pas votimit të fshehtë që u zhvillua në prani të vëzhguesve ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, rezultoi e zgjedhur me 7 (shtatë) vota pro, kandidatja Albana Shtylla”, njoftoi KPA.

Kolegji bëri me dije se Shtylla do të fillojë ushtrimin e detyrës së kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pas mbarimit të mandatit të kryetares në detyrë Natasha Mulaj.

Shtylla, e cila ka lindur në Vlorë është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, k mbajtur më herët një sërë detyrash publike si drejtuese në disa institucione, anëtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe Sekretares së Përgjithshme të Kuvendit të Shqipërisë.