Senca parlamentare e votimit të organeve të vetingu | LSA
Artikull kryesor ! Lajme Veting

Kuvendi miraton zgjatjen e afateve të organeve të vetingut

Kuvendi arriti shumicën e cilësuar të votave të enjten për të miratuar ndryshimin e Kushtetutës që parashikon zgjatjen me 36 muaj të afatit për funksionimin e organeve të vetingut, të Komisionit të Pavarur i Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë. Nisma mori 118 vota pro, asnjë kundër dhe 4 abstenim.

Deputetët e Partisë Demokratike votuan pro pas një vendimi politik të marrë një orë para seancës plenare, pasi kishte bojkotuar diskutimin e nismës së mazhorancës në Këshillin Legjislativ të Kuvendit. Në një kompromis politik me mazhorancën, PD futi në rendin e ditës dy nismat e saj për reformën administrative-territoriale dhe atë elektorale, që do të kryhen nga dy komisione parlamentare të posaçme.  Kërkesa për reformën administrative-territoriale u dorëzua në seancë nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ndërsa reforma zgjedhore ishte dorëzuar gjatë sesionit parlamentar të kaluar. Të dy kërkesat e PD-së u vutuan me shumicë të cilësuar, respektivisht 120 vota pro për Komisionin e reformës territoriale dhe 119 vota pro për komisionin e reformës zgjedhore.

Vendimit të opozitës i parapriu një deklaratë e përbashkët për shtyp e Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe e Ambasadës së SHBA në Tiranë, ku i kërkohej të gjithë deputetëve të mos e shihnin këtë votim si “çështje partiake”.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, e argumentoi votën pro me nevojën për të vijuar vetingun me standardin aktual dhe monitorimin ndërkombëtar.

“Ne nuk i japim votë Partisë Socialiste. Partia Sociliste sot donte që vetingu t’i kalonte KLP-së dhe KLGJ-së, ku Edi Rama, Ëngjëll Agaçi dhe të tjerë krerë të Partisë Socialiste kontrollojnë KLP-në dhe KLGJ-në në shumicë”- tha Basha pas mbledhjes së grupit të deputetëve.

Ai akuzoi kundërshtarët e tij politikë se kishin bërë tentativa për të larguar Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. “Sot nuk është drejtësia që duam, por do të ishte akoma më keq në qoftë se një proces i nisur me qëllim që të përfundojë me një drejtësi që nuk i mbron, por i ndëshkon politikanët e korruptuar dhe krimin e organizuar do mbetej në mes dhe o kështu do të ndërprehej integrimi europian i vendit”- tha ai.  Basha theksoi se nuk është tërhequr nga kërkesa për vetingun e politikanëve, një nismë paralele për ndryshime kushtetuese e PD-së e cila po diskutohet në këshillin legjislativ.

Kompromisi mes PD-së dhe PS-së u kritikua nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, duke aluduar për ndonjë marrëveshje të fshehtë mes tyre. “Si ndryshoi ky vendim brenda një ore pa marrë pjesë asnjëherë dhe pa shkruajtur asnjë rresht për oponencën e këtyre ndryshimeve”- ngriti ajo dyshimet e saj në Kuvend duke rikujtuar marrëveshjen e 17 majit 2017. “A do të kemi vendime si të 17 majit, kur gdhihemi me ministra të opozitës me firmën e Edi Ramës?” – tha Kryemadhi duke iu bërë thirrje deputetëve që “të mos votojmë as nga frika e prokurorëve belg, as nga frika e kolegëve apo ish-kolegëve tanë që janë në burg”.

Gjatë diskutimeve që zgjatën rreth 7 orë deputetët e PD-së argumentuan nevojën e monitorimit ndërkombëtar të procesin nëpërmjet ONM-së dhe shprehën rezerva për politizimin e sistemit të ri të drejtësisë nga mazhoranca. Disa prej tyre shprehën rezerva të mëdha për mënyrën se si është realizuar procesi i vetingut duke e cilësuar të politizuar dhe me standarde të dyfishta në vlerësimin e gjyqtarëve e prokurorëve.  Opozita dhe vetë Basha kanë qenë vazhdimisht kritik ndaj zbatimit të reformës në drejtësi, e cila është miratuar me konsensus në vitin 2016.

Duke iu referuar ndryshimit të qëndrimit kryetari i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj tha se për hir të koherencës së qëndrimeve që kishte mbajtur opozita duhej të votonte kundër, por vota pro ishite një shërbim ndaj publikut.  “Edhe pse me kosto për ne, jemi në fushatë elektorale, por do ta pranojmë këtë, për hir të integrimit dhe shërbimit që duhet tu bëjmë shqiptarëve”- tha ai duke mohuar akuzat për “pazar” me mazhorancën.

Edhe homologu i tij i PS-së, Taulant Balla, mohoi që të kishte një marrëveshje politike gjatë natës para seancës, ndërsa përshëndeti qëndrimin e opozitës. “Të gjitha palët kanë arsyet e tyre për t’u ndjerë të fituar, pasi sot fitoi Shqipëria”- tha ai.

Deputetët e mazhorancës e cilësuan nismën si amendament rregullues të Kushtetutës që nuk prek thelbin e saj dhe si kërkesë të ndërkombëtarëve për të vijuar rivlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve me të njëjtin standard.  “Duke respektuar pavarësinë i nxisim këto organe që të përshpejtojnë procesin e rivlerësimit dhe të punojnë me integritet e paanshmëri”- tha relatorja e nismës, Klotilda Bushka.

Por ideatori i reformës në drejtësi, deputeti Fatmir Xhafaj, ripërsëriti rezervat e tij për mënyrën si është kryer vetingu deri më tani dhe për integritetin e emrave të zgjedhur në këto organe.

“Duke i njohur këto merita shumicës prej tyre në KPK dhe veçanërisht në KPA nuk kemi pse të mos pranojmë se disa ndër ta nuk e kanë merituar këtë përgjegjësi dhe me mungesën e integritetit e ndershmërisë publike kanë cënuar vlerat e këtij procesi. Ky është fakt që më së pari ne duhet të na bëjë të skuqemi për zgjedhjet e gabuara që kemi bërë kur kemi shtypur butonin për ta. Gabim që e kemi bërë edhe me disa zgjedhje në KLP e KLGJ dhe që mesa po shoh edhe sot vështirë të ndahemi nga kjo praktikë me qasjen që kemi”- tha ai.

Xhafaj tha se ka raporte që tregojnë “probleme me ritmin, me shpejtësinë për çështjet prioritare, me vonesat e pajustifikuara në afatet e gjykimit deri edhe zvarritjen e qëllimshme për disa prej tyre” si dhe për perceptime e akuza për cënim të paanshmërisë e objektivitetit. “ONM mund e duhet të luaj një rol shumë më proaktiv në gjykimin dhe ndëshkimin e praktikave të tilla”- theksoi Xhafaj, i cili përtej analizës së vetingut argumentoi se ishte pro zgjatjes së afatit ligjor.

Nisma e mazhorancës kaloi fazën e diskutimeve në Këshillin Legjislativ ku u referuan edhe opinionet e ardhura nga institucionet vendase dhe ndërkombëtare dhe nga shoqëria civile.

Pro zgjatjes së afateve të organeve të vetingut u shpreh Komisioni i Venecias,  Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë të Prokurorisë, Sruktura e Posaçme Anti Korrupsion, organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertë të thirrur nga Kuvendi. I vetmi rekomandim kundër ishte ai i ekspertës, Silva Caka, e propozuar nga LSI, e cila shprehej se çështja e vetingut ishte parashikuar në Kushteturë me kalimin e kompetencave tek KLGj dhe KLP.

Por, të dyja këto organe, që sipas Kushtetutës do të duhej të merrnin në dorë vetingun në qershor 2022, në opinionet e tyre shprehnin rezerva, duke e parë si një detyrë shtesë për punën e tyre dhe si prishje e vijueshmërisë së standardit të rivlerësimit.

Nga analiza e bërë në Këshillin Legjislativ nga viti 2018 deri në fund të 2021 organet e vetingut kanë arritur të rivlerësojnë një pjesë të madhe të dosjeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por akoma mbetet në proces ose pa nisur 1/3 e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *