Gjyqtarja Flojera Davidhi në seancë dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtarja Flojera Davidhi përballet me vetingun

Gjatë seancës dëgjimore nuk u evidentuan probleme për pasurinë dhe figurën për gjyqtaren e Korçës, Flojera Davidhi, ndërkohë që u debatua mbi një vendim pafajësie për një zyrtare lokale të akuzuar për korrupsion.

Gjyqtarja Flojera Davidhi në seancë dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja Flojera Davidhi e Gjykatës së Korçës u përball të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore u njoh me gjetjet e hetimit administrativ për të tri kriteret e rivlerësimit.

Trupi gjykues që po kryen procesin e vetingut për gjyqtaren Davidhi kryesohet nga Pamela Qirko, me relatore Etleda Çiftjen dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Flojera Davidhi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Në tetor 2019, Davidhi u komandua për një periudhë 2-vjeçare si këshilltare ligjore pranë Njësisë Mbështetëse të komisioneve në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Relatorja Etleda Çiftja tha në fillim të seancës se procesi i rivlerësimit për gjyqtaren Davidhi ishte përfunduar në të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Komisioni nuk ka gjetur probleme në pjesët takuese të gjyqtares Flojera Davidhi në dy sipërfaqe toke bujqësore të përfituara nga familja e oirigjinës në vitin 1993 në bazë të “Ligjit për tokën” në fshatin Goricaj të Lushnjës. Po ashtu, kanë rezultuar pa probleme edhe rezultatet e hetimit administrativ për pjesët takuese në shtëpinë e ndërtuar nga prindërit në vitin 1986 dhe të një njësie shërbimi në vitin 2001, në proces legalizimi, që janë përfituar nëpërmjet trashëgimisë nga babai i ndjerë.

Çiftja tha se subjektit të rivlerësimit nuk i është kaluar barra e provës për këto pasuri dhe për dy prona të prindërve të bashkëshortit, të cilat ishin krijuar përpara lidhjes së martesës dhe emërimit të Davidhit si gjyqtare.

Komisioni nuk i ka kaluar barrën prove edhe lidhur me burimet e krijimit të një depozite bankare në emër të bashkëshortit në shumën 4 milionë lekë. Bashkëshorti i gjyqtares ka deklaruar se është mbajtës i llogarisë bankare në vlerën e 4 milionë lekëve në pronësinë e motrës së tij, e cila e ka përfituar këtë shumë nga puna në Mbretërinë e Bashkuar ku ka jetuar pa leje qëndrimi në atë kohë.

Sipas KPK-së, është konstatuar se bashkëshoti i gjyqtares ka kryer disa tërheqje fondesh nga depozita. Relatorja Çiftja sqaroi se subjekti ka deklaruar se këto vlera janë tërhequr për llogari të familjes së origjinës së kunatës dhe me kërkesë të saj. Çiftja konstatoi se kjo llogari bankare është hapur para martesës si dhe para fillimit të detyrës nga subjekti.

Ajo shtoi se bazuar në këto rezultuate, si dhe nga fakti se nuk janë gjetur indicie për fshehje, subjektit të rivlerësimit nuk i ka kaluar barrë prove për këtë konstatim.

Komisioni ka gjetur pamundësi financiare për krijimin e një gjendje cash në shumën 200 mijë lekë, pasi është konstatuar balancë negative në shumën 134 mijë lekë.

Gjyqtarja Flojera Davidhi pohoi gjatë seancës dëgjimore se balanca negative është konstatuar si pasosjë e mosllogaritjes së disa pagave të bashkëshortit, për shkak se punëdhënësi nuk kishte paguar sigurimet shoqërore. Ajo theksoi se edhe ata vetë e kishin mësuar këtë fakt gjatë hetimit të kryer nga KPK-ja. Sipas Davidhit, ka qenë detyrim i punëdhësit që paguante sigurimet, ndërkohë që sipas saj, bashkëshortit i është dhënë paga neto.

Nga analiza e përgjithshme financiare ka rezultuar se bashkëshortët kanë pasur burime financiare të mjaftueshme për kryerjen e shpenzimeve.

Gjyqtarja Flojera Davidhi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës. Gjithashtu u konstatua se ajo ka aftësi të mira profesionale, organizative, se ka etikë në punë dhe aftësi personale.

Në seancë u evidentua se ndaj Davidhit janë kryer katër ankesa pranë Ministrisë së Drejtësisë gjatë periudhës 2018-2020, të cilat janë arkivuar. Edhe në denoncimet e kryera prej publikut nuk u konstatuan probleme.

Relatorja Çiftja solli në vëmendje edhe denoncimet e kryera në media, prej nga Komisioni ka veçuar një rast kur gjyqtarja Davidhi ka shpallur të pafajshme një zyrtare të akuzuar për korrupsion pasiv, edhe pse ajo vetë kishte kërkuar një dënim të lehtë.

Nga sa u relatua dhe shpjegua gjatë seancës dëgjimore, u kuptua se bëhej fjalë për vendimin për shpalljen e pafajshme të ish- kryeregjistrueses së Hipotekës së Bilishtit, Valbona Beshi.

Gjyqtarja Davidhi theksoi se nga provat e shqyrtuara gjatë gjykimit nuk rezultonte se veprimet e kryera prej të pandehurës V.B. përbënin vepër penale.

“Gjykata duhet të bazohet në atë që provohet në procesin gjyqësor, bazuar në prova,” pohoi Davidhi. “Ka një konfondim se e pandehura ka kërkuar dënim më të lehtë nga sa kërkoi prokuroria. Ajo ka kryer veprime jo konform detyrës, por jo konform veprës penale për të cilën akuzohet,” pohoi Davidhi.

Ajo theksoi se nuk do të kishte qenë ligjore të dënohej dikush, pse e pranonte akuzën, pavarësisht se nuk ka kryer elementë të veprës penale.

Në fund të seancës, kryesuesja Pamela Qirko solli në vëmendje se nuk ishte në tagrin e Komisionit që të gjykonte themelin e çështjes.

“Ky është një rast i bërë mediatik dhe kërcet…. Ka vend për diskutim. Ka një video ku ajo shfaqet duke marrë një ryshfet për t’ia dhënë dikujt tjetër,” vërejti Qirko.

Gjyqtarja Flojera Davidhi deklaroi se i qëndronte vendimit të dhënë prej saj. “Ka shkelje etike, por duhet të provohet jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm vepra penale. Sipas bindjes time, prokuroria nuk e provoi dot. Kam dhënë drejtësi,” përfundoi Davidhi.

KPK njoftoi se seanca për shpalljen e vendimit do të zhvillohet të martë, më 18 maj, ora 09:15.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *