U vlerësua vetëm për pasurinë, gjyqtari Mustafaj kërkon përjashtimin e relatores
Lajme

U vlerësua vetëm për pasurinë, gjyqtari Mustafaj kërkon përjashtimin e relatores

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Ilir Mustafaj, i cili kandidon për Gjykatën Kushtetuese e cilësoi të paragjykuar procesin e vetingut vetëm për një kriter dhe kërkoi përjashtimin e relatores së çështjes, Xhensila Pine.  

Gjyqtari Ilir Mustafaj pas seances ne Komisionin e Pavarur te Kualifikimit. Foto: E. Hoxhaj

Kërkesa e gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Ilir Mustafaj për përjashtim të relatores së çështjes, Xhensila Pine detyroi trupën gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që të ndërpresë seancën dëgjimore të premten deri në shqyrtimin e kërkesës nga një trupë tjetër.

Kërkesa paraprake e gjyqtarit Mustafaj, i cili kandidon edhe për Gjykatën Kushtetuese, erdhi menjëherë pasi kryesuesi Lulzim Hamitaj kreu procedurën e verifikimit të palëve. Mustafaj tha se pasi u njoh me trupën gjyqësore do të paraqiste kërkesë për përjashtimin e Pines.

“Jam prej 23 vitesh gjyqtar, kam gradën ‘Doktor’ dhe titullin ‘Profesor’, jam lektor, kam kryer botime brenda e jashtë vendit dhe kam qenë përfaqësuesi i magjistraturës shqiptare në Bruksel. Si i vetmi ‘Profesor’ në sistemin e drejtësisë, vazhdoj të mbetem në shkallë të parë,” tha Mustafaj.

Gjyqtari Mustafaj tha se e kishte pritur me padurim vetingun, por pritshmëria u shua kur kishte parë se ishte vlerësuar vetëm për kriterin e pasurisë.

“Gjithë pasuria ime është vetëm një shtëpi dhe një makinë që kapin një vlerë jo më shumë se 60 mijë euro, që në fakt është trashëgimi nga nëna. Është hera e parë që shikoj të kundërshtohet prova shkresore dhe të mos kryhet ballafaqimi i tyre,” tha Mustafaj, duke e konsideruar si njëanshmëri të qëllimshme.

Gjyqtari Mustafaj tha se kundërshtonte çdo konkluzion të raportit të Komisionit dhe ngriti dyshime për paragjykim dhe njëanshmëri. Ai shtoi se më datë 10 qershor kishte dorëzuar pranë KPK-së 48 faqe parashtrime dhe 336 faqe prova shkresore. Ndërkohë, theksoi se komisionit do t’i duhej të paktën një javë kohë për t’i lexuar dhe 10 ditë kohë për t’i shqyrtuar këto prova. Gjatë paraqitjes së kërkesës nga gjyqtari Mustafaj për përjashtim të relatores Pine, ka ndërhyrë kryesuesi i treshes gjykuese të KPK-së, Lulzim Hamitaj, i cili u shpreh se fakti i përfundimit të procesit të rivlerësimit vetëm për një  kriter ishte konfirmuar tashmë edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Hamitaj shtoi se lidhur me kohën e shkurtër të shqyrtimit të dokumentacionit dhe provave, gjyqtari Mustafaj ndoshta nuk ishte në dijeni të organizimit të punës në KPK, që e mundësonte një gjë të tillë.

Gjyqtari Mustafaj u shpreh se e bazonte kërkesën e tij për përjashtimin e relatores Pine në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, legjislacionin që rregullon procesin e vettingut dhe Kodin e Procedurës Civile. Mustafaj theksoi se Komisioni ka marrë të mirëqëna thëniet e dëshmitarëve dhe nuk i ka ballafaquar ato me provat shkresore, që ai ka depozituar pranë KPK-së.

Veç përjashtimit të Pines, gjyqtari Mustafaj kërkoi që Komisioni të kryente rivlerësimin e tij edhe për kriterin e profesionalizimit dhe etikës. Trupa gjykuese u tërhoq për të vlerësuar kërkesën dhe vendosi që ajo të shqyrtohet nga një tjetër trupë gjykuese e KPK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *