KPK gjatë shpalljes së një vendimi. | Foto : Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Veting

KPK ndërpret procesin e rivlerësimit për prokurorin Petrit Bica

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosur më 31 janar të ndërpresë procesin e vetingut për prokurorin e Tiranës Petrit Bica, për shkak të dorëheqjes së tij nga detyra. Gjithashtu, i është hequr e drejta që të riemërohet në institucionet e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Në vendimin e arsyetuar të KPK sqarohet se, megjithëse Bica i ka plotësuar formularët e vetëdeklarimit për të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit, më 1 dhjetor 2021 ai ka bërë kërkesë për të dalë në pension të parakohshëm.

Nisur nga fakti se subjekti nuk e kishte mbushur moshën e pensionit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP e ka konsideruar si dorëheqje dhe ka vendosur ta pranojë atë duke deklaruar mbarimin e statusit të magjistratit.

Pasi Komisioni ka disponuar këtë vendim të KLP-së, e ka njohur prokurorin Petrit Bica me të drejtën për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore, si dhe nëse do të ushtronte ankim. Subjekti ka njoftuar se nuk do kryejë ankim, si dhe ka deklaruar se nuk dëshiron të ushtrojë të drejtën për t’u dëgjuar.

“Në rastin konkret, subjekti i rivlerësimit Petrit Bica ka shprehur vullnetin për të mos vijuar ushtrimin e detyrës pavarësisht se ende nuk ka mbushur moshën 67 vjeç, kohë kur mbarimi i statusit për shkak të moshës deklarohet nga KLP-ja”, vëren Komisioni dhe çmon se shprehja e vullnetit të subjektit për të ndërprerë marrëdhëniet e tij të punës është vullnet i tij për për të lënë detyrën përpara kohe dhe për rrjedhojë e ka konsideruar këtë veprim si dorëheqje të tij.

Bazuar në dispozitat kushtetuese dhe ligjore për procesin e rivlerësimit kalimtar të magjistratëve, ku në rastet e dorëheqjes së subjekteve nga detyra zbatohet neni G i Aneksit të Kushtetutës që parashikon ndalimin e tij për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare, është vendosur dhe ky sanksion.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *