Drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella në KPK. | Foto : LSA
KPK Lajme Vendi

KPK konfirmon dhe dërgon për procedim prokuroren e Durrësit, Anita Jella

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë në detyrë drejtuesen e Prokurorisë së Durrësit Anita Jella, por e dërgoi atë për procedim disiplinorë dhe kërkoi që problemet në dy dosje, përfshi hetimet në Kadastrën e Durrësit të merreshin parasysh në vlerësimin profesional vjetor.

Drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella në KPK. | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të martën të konfirmojë në detyrë drejtuesen e Prokurorisë së Durrësit Anita Jella, por e dërgoi atë për procedim disiplinorë dhe kërkoi që problemet në dy dosje, përfshi atë për hetime në Kadastrën e Durrësit të merreshin parasysh në vlerësimin profesional vjetor.

Procesi i vetingut për Jellën u krye nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Xhensila Pine, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Etleda Çiftja. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Çështja për të cilën Jella u referua për procedim disiplinorë duket se ka të bëjë me hetimin ndaj një personi të dyshuar për mbajtje narkotikësh. Jella kishte pushuar çështjen pasi të dyshuarit nuk i ishte gjetur drogë. Por vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs këmbënguli që hetimi ishte i cekët në këtë rast.

Ndërkohë sa i përket qëndrimit të Jellës si drejtuese për dy dosje që kishin të bënin me hetimet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Durrës dhe atë ndaj një gjyqtareje të Apelit Tiranë, KPK tha se do ia kalonte Këshillit të Lartë të Prokurorisë për tu marrë parasysh në vlerësimin profesional vjetor të Jellës.

Jella, e cila iu nënshtrua rivlerësimit për të tre kriteret, u pyet gjërësisht gjatë seancës dëgjimore nga vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs në lidhje me qëndrimet e saj si drejtuese në dy dosjet. Prokurorja tha se në rastin e parë ajo nuk kishte pasur asnjë mundësi për të ndikuar prokurorin, ndërsa shpjegoi se ndërhyrja e saj në rastin e dytë, që nuk ishte marrë parasysh nga prokurori i çështjes, kishte të bënte me faktin se paralelisht po zhvillohej një hetim proaktiv nga një prokuror tjetër.

Vendimet e KPK për nisje procedimesh disiplinore kanë mbetur pezull, për shkak se ende nuk është ngritur Inspektori i lartë i Drejtësisë.

Anita Jella është një ndër 15 prokurorët e zgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK dhe procesi i vetingut është hallka e fundit që i duhet për t’u emëruar në këtë post.

Jella ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1999 dhe Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002. Ajo e ka filluar karrierën si prokurore në Elbasan në vitet 2001-2003 dhe më pas ka punuar si drejtuese e Prokurorisë së Librazhdit deri në vitin 2007.

Pas rikthimit për një vit në Prokurorinë e Elbasanit, Jella u emërua prokurore në Prokurorinë e Durrësit, ku e ushtron funksionin prej 10 vitesh. Më 9 maj 2018, Anita Jella u caktua drejtuese e Prokurorisë së Durrësit nga kryeprokurorja Arta Marku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *