KPK: Prokurorja Rita Gjati nuk e kundërshtoi dot barrën e provës në të tre kriteret

Analiza dhe Opinione
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i konsideron jo bindëse pretendimet e subjektit, për burimet e pasurisë, kontaktet e papërshtatshme me një person të përfshirë në krimin e organizuar dhe problemet për profesionalizmin, pasi nuk përputhen me deklarimet e mëparshme të saj dhe provat e siguruara gjatë hetimit administrativ.

Prokurorja e Kukësit, Rita Gjati në KPK. Foto: LSA

Prokurorja në Prokurorinë e Kukësit, Rita Gjati kishte arritur të shmangte një dekret shkarkimi të Presidentit të Republikës të vitit 2008 me anë të një vendimi të Gjykatës së Apelit Tiranë, por nuk arriti të kundërshtojë barrën e provës për problemet e shumta të gjetura nga Komisioni i Pavarur i kualifikimit, KPK në të tri kriteret e rivlerësimit që sollën largimin e saj nga detyra më 19 mars 2021.

Në vendimin e arsyetuar Komisioni rendit një listë të gjatë gjetjesh dhe evidenton se ajo nuk ka qenë plotësisht bashkëpunuese. Trupi gjykues sjell në vëmendje se Gjati, edhe pse u është përgjigjur në kohë pyetësorëve, nuk ka dhënë shpjegime shteruese dhe se ka tentuar zvarritje të procesit duke depozituar kërkesa të njëpasnjëshme, të cilat synonin pezullimin ose vonesën e procesit të rivlerësimit.

Rita Gjati e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 si prokurore në Sarandë, por në vitin 2008 ajo u shkarkua nga Prokurorja e Përgjithshme e kohës, Ina Rama pas një inspektimi të kryer nga Prokuroria e Përgjithshme.

Gjati e kundërshtoi shkarkimin si të paligjshëm në gjykatë dhe e fitoi çështjen, së bashku me disa prokurorë të tjerë. Ajo u rikthye në detyrë në vitin 2013 dhe në vitin 2014 u emërua në Prokurorinë e Kukësi.

Problemet për pasurinë

Komisioni kontsaton se Gjati ka kryer fshehje të pasurisë dhe se nuk ka pasur burime të ligjshme për krijimin e tyre; si dhe ka kryer deklarim të rremë, të pasaktë, të paplotë dhe të pamjaftueshëm në këtë kriter rivlerësimi.

Nga analiza financiare është konstatuar pamundësi për investimet e kryera në një apartament me sipërfaqe 130 m2 në Sarandë – pasuri e përfituar nga bashkëshorti me vendim të Gjykatës së Sarandës në vitin 1999, si një prej punonjësve të Ndërmarrjes së Ujrave.

Komisioni nuk e ka konsideruar si burim të ligjshëm shumën 1 milion lekë nga shitja e truallit, pasi nuk është provuar shlyerja e detyrimeve tatimore. Gjithashtu, janë rrëzuar edhe pretendimet se për shpenzimet jetike deri në vitin 2002 ka kontribuar edhe vjehrri, pasi kanë jetuar së bashku dhe se bashkëshorti ka përfituar të ardhura duke qenë pjesë e minoritetit grek, pasi këto burime nuk janë provuar dhe nuk janë deklaruar më parë.

Nga hetimi është evidentuar edhe pronësia e një garazhi me sipërfaqe 98 m2, në bashkëpronësi, të padeklaruar nga subjekti. Megjithëse prokurorja Gjati ka pretenduar se nuk ka pasur dijeni, Komisioni konstaton se bashkëshorti ka pasur dijeni të plotë për garazhin dhe pjesën e tij takuese, pasi ka qenë e përcaktuar në vendimin gjyqësor.

Një marrëveshje paraprake e vitit 2015, për blerje apartamenti në Tiranë kundrejt vlerës 6 milionë lekë, në emër të djalit të subjekti, Gj.M., ka sjellë penalizim për prokuroren Gjati jo vetëm për kriterin e pasurisë, por edhe për atë të pastërtisë së figurës. Kjo, pasi shitësi i apartamentit ka rezultuar se është arrestuar si pjesëtar i një organizate ndërkombëtare të trafikimit të narkotikëve.

Nga të dhënat e sistemit TIMS ka rezultuar se djali i Gjatit nuk ka qenë në Shqipëri ditën e shlyerjes së këstit të parë në shumën 2 milionë lekë.

Subjekti ka pretenduar se djali nuk ka qenë në Shqipëri atë ditë dhe as nuk ka deklaruar një fakt të tillë. Ajo ka deklaruar se djali nuk ka nënshkruar asnjë kontratë, nuk ka negociuar dhe nuk ka takuar asnjë person nga shoqëria shitëse.

Sipas saj, i biri lidhet me procesin e blerjes së apartamentit, për shkak se filloi si negocim nga ana e tyre për një kontratë shkëmbimi trualli në Sarandë në emër të djalit, me një apartament  në zonën e Freskut në Tiranë që ndërtohej nga shoqëria shitëse.

Komisioni i vlerëson jo bindëse shpjegimet e subjektit, pasi së bashku me deklaratën veting ajo ka depozituar deklaratën noteriale si dokument provues për të vërtetuar pagesën e shumës 2 milionë lekë për apartamentin e porositur nga i biri.

Trupi gjykues vëren se Gjati, edhe pse ka pasur dijeni për këtë deklaratë që në muajin mars të vitit 2016 dhe për faktin se aty gjendeshin të dhëna jo të sakta, e ka depozituar së bashku me deklaratën veting. Sipas KPK, ky fakt dhe mospërputhja me të dhënat e siguruara nga hetimi, e vendosin subjektin në kushtet e deklarimit të pasaktë, të paplotë, të pamjaftueshëm dhe të rremë.

Nga analiza financiare ka rezultuar se subjekti dhe familjarët e saj nuk kanë pasur mundësi për shlyerjen e këstit të parë në shumën 2 milionë lekë në qershor të 2015-ës. Burimet e deklaruara për shlyerjen e kësaj shume është konstatuar se janë përfituar pas kryerjes së pagesës dhe në një rast vlera e një overdrafti nuk është tërhequr.

Komisioni ka gjetur se djali i subjektit ka përfituar në vitin 2000 nga Bashkia Sarandë një truall për ndërtim me sipërfaqe 550 m2, pavarësisht se ishte vetëm 5 vjeç. Prokurorja Gjati nuk e ka deklaruar asnjëherë këtë pasuri në deklaratat periodike, përfshirë edhe deklaratën veting.

Në përfundim, Komisioni çmon se subjekti dhe personi i lidhur ka kryer deklarim të paplotë e të pamjaftueshëm për truallin dhe se e ka kryer fshehje pasurie.

Kontaktet me krimin e organizuar

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar dy raporte të ndryshme në KPK, ku në të parin nuk evidentonte probleme, ndërsa në të dytin konstatonte papërshtatshmërinë e prokurores Gjati duke ngritur dyshime për përfshirje në veprimeve korruptive në vitet 2005, 2014, 2016 dhe 2017.

KPK shprehet se një pjesë e rezultateve të raportit profesional përputhet dhe mbështetet me informacionin e ardhur nga organet ligjzbatuese.

Komisioni e ka përqëndruar hetimin për pastërtinë e figurës në marrdhënien e subjektit dhe të familjarëve të saj me shitësin e apartamentit Sh.K., i cili  ka qenë i proceduar për veprat penale “grup i strukturuar kriminal” dhe “trafik i narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Ai është arrestuar në korrik të vitit 2016 për trafikim të lëndëve narkotike.

Në vendimin e KPK evidentohen raportimet e disa medieve lidhur me arrestimin e Sh.K. në kuadër të operacionit të koduar “Ballkan” të shtrirë në Shqipëri dhe në disa vende të tjera si në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Bullgari, Turqi dhe Itali, të koordinuar nga DEA amerikane.

Prej këtyre raportimeve kuptohet se shitësi i apartamentit është Shyqyri Kotorri, investitor në fushën e ndërtimeve. Ky shtetas është dënuar më 31 tetor 2018 nga ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda për veprën penale “trafikim i narkotikëve, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal”.

Kur Gjati është pyetur në lidhje me marrëdhënien që i biri ka pasur me Kotorrin, ka sqaruar se djali nuk është takuar dhe nuk ka komunikuar asnjëherë me këtë shtetas, por se ka qenë ajo dhe bashkëshorti i saj që kanë komunikuar me të gjatë gjithë kohës. Ajo ka sqaruar se apartamenti është blerë në emër të djalit, pasi si burim do të shërbente trualli që ai kishte përfituar nga Bashkia Sarandë.

Nga hetimi dhe nga deklarimet e vetë subjektit, ka rezultuar se ajo dhe bashkëshorti janë takuar disa herë me Sh.K. gjatë periudhës 2013-2015.

Pas kalimit të barrës së provës, Gjati ka pretenduar se kontakti i saj dhe i familjes së saj me shtetasin Sh. K. ka qenë rastësor dhe vetëm për strehimin e familjes. Ajo ka këmbëngulur se nga momenti që ka mësuar për arrestimin e tij, nuk kanë pasur më asnjë kontakt me atë person.

Nga hetimi ka rezultuar se 2/3 e vlerës së apartamentit janë shlyer disa vite pasi ata jetonin në këtë apartament dhe KPK vëren se Gjati duhej të kishte deklaruar se djali i saj ose ajo kanë pasur kontakte me një person të përfshirë në krimin e organizuar.

Profesionalizmi me gabime serioze

Komisioni ka gjetur probleme të shumta edhe për aspektin profesional duke konstatuar se prokurorja Gjati ka kryer në vazhdimësi hetime të gabuara, që tregojnë për një mënyrë pune, që nuk pajtohet me pozicionin e prokurorit.

Mangësi janë gjetur edhe në dokumentet ligjore të dorëzuara nga vetë subjekti, ku në dy kërkesa për gjykim, një e vitit 2015 dhe tjetra e vitit 2016, në ngarkim të disa shtetasve të proceduar për shpërdorim detyre, ka rezultuar se Gjati ka reflektuar gjykim dhe aftësi të dobëta, pasi nuk është thelluar në arsyetim, duke mos analizuar dhe cituar veprimet ose mosveprimet e shtetasve të verifikuar.

Problemet profesionale kanë qenë të hershme për prokuroren Gjati. Nga të dhënat arkivore pranë Prokurorisë së Përgjithshme është konstatuar se ndaj saj ka pasur disa urdhëra të Prokurorit të Përgjithshëm për procedime disiplinore, pasi janë gjetur veprime hetimore të mangëta apo në kundërshtim me ligjin.

Në vitin 2008 Prokurori i Përgjithshëm i ka kërkuar Presidentit të Republikës shkarkimin e Gjatit, por dekreti i Presidentit është rrëzuar nga Gjykata e Apelit Tiranë.

Nga verifikimi i ankesave në Prokurorinë e Përgjithshme janë evidentuar mangësi të subjektit në hetimin e disa çështjeve, si dhe cënim të lirive dhe të drejtave të qytetarëve.

Ndaj prokurores Gjati janë regjistruar tre procedime penale në Prokurorinë e Lezhës, ku në një rast ka rezultuar se ajo ka telefonuar djalin e një personi në hetim, i cili më pas e ka kallëzuar për “përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike”.

Ndërkohë, nga verifikimi i një prej denoncimeve publike në median e shkruar, ka rezultuar se Gjati ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për një person të dënuar nga drejtësia kroate për disa vepra penale, i cili pas lirimit është larguar nga Shqipëria.

Sipas Komisionit, nga dosjet e verifikuara ngrihen dyshime për favorizim të personave nën hetim.

Në vendim thuhet se subjekti ka njohuri të cekëta, gjykim të dobët, si dhe një mënyrë pune që nuk pajtohet me pozicionin e saj në lidhje me kryerjen e procedurave dhe veprimeve të nevojshme hetimore. Sipas KPK, të gjitha të metat e konstatuara në vlerësimin profesional të subjektit vlerësohet se cenojnë besimin e publikut te një prokuror.