Gjyqtari Markelian Kuqo pas një seance në KPA. Foto:Vladimir Karaj/BIRN
KPA Lajme

KPA pezullon çështjen e shkarkimit të gjyqtarit Markelian Kuqo

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të premten të pezullojë gjykimin e ankimit të gjyqtarit të Korçës, Markelian Kuqo, kundër vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ për shkarkimin e tij nga detyra. Shkak për pezullimin u bë mungesa e një praktike të unifikuar nga Gjykata e Lartë lidhur me rastet e lirimit me kusht të të dënuarve me burgim të përjetshëm. Ndërkohë dhe çështja për të cilën u procedua dhe shkarkua gjyqtari Kuqo, është në pritje të shqyrtimit në Gjykatën e Lartë.

Ngjashëm si në rastin e procesit disiplinor për ish-anëtarin e KPA-së, Luan Daci, kur u vendos pezullimi i procesit deri në vendimarrjen e Gjykatës së Lartë, edhe në këtë rast u vendos që gjykimi për Kuqon të mbetet pezull.

Gjyqtari Markelian Kuqo u shkarkua nga KLGJ me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani një vit më parë, për shkelje të rënda dhe cënim të besimit te drejtësia në vendimin për lirimin me kusht “të dënuarit me burgim të përjetshëm Gerd Gjenerari, i gjetur fajtor për një vrasje të kryer në vitin 1997”.

Seanca e të premtes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nisi me një problem teknik, që bëri të pamundur për gati 10 minuta ndjekjen e drejtëpërdrejtë në ekranin e vendosur në korridorin e KPA-së për shkak të masave kundër COVID-19. Nga sa u arrit të kuptohej, përfaqësuesi i KLGJ-së dhe ato të ILD-së u dhanë përgjigje pyetjeve të Kuqos, që kishin të bënin me procedurën e ndjekur për procedimin e tij disiplinor dhe provueshmërinë e vendimarrjes për shkarkimin e tij.

Duke ju përgjigjur pyetjeve të Kuqos, përfaqësuesi i KLGJ-së theksoi se në lirimin e Gjenerarit vërehet se vendimarrja është kryer në shkelje të rënda profesionale që cënojnë etikën e magjistratit. Sipas tij, rrezikshmëria e Gjenerarit bazohej në vendimin e Apelit që kishte rrëzuar vendimarrjen e Kuqos, si dhe fakti se ndaj të pandehurit ishte vendosur dënimi më i lartë i mundshëm.

Për konstatimin e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia, KLGJ argumentoi se ishte konkluduar si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të magjistratit Kuqo që kishin sjellë lirimin e një personi me rrezikshmëri të lartë, si dhe impaktin dhe ndjeshmërinë publike që kishte krijuar.

Edhe përfaqësueset e ILD-së vërejtën se në vendimin e Kuqos ishin përshtatur me parashikimet ligjore që të mundësohej arsyetimi për lirimin e Gjenerarit. Sipas ILD-së, shkeljet e rënda disiplinore konsiderohet se janë kryer në ushtrimin e detyrës nga ana e Kuqos, pasi gjykata e apelit ka vlerësuar se subjekti nuk ka zbatuar ligjin duke injoruar dhe praktikën unifikuese.

Lidhur me pretendimin e Kuqos se përse duhej të kosiderohej si i drejtë vendimi i Apelit dhe jo vendimarrja e tij, përfaqësuesja e ILD-së u përgjij me anë të një pyetje retorike. “Nëse gjykata e Apelit do ta kthente për rigjykim, a mund ta kundërshtonte gjyqtari i shkallës së parë?”, pohoi ajo.

Megjithëse Kuqo ka pretenduar se nuk është vendosur në dijeni për procedimin disiplinor ndaj tij, KLGJ këmbëngul se ka qenë i njoftuar. Ndërsa për rrëzimin e kërkesës së subjektit për përjashtimin e anëtarëve të këshillit që ishin pjesë e procedurës disiplinore gjatë një seancë dëgjimore, u argumentua se legjislacioni përcakton se një kërkesë e tillë mund të kryhet vetëm në fazën paraprake.

Sipas KLGJ, e rëndësishme është se hetimi disiplinor ndaj Kuqos ka filluar vetëm pasi ishin administurar provat.

Kuqo u qëndroi pretendimeve se nuk ka asnjë akt për njoftimin e raportit përfundimtar për procedimin disiplinor të filluar ndaj tij. Ai theksoi se nuk ka asnjë provë të vetme ku të jetë bazuar vendimarrja për shkarkimin që e cilësoi si të bazuar në një proces jo të rregullt ligjor. “Këshilli duke paragjykuar ka çuar në shkarkim, por pa përmendur asnjë provë. Pse nuk kanë bërë referenca të provave? Sepse nuk kishin prova kundër, pasi provat do të rrëzonin katërcipërisht raportin e ILD-së dhe të KLGJ-së”, pohoi Kuqo dhe kërkoi që gjithë procesi disiplinor ndaj tij të cilësohet në cënim të procesit të rregullt ligjor.

Kuqo kërkoi më shumë kohë për të paraqitur një qëndrim të plotë, si dhe kërkoi regjistrimin audio të seancës së KLGJ-së kur ishte marrë vendimi ndaj tij, duke pretenduar se vetëm 5 sekonda pas vendimarrjes, relatori i çështjes u ishte drejtuar anëtarëve të këshillit duke iu thënë “ju lumshin këmbët dhe duart”. Ai pretendoi se regjistrimi audio do të vërtetonte se vendimarrja ndaj tij nuk kishte qenë objektive.

Kërkesa për marrjen e regjistrimit audio të seancës u konsiderua e pabazuara nga KLGJ dhe ILD dhe u rrëzua nga Kolegji. Gjyqtari Kuqo vërejti se KPA u kishte dhënë kohë palëve kundërshtare dhe e konsideroi këtë vendimarrje në cënim të të drejtës për një proces të rregullt ligjor.

Në vijim, relatorja e çështjes, Ina Rama pyeti përfaqësuesit e KLGJ-së dhe të ILD-së se çfarë impakti do të kishte vendimarrja e Gjykatës së Lartë, nëse do të kishte ndryshim të vendimit të apelit, duke lënë në fuqi atë të Kuqos për lirimin e Gjenerarit.

Ata argumentuan se vendimi i Apelit ishte i formës së prerë dhe për rrjedhojë i ekzekutueshëm. “Nuk e dimë se si do të disponojë Gjykata e Lartë. Pastaj mund të veprohet në bazë të atij vendimi”, pohoi përfaqësuesi i KGJ-së. Të njëjtin qëndrim mbajti dhe ILD.

Pasi u tërhoq, Kolegji vendosi me shumicë votash të pezullojë gjykimin e çështjes për Kuqon deri në zgjidhjen përfundimtare në Gjykatën e Lartë të çështjes penale për lirimin e Gjenerarit.

“Referuar rrethanave të çështjes objekt shqyrtimi, mungesës së kontrollit përfundimtar dhe të plotë të sistemit gjyqësor mbi vendimmarrjen e vetme të magjistratit që është konsideruar se ka përbërë shkelje disiplinore, interpretimit dhe analizës së ligjit penal të kryer në çështjen konkrete, si dhe në kushtet e mungesës së një praktike gjyqësore të njësuar, Kolegji vlerëson se marrja e një vendimi për procedimin disiplinor të ankuesit do të ishte e cënueshme pa pasur një qëndrim përfundimtar të Gjykatës së Lartë,”tha kryesuesja Albana Shtylla. Po ashtu u vendos që vendimi t’i njoftohet Gjykatës së Lartë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *