Prokurorja Silvana Lule
Analiza KPK Veting

Prokurorja Silvana Lule përmbysi barrën e provës për konfliktin e interesit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 29 tetor 2021 të konfirmojë në detyrë prokuroren e Tiranës, Silvana Lule, pasi arriti në konkluzionin se ajo kishte arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe kontrollit të figurës, si dhe një nivel kualisikues në vlerësimin e aftësive profesionale.

Në vendimin e arsyetuar renditen disa gjetje për pasuritë e bashkëjetuesit të subjektit, për një pjesë të të cilave nuk janë konkluduar probleme pasi kanë rezultuar të jenë krijuar para fillimit të bashkëjetesës. Me këtë argument, Lule ka shmangur edhe disa dyshime të ngritura nga Komisioni për gjendjen e subjektit në kushtet e konfliktit të interesit, pasi persona me të cilët bashkëjetuesi ka kryer një sërë veprimesh juridike, kanë qenë pjesë e kallëzimeve të verifikuara apo të hetuara prej saj.

Bashkëjetuesi i prokurores Lule, Florjan Hajdini, ish-drejtues i ALUIZNI-t në Tiranë është hetuar për “shpërdorim detyre” në dhënien e disa lejeve të legalizimit dhe është dënuar në shkallë të parë për këtë vepër penale, por çështja është pushuar më vonë nga Apeli.

Nisur nga fakti se kjo vepër penale nuk përfshihet në ato të krimit të organizuar, si dhe për shkak të pushimit të akuzës ndaj Hajdinit, KPK nuk e ka konsideruar këtë gjetje si problem në kriterin e pastërtisë së figurës, duke konkluduar se subjekti nuk është para kontaktit të papërshtatshëm.

Silvana Lule përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe u emërua në Prokurorinë e Vlorës. Prej vitit 2015, ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Tiranë.

Komisioni e publikoi vendimin për konfirmimin e Lules më datë 24 janar, ndërkohë që Institucioni Komisionerëve Publikë vendosi të mos e ankimojë më datë 9 shkurt.

Veprimet e të hetuarve me bashkëjetuesin

Komisioni vëren një sërë veprimesh juridike të personit të bashkëjetuesit të prokurores Silvana Lule të kryer me persona që kanë qenë pjesë e kallëzimeve ose procedimeve penale të hetuara nga subjekti.

Në një rast, shtetasi R.N. i cili është hetuar në vitin 2010 nga prokurorja Lule për veprën penale “plagosje e lehtë me dashje” më shumë se një herë, ka kërkuar në tetor të vitit 2011 transferimin e dosjes së një mjeti nga DRSHTRR-ja Tiranë në atë të Vlorës 6 ditë përpara se ta blinte bashkëjetuesi i subjektit, megjithëse nuk rezulton të ketë asnjë lloj lidhje me këtë makinë.

Nga hetimi ka rezultuar se palë shitëse ishte një tjetër person dhe janë ngritur dyshime se përse kërkesa për transferimin e dosjes së mjetit që do të blihej nga bashkëjetuesi i subjektit, është kryer nga një personi i hetuar prej saj pak kohë më parë.  Ndërkohë, ky mjet ka rezultuar dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL i Maqedonisë së Veriut në vitin 2015 pasi është denoncuar si i vjedhur, por bashkëjetuesi i subjektit ka kryer shitje në vitin 2016, që sipas Lules është revokuar pasi makina ka pasur problem.

Shpjegimet e Lules për shtetasin që ka kryer kërkesën për trasnferimin e dosjes janë gjetur bindëse nga Komisioni, që në fund nuk ka gjetur problem. “Në lidhje me shtetasin R. N., ai nuk është një person që bashkëjetuesi dhe i vëllai z. G.H. e njohin apo kanë pasur ndonjë lidhje. Gjithashtu, unë nuk e kujtoj procedimin penal në të cilin ky person ka pasur cilësinë e të pandehurit, por gjithsesi kërkoj të shpjegoj se si koha në të cilën unë kam hetuar çështjen penale (viti 2010), ashtu edhe ajo në të cilën rezulton nga dosja e mjetit, se ky person ka bërë një kërkesë për mjetin me targa *** (viti 2011), i përkasin një periudhe në të cilën nuk e njihja bashkëjetuesin”, ka deklaruar Lule para Komisionit.

Duke përdorur në mbrojtje një përgjigje të DRSHTRR-së se shënimi se kërkesa për rtansferimin e dosjes së mjetit është kryer nga shtetasi R.N. mund të jetë ndonjë gabim material, Lule ka pretenduar se ky person nuk njihet nga bashkëjetuesi i saj.

Po ashtu, Lule e ka bindur Komisionin dhe për një gjetje tjetër të ngjashme, ku bashkëjetuesi ka blerë një automjet tjetër në vitin 2014 nga një shoqëri që ka si administrator një person që ka kryer kallëzim penal lidhur me një çështje të hetuar nga subjekti i rivlerësimit. Sipas KPK, kallëzimi është kryer nga shtetasi S.GJ. dhe jo në cilësinë e administratorit të shoqërisë dhe dy vite pasi është blerë mjeti.

“Në lidhje me shtetasin S.Gj. kërkoj të shpjegoj edhe një herë se ky nuk person nuk njihet prej bashkëjetuesit tim, por nisur edhe nga të dhënat e ekstraktit historik për ‘***’ sh.p.k., ai është bërë administrator i kësaj shoqërie në vitin 2020 dhe nuk ka qenë i tillë në momentin që bashkëjetuesi ka blerë mjetin apo unë kam vlerësuar kallëzimin penal, të bërë nga ai”, ka deklaruar Lule.

Një denoncim i depozituar pranë Komisionit për një vendim mosfillimi procedimi të marrë nga subjekti lidhur me një kallëzim penal për vjedhje pronash dhe manimulim të dëshmisë të trashëgimisë, ka ngritur dyshime për gjendjen e Lules në kushtet e konfliktit të interesit në verifikimin e kësaj çështjeje. Komisioni ka konstatuar se avokat i një prej të paditurve në procesin civil prej nga ka derivuar në vijim kallëzimi penal i mosfilluar, ka qenë vëllai i bashkëjetuesit të subjektit.

Vendimi i mosfillimit nga Lule është marrë në datën 1 tetor 2012, ndërsa tri javë më vonë, më 24 tetor ajo ka udhëtuar drejt Italisë së bashku me bashkëjetuesin për të takuar vëllain e saj.

Nga hetimi ka rezultuar se gjatë viteve 2013 – 2014 janë kryer veprime juridike për pasuri të paluajtshme nga vëllezërit e bashkëjetuesit të subjektit, G. dhe E. H., me bashkëpronarët që kanë qenë palë e palë e paditur në proceset gjyqësore civile.

Në përfundim, trupi gjykues i KPK i ka kaluar subjektit barrën e provës për hetimin e çështjes në kushtet e konfliktit të interesit; për kontratat e shitblerjeve të pasurive të paluajtshme, të lidhura para dhe pas vendimit të mosfillimit midis vëllait të bashkëjetuesit dhe bashkëpronarëve S. të kallëzuar në kallëzimin penal për të cilin subjekti ka vendosur mosfillimin; se një nga vëllezërit nuk e ka paguar çmimin në kontratën e shitblerjes së pasurisë së paluajtshme pasi kjo kontratë përfaqëson shpërblimin e tij për punën si avokat; si dhe faktin se vendimi në të cilin është pasqyruar se vëllai i bashkëjetuesit është avokat i njërit prej të paditurve është pjesë e dokumantacionit të dosjes për mosfillimin e procedimit penal.

Po ashtu, KPK ka gjetur se kallëzimi penal ishte për manipulim të dëshmisë së trashëgimisë nëpërmjet provave false, por subjekti nuk ka kryer asnjë hetim në lidhje me falsifikimin dhe ka vendosur mosfillimin e procedimit penal për veprën penale “shpërdorim i detyrës”, me arsyetimin se nuk pretendohen dokumente konkrete të falsifikuara dhe se ndodhet para një konflikti me natyrë civile.

Lule ka pretenduar se vëllai i bashkëjetuesit, G.H. nuk ka qenë avokat i palës së kallëzuar në çështjen penale, pasi ai nuk ka pasur asnjë pozitë procedurale në këtë çështje. Sipas saj, gjatë kryerjes së verifikimit të materialit kallëzues, vëllai i bashkëjetuesit nuk është paraqitur ndonjëherë si mbrojtës apo përfaqësues ligjor i tyre apo të ketë bërë ndonjë kërkesë.

“Ai më ka shpjeguar se për këta persona ka prokurë, vetëm për çështjet civile dhe kurdoherë ka ndjekur vetëm këto të fundit”, ka deklaruar Lule.

Në vijim ajo ka kundërshtuar dhe dyshimet e ngritura për gjendjen në kushtet e konfliktit të interesit. Lule ka sjellë në vëmendje parashikimet ligjore që kanë të bëjnë me bashkëjetesën duke theksuar se kur është marrë vendimi i mosfillimit nuk ka ekzistuar marrëdhënia e bashkëjetesës.

“Një udhëtim i përbashkët nuk përbën bashkëjetesë pasi nuk ka karakter të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm. […]Njohja me një person nuk nënkupton domosdoshmërisht njohjen me vëllain e tij, për më tepër të proceseve gjyqësore ku ky person (vëllai) ka pasur cilësinë e avokatit. Kjo është çështje fakti dhe nuk mund të prezumohet”, ka argumentuar Lule duke arritur të bindë Komisionin.

Nga analiza financiare e kryer gjatë hetimit paraprak është konstatuar balancë negative në shumën 3.3 milionë lekë, por pas kalimit të provës pamundësia financiare ka rezultuar në shumën 426 mijë lekë që nuk është gjetur penalizuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *