Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Vendi

Konflikti i dyshuar i interesit, KPK shkarkon gjyqtarin Fatri Islamaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi me shumicë votash Gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj.

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Fatri Islamaj pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Gjyqtari i Apelit të Tiranës Fatri Islamaj u shkarkua me votat e shumicës së trupës që hetoi rastin e tij në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Trupa që  kreu procesin e rivlerësimit të gjyqtarit Islamaj përbëhej nga Lulzim Hamitaj kryesues, Valbona Sanxhakatari relatore dhe Pamela Qirko anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Hans Klijstra. Islamaj mungoi gjatë shpalljes së vendimit.

Islamaj u përball gjatë një seance të gjatë dëgjimore me probleme të pasurisë dhe dyshime për dy raste konflikti interesi. Sipas relatimit ai kishte marrë pjesë si anëtarë trupe gjykuese në një rast ndaj ILDKPKI, e cila kishte gjobitur të vëllain. Në një rast të dytë iu bë me dije se kishte qenë pjesë e një trupi gjykues ndaj një kompanie ndërtimi e cila po ashtu kishte pasur marrëdhënie tregtare më të vëllain, i cili kishte blerë prej saj një apartament.

Islamaj po ashtu u gjet sipas KPK me bilanc negativ financiar prej 1.5 milion lekësh dhe disa probleme të tjera të pasurisë. Islamaj, njëherazi anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi gjatë këtij viti, kundërshtoi gjetjet e KPK. Ai tha se nuk ishte vënë në dijeni të konfliktit të mundshëm të interesit dhe kundërshtoi analizën financiare.

Fatri Islamaj ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2003-2006 dhe e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor nga Gjykata e Fierit. Në vitin 2010, ai është transferuar në Gjykatën e Tiranës dhe tre vjet më vonë u emërua kryetar i kësaj Gjykate.

Pas tre vitesh drejtimi të Gjykatës së Tiranës, Fatri Islamaj u dekretua nga presidenti Nishani si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës në vitin 2016. Gjatë këtij viti, Islamaj ka ushtruar gjithashtu funksionin si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i zgjedhur përmes shortit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *