Gjyqtari Ilir Përdeda duke dalë nga KPK | Foto : Edmond Hoxhaj
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Vendi

Gjyqtari Ilir Përdeda pyetet në KPK për lirimin e një zyrtari të arrestuar për trafik droge

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk evidentoi probleme për pasurinë dhe pastërtinë e figurës për gjyqtarin e Lezhës, Ilir Përdeda. Gjatë seancës dëgjimore, Përdeda u pyet lidhur me lehtësimin e masës së sigurisë të vendosur më parë ndaj një zyrtari të akuzuar për trafik narkotikësh.

Gjyqtari Ilir Përdeda duke dalë nga KPK | Foto : Edmond Hoxhaj

Gjyqtari i Lezhës, Ilir Përdeda u përball të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore ai u ptet lidhur me lehtësimin e masës së sigurisë një zyrtari të arrestuar për trafik narkotikësh. Gjyqtari Përdeda deklaroi se kishte vendosur lehtësimin e masës së sigurisë bazuar në prova. Ndërkohë, Komisioni nuk identifikoi probleme për pasurinë dhe pastërtinë e figurës.

Trupi gjykues që po kryen rivlerësimin e prokurorit kryesohet nga Lulzim Hamitaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Ilir Përdeda e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993. Ai ka punuar si gjyqtar dhe kryetar gjykate në Mirditë dhe prej vitit 2008 e ushtron funksionin pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë. Aktualisht, Përdeda është kandidat për t’u promovuar si gjyqtar Apeli në një prej garave të hapura nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Komisioni evidentoi se Përdeda është vlerësuar pozitivisht nga KLGJ lidhur me aftësitë profesionale ndërkohë që u pyet për një çështje të bërë publike në media për lehtësimin e masës së sigurisë të një zyrtari të akuzuar për trafik narkotikësh dhe për dy vendime të tjera të denoncuara nga publiku. Ndaj Përdedës janë depozituar gjithsej 18 denoncime, por në shumicën e tyre nuk janë gjetur probleme.

Qirko e pyeti Përdedën lidhur me vendimin e dhënë për lehtësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje” për zyrtarin P.B., kur vetë i ndaluari për trafik narkotikësh kishte kërkuar “arrest shtëpie”. Relatorja Qirko nuk e bëri të ditur identitetin e plotë të zyrtarit P.B., por, duke ju referuar raportimeve në media për këtë çështje, BIRN gjeti se bëhej fjalë për një vendim të shkurtit 2016, kur gjyqtari Përdeda lliroi ish-administratorin e Komunës Kaçinar në Mirditë, Petrit Bardhi – i akuzuar në atë kohë për trafik lëndësh narkotike, pasi në tetor të vitit 2015 ju gjetën pranë shtëpisë 424 kg lëndë narkotike e llojit cannabis sattiva.

“Ajo që duket e pazakontë është fakti se ai ka qenë funksionar publik i akuzuar për trafik narkotikësh dhe pasi ka qëndruar për një periudhë kohe në masën e sigurisë ‘arrest në burg’, ka këkuar ‘arrest shtëpie’, por ju keni vendosur ta lini në ‘detyrim paraqitje’. A ka mundësi që gjykata të vendosë një masë sigurie më të lehtë nga ajo e kërkuar nga palët?”, e pyeti relatorja Qirko gjyqtarin Përdeda.

“Në praktikën time po, pasi vlerësohet në prova”, tha Përdeda. Ai shtoi se nëse gjykata vlerëson se nuk duhet caktuar masa e sigurisë e kërkuar nga palët, atëherë vlerëson tjetër masë.

“Ai është deklaruar i pafajshëm për atë akuzë, kishte indicie, por pasi kaluan 2 apo 3 muaj mendova se nuk mund të lihej ajo masë sigurie, pasi edhe arresti në shtëpi ka kosto. Pas 3 muajve nuk kishte ende një akt ekspertimi nëse lënda e sekuestruar ishte canabis. Media e tjetërsoi”, u mbrojt gjyqtari Përdeda.

Ai shtoi se kishte konstatuar se i arrestuari kishte edhe probleme shëndetësore që ishin të dokumentuara para se ndaj tij të niste hetimi. “Por kam shpjeguar se gjendja shëndeësore nuk e justifikonte ndryshimin e masës së sigurisë. Kam vlerësuar duke u bazuar tek provat”, deklaroi Përdeda.

I pyetur nga kryesuesi Hamitaj se çfarë kishte ndodhur me çështjen, Përdeda pohoi se i zyrtari i proceduar për trafik droge ishte shpallur i pafajshëm për këtë vepër penale që ai kishte gjykuar.

“Është dënuar për një tjetër vepër penale që nuk është gjykuar prej meje”, pohoi ai.

Subjekti i rivlerësimit u pyet nga Hamitaj edhe lidhur me dy vendime të gjykatës së Apelit, ku me të parin ishte ndryshuar vendimi i Përdedës dhe ishte kërkuar kryerja e veprimeve të tjera – ndërsa me të dytin ishte konstatuar se detyrat e lëna nga Apeli nuk ishin kryer plotësisht.

Përdeda pohoi se pas rikthimit të çështjes ishin kryer të gjitha detyrat e caktuara.  “Unë, në arsyetimin tim mendoj se i kam zbatuar, pavarësisht se sa rëndësi u kam dhënë në vendimarrje”, pohoi gjyqtari Përdeda.

Lidhur me një denoncim tjetër, për zgjidhjen e një çështje me objekt ndarjen e pasurisë së familjes bujqësore pas martesës, Përdeda tha se ishte bazuar në një vendim të Pleniumit të Gjykatës së Lartë të vitit 1953. Ai pohoi se nuk kishte praktika të mëvonshme për çështje të ngjashme dhe se kishte konkluduar se denoncuesja e kishte humbur bashkëpronësinë pas zgjidhjes së martesës.

Sipas KPK, Përdeda ka deklaruar saktë një apartament me sipërfaqe 83 m2 në qytetin e Rubikut të përfituar nëpërmjet privatizimit në vitin 1993. Gjithashtu, në seancë u tha se prindërit e tij kishin pasur burime financiare të mjaftueshme për kryerjen e pagesës 170 mijë lekë për llogari të ndërmarrjes komunale.

Pa probleme është gjetur edhe një fond investimi në bono thesari në vlerën 7 milionë lekë në vitin 2017. Si burim për krijimin e kësaj pasurie Përdeda ka deklaruar të ardhurat e siguruara nga pagat, nga aktiviteti farmaci i bashkëshortes dhe interesat bankarë ndër vite. Relatorja Qirko tha se investimi në bono thesari kishte nisur në vitin 2007 dhe se Përdeda i kishte deklaruar saktë shtesat ndër vite. Në përfundim të vlerësimit të kësaj pasurie, Komisioni ka konkluduar se Përdeda dhe bashkëshortja e tij kanë pasur burime të mjaftueshme për ta krijuar.

Gjithashtu ka rezutluar se bashkëshortët Përdeda kanë pasur burime të ligjshme për krijimin e një gjendje cash në shumën 1 milionë lekë, si dhe për çeljen e një llogarie biznesi për aktivitetin farmaci në shumën 1.1 milionë lekë në vitin 2016.

Komisioni ka verifikuar edhe dy transaksione të kryera nga bashkëshortja e Përdedës në vitin 2019. Sipas KPK, subjekti ka pasur mundësi financiare për pagesën e vlerës 240 mijë lekë në vitin 2019 për blerjen e një makine për vajzën dhe dhënien e një huaje për vëllanë e bashkëshortes në shumën 400 mijë lekë. Të dyja pagesat ka rezultuar se janë kryer nga llogaria bankare e bashkëshortes së subjektit.

Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtari Ilir Përdeda falënderoi Komisionin për procesin e rivlerësimit të kryer ndaj tij dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet me datë 23 prill, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *