Seanca e prokurores Manjola Kajana në KPA | Foto : E. Hoxhaj
KPA Lajme Veting

KPA rrëzon ankimin e Skënder Daminit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të premten të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ndërprerjen e vetingut për ish-gjyqtarin e Apelit Vlorë, Skënder Damini si dhe ndalimin e rikthimit të tij në sistemin e drejtësisë, pas dorëheqjes së tij.

Në njoftimin e Kolegjit thuhet se vendimarrja për rrëzimin e ankimit të Daminit ndaj vendimit të Komisionit u mor në mënyrë unanime nga trupa gjykuese e kryesuar nga Mimoza Tasi, me relator Sokol Çomo dhe anëtarë Albana Shtyllën, Ina Ramën dhe Natasha Mulajn.

Gjyqtari Skënder Damini kërkoi më 17 nëntor 2021 dorëheqjen nga detyra, vetëm pesë ditë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK i kishte kaluar barrën e provës për pasurinë, kriterin e rivlerësimit për të cilin është përmbyllur hetimi administrativ. Në përfundim, Damini kërkoi që procesi i vetingut ndaj tij të mos fillojë ose pushohet me qëllim shmangien e sanksionit që i ndalon rikthimin në drejtësi, megjithëse KPK ishte investuar për afro tre vjet në hetimin ndaj tij.

Kjo kërkesë e Daminit nuk u pranua nga KPK që vendosi më 14 dhjetor të ndëpresë procesin e rivlerësimit për këtë subjekt dhe ti ndalojë riemërimin në institucionet e drejtësisë në pozicione që kërkojnë gëzimin e statusit të magjistratit.

Skënder Damini dhe dy kolegët e tij, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj u hetuan nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, pas vendimit për lehtësimin e dënimit të Dritan Dajtit.

Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e katër punonjësve të policisë dhe ndodhej në qeli prej masakrës së vitit 2009. Megjithatë, më 8 shkurt 2019 një trupë gjyqësore e komanduar pranë Apelit vendosi të shuante burgimin e përjetshëm për Dajtin, duke e dënuar atë me 25 vjet burg.

Pak ditë pas vendimit të debatueshëm, Krimet e Rënda urdhëruan kontrolle në shtëpitë e 3 gjyqtarëve, por pas një viti e gjysmë hetime dhe rikthimit të çështjes dy herë për rihetime të mëtejshme, Gjykata e Posaçme vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë për pushimin e hetimeve.

Gjyqtari Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj janë shkarkuar më parë nga detyra prej KPK-së për problemet e konstatuara për pasurinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *