Ish-kryetari i Gjykatës së Kukësit, Isuf Shehu pas seancës dëgjimore të KPK-së. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza Korrupsioni KPA

Isuf Shehu nuk arriti të kundërshtojë në KPA balancat negative

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi më 15 nëntor 2021 të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të ish-gjyqtarit të Kukësit Isuf Shehu, pasi i gjeti të pabazuara pjesën më të madhe të shkaqeve të ankimit të ngritura prej këtij subjekti rivlerësimi – që në disa raste kishte kundërshtuar edhe konstatimet e ILDKPKI-së.

Isuf Shehu u shkarkua nga detyra prej KPK-së më 14 nëntor 2019, pasi hetimi administrativ i përfunduar vetëm për kriterin e pasurisë evidentoi mungesë burimesh të ligjshme, si dhe deklarime të pasakta e të rreme. Ai nuk arriti të bindë Komisionin se kishte mundur të ndërtonte me burime financiare të ligjshme një banesë me tre kate + bodrum në qytetin e Kukësit, si dhe u konstatuan balanca negative në blerjen e dy autoveturave.

Shehu e filloi karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1994 dhe gjatë dy dekadave të fundit deri në shkarkimin e tij nga detyra punoi në Gjykatën e Kukësit, ku prej vitit 2014 ishte emëruar si kryetar.

Veç kundërshtive për konkluzionet në kriterin e pasurisë, ish-gjyqtari Shehu ka ngritur në ankim dhe shkaqe procedurale, por që janë vlerësuar të pabazuara.

Shkaqet për pasurinë

Për pasurinë e paluajtshme “ndërtesë 3 kate + bodrum” në Kukës, Komisioni ka konkluduar se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me kohën e ndërtimit, pasi nuk e ka deklaruar ndërtimet e kryera vit pas viti, si dhe nuk ka deklaruar saktësisht përfundimin e objektit në vitin 2005 – ashtu sikurse ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit të depozituar tek ALUIZNI.

Po ashtu, KPK ka konkluduar se Shehu ka kryer deklarim të rremë të vlerës reale të shpenzuar për ndërtimin e kësaj pasurie, si dhe ka rezultuar balancë negative në shumën 5.2 milionë lekë.

Kolegji vëren se pretendimet e subjektit në ankim lidhur me këtë pasuri janë të njëjta me ato çfarë ai ka deklaruar para Komisionit, kur ka kundërshtuar rezulatet e hetimit administrativ.

“Komisioni në pjesën arsyetuese të vendimit, lidhur me vlerësimin e kësaj pasurie në pronësi të subjektit të rivlerësimit, i ka dhënë përgjigje të gjitha pretendimeve të tij dhe se, kundërshtimet e subjektit në Kolegj nuk sjellin asgjë të re në këtë drejtim”, vëren Kolegji.

KPA e çmon të pabazuar pretendimin e subjektit se nuk mund të ketë deklarim të rremë pasi ILDKPKI nuk ka ndërmarrë ndonjë procedim administrativ apo të ketë kërkuar fillimin e ndonjë procedimi penal lidhur me deklarimin e pasurive. Kolegji thekson se procesi i vetingut të magjistratëve është i ri dhe kryhet mbi bazën e një kontrolli dhe vlerësimi të mirëfilltë, duke mos u bazuar në përfundimet e organeve që kanë funksione ndihmëse dhe instrumentale, ku një ndër to është dhe ILDKPKI.

Ashtu si KPK dhe Kolegji konkludon se vlera e ndërtimit e deklaruar prej subjektit nuk mund të jetë ajo reale, pasi preventivi i përgatitur nuk përfaqëson atë të punimeve të ndërtesës objekt kontrolli, por të një objekti tjetër në kuptim të projektit arkitekturor.

“Për rrjedhojë, edhe vlera e tij, e deklaruar nga subjekti i rivlerësimit në deklaratën e pasurisë vetting, jo vetëm që nuk është vlera e shpenzuar për ndërtimin e këtij objekti, por as që përfaqëson një të dhënë relevante në drejtim të kostos së ndërtimit të tij, në kushtet kur më së paku volumet e punimeve janë të ndryshme”, konstaton trupi gjykues.

Për shumën 10.5 milionë lekë të përcaktuar si vlerë investimi në “Formularin e pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë për objektet informale” të ALUIZNI-t, Kolegji vlerëson se përllogaritja është kryer sipas formulës së përcaktuar në aktin nënligjor, për efekt të përcaktimit të nivelit të taksës. Për rrjedhojë, trupi gjykues çmon se nuk mund të merret si e dhënë zyrtare që provon vlerën e investimit të kryer nga subjekti i rivlerësimit.

Megjithatë, ndryshe nga KPK, Kolegji vlerëson se në këtë rast subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar në mënyrë të saktë dhe të plotë pasurinë, por pavarësisht këtyre konstatimeve, nuk mund të arrihet në konkluzionin se ka kryer deklarim të rremë të vlerës së investuar.

“…Nevojitej të kishte provë të vlerës së shpenzuar, me qëllim krahasimin e kësaj vlere me vlerën e deklaruar nga ana e subjektit”, argumenton KPA dhe e çmon të pabazuar konkluzionin e KPK për deklarim të rremë të vlerës së investuar.

Lidhur me kundërshtimin e subjektit se ai nuk ka kryer fshehje pasurie, Kolegji vëren se KPK nuk ka arritur në një përfundim të tillë. “Me sa kuptohet, subjekti në ankimin e tij ka kundërshtuar konstatimin e ILDKPKI-së, të referuar edhe në vendimin e Komisionit, sipas të cilit subjekti ka kryer fshehje të banesës 3 kate + bodrum në Kukës në deklaratat e interesave privatë ndër vite, si dhe në deklaratën ‘vetting’”, konstaton KPA dhe e çmon këtë pretendim të Shehut pa efekt në zgjidhjen e çështjes.

KPA i ka rrëzuar shkaqet e tjera të Shehut për këtë pasuri lidhur me pretendimet për përcaktimin e vitit të përfundimit të punimeve të banesës.

“Subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë të kundërtën e sa dëshmojnë faktet e administruara gjatë hetimit administrativ, si dhe shkaqet e ngritura në ankimin e tij nuk u gjetën të bazuara në fakte dhe në ligj, dhe për pasojë nuk arritën të bëjnë të cenueshëm konkluzionin e Komisionit lidhur me këtë pasuri”, vlerëson KPA dhe e ka gjetur të saktë analizën financiare të KPK-së prej nga është konkluduar balancë negative në shumën 5.2 milionë lekë për ndërtimin e shtëpisë tre kate.

“Pretendimi i subjektit të rivlerësimit se nëse mblidhen të gjitha të ardhurat e tij ndër vite, dhe kësaj vlere i zbritet vlera e shpenzimeve totale, si dhe vlera e pasurive të krijuara, subjekti do të rezultonte me një bilanc pozitiv, vlerësohet nga trupi gjykues si pretendim i pabazuar”, shprehet trupi gjykues dhe nënvizon se analiza financiare për vlerësimin e mjaftueshmërisë së burimeve të ligjshme për krijimin e pasurive dhe përballimin e shpenzimeve kryhet duke përllogaritur zërat e të ardhurave, shpenzimeve dhe pasurive të krijuara individualisht për çdo vit dhe duke përballur këtë rezultat me pasqyrën e deklarimeve të subjektit.

Shehu ka kundërshtuar në ankim konstatimet e ILDKPKI-së edhe për automjetin tip Mercedes Benz të blerë në vitin 2011, pasuri për të cilën Kmisioni ka konkluduar balancë negative në shumën 938 mijë lekë dhe deklarime të pasakta.

“…Pretendimet e ngritura nga subjekti i rivlerësimit në drejtim të kundërshtimit të deklarimit të rremë të vlerës së automjetit, nuk u referohen konkluzioneve përfundimtare të Komisionit lidhur me vlerësimin e kësaj pasurie të subjektit të rivlerësimit, por konkluzionit të ILDKPKI-së në raportin e saj të vlerësimit, konkluzion i cili rezultoi se nuk është konfirmuar nga ana Komisionit në vendimin e tij”, citohet në vendimin e KPA që ka çmuar të mos e shqyrtojë këtë shkak të ankimit.

Ndërkohë, Kolegji ngre pikëpyetje mbi hetimin e kryer nga KPK lidhur me konstatimin e dy deklartave të zhdoganimit të mjetit me të njëjtin numër reference dhe të njëjtën datë, por me vlera të ndryshme – ku në njërën prej tyre paraqitet shuma 260 mijë lekë, ndërsa në tjetrën vlera prej 470 mijë lekësh.

“Nga këqyrja me sy të lirë e këtyre dy deklaratave, konstatohet se në asnjërën prej tyre nuk ka ndonjë vulë revokimi, sikundër dhe nuk konstatohet asnjë element i cili të qartësojë trupin gjykues në drejtim të verifikimit të faktit se cila deklaratë është lëshuar e para dhe cila e dyta”, vëren Kolegji dhe shton se në dosjen e automjetit nuk ka asnjë mandatpagesë të lëshuar për pagesën e tarifës së zhdoganimit të këtij automjeti, duke e vështirësuar aritjen e një konkluzioni për tarifën që duhej të kishte shlyer dhe atë që realisht ka paguar.

Sipas KPA, Komisioni nuk ka kryer hetime të mëtejshme për këtë situatë. “[…]Konstatohet se Komisioni në vendimin e tij nuk ka shpjeguar arsyet se pse ka pranuar njërën deklaratë dhe jo tjetrën dhe as ka arsyetuar në lidhje me pasojat që kjo situatë faktike ka për subjektin e rivlerësimit”, citohet në vendim.

Kolegji vlerëson se kjo paqartësi e krijuar nga dokumentacioni i administruar prej organit shtetëror nuk mund të vlerësohet në dëm të subjektit të rivlerësimit.

Në këto kushte, KPA çmon se mjaftueshmëria e burimeve të ligjshme për blerjen e automjetit dhe përballimin e shpenzimeve të tjera lidhur me të, duhet të vlerësohet sipas variantit të pagesës së vlerës më të ulët të detyrimit doganor. Pavarësisht këtij vlerësimi të Kolegjit, Shehu ka rezultuar me balancë negative në shumën 712 mijë lekë për blerjen e Benz-it.

Për balancën negative për blerjen e makinës tjetër tip Audi në vitin 2003 për çmimin 1200 euro subjekti nuk ka ngritur shkak ankimi dhe për rrjedhojë Kolegji ka konfimuar rezultatin e KPK-së.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *