Prokurori Arian Xhaferraj, pas seancës dëgjimore në KPK. Foto:Vladimir Karaj/BIRN
KPK Lajme

Prokurori Arian Xhaferraj përballet me vetingun

Prokurori i Vlorës Arian Xhaferraj u përball të premten në seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Xhaferraj ishte hetuar në të tre kriteret, ndërsa siç u tha në seancë i ishin kërkuar shpjegime kryesisht në kriterin e pasurisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i kryesuar nga Suela Zhegu, me anëtare Etleda Çiftja dhe relatore Alma Faskaj, tha se gjatë hetimit ishin gjetur po ashtu mospërputhje mes deklarimeve të bëra nga prokurori mbi gjendjen cash. Ai po ashtu u pyet mbi vendimin për mosfillim të hetimeve për dy çështje, përfshi një kallëzim të familjes Bua nga Himara ndaj “personave me pushtet”.

Xhaferraj tha në seancë se ai kishte dhënë shpjegime të detajuara Komisionit dhe vlerësoi hetimin e kryer. Ai tha se mospërputhjet në një deklarim kishin të bënin me një keqkuptim të tijin, por këmbënguli se duhej mbajtur parasysh deklarimi para fillimit të detyrës dhe ai i bërë në veting. Xhaferaj po ashtu këmbënguli se vendimet e mosfillimit kishin qenë të drejta.

Arian Xhaferraj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore. Prej vitit 2015, ai e ushtron funksionin e prokurorit pranë Prokurorisë së Rrethit Vlorë.

Pasuria

Nga relatimi i Faskajt u vunë në dukje dy probleme për të cilat KPK kishte kërkuar shpjegime nga Xhaferraj.

Faskaj tha se prokurori kishte vendosur në llogari bankare një shumë 600 mijë lekë. Prokurori pretendonte se kjo shumë ishte pjesë e kursimeve cash dhe ishte transferuar në bankë, por faskaj tha se ai nuk kishte deklaruar në deklaratën pas ardhëse pakësimin e kursimeve cash.

Xhaferraj përsëriti mbrojtjen. Ai tha se shuma ishte deklaruar në deklaratën para fillimit të detyrës në vitin 2015 si gjendje cashi nga kursimet dhe po ashtu ishte deklaruar në deklaratën veting sëbashku me sqarimet. Ai tha Komisionit ta merrte parasysh në analizë financiare këtë shumë.

KPK po ashtu i kishte kërkuar prokurorit shpjegime mbi shitjen e një makine me çmim më të shtrejtë se sa ajo ishte blerë dhe pagesën e tatimit mbi fitimin për këtë shitje. Por Xhaferaj tha në KPK se diferenca në çmim ishin shpenzimet shtesë që ai kishte bërë, përfshi pagesën e doganës dhe detyrime të tjera dhe këmbënguli se bashkë me këto shpenzime çmimi i shitjes së makinës ishte “pothuajse i njëjtë me atë që ai kishte shpenzuar”.

Faskaj tha se KPK kishte hetuar po ashtu edhe në lidhje me pajisjet për një klinik dentare të bashkëshortes. Komisioni tha se ato ishin marrë me huapërdorje nga një person i tretë dhe ngriti dyshime mbi qiranë dhe burimin e të ardhurave të personit që ia kishte dhënë ato subjektit.

Xhaferraj tha në seancë se personi ishte një dentist me lidhje familjare me të. Ai tha se pajisjet ishin të vjetra dhe ende funksionale dhe se bashkëshortja do i ndërronte me të reja. Ai këmbënguli se nuk kishte asnjë gjë të dyshimtë në këtë transaksion dhe se ai ishte i bazuar në marrëdhëniet familjare. “Ne i kishim mundësitë financiare t’i blinim pajisjet”, tha Xhaferraj dhe shtoi se huapërdorja ishte një mundësi që u ishte dhënë.

Profesionalizmi dhe figura

Sipas relatimit si Këshilli i Lartë i Prokurorisë edhe Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar kishin sjellë raporte pozitive për punën e Xhaferrajt.

Por Faskaj tha se Komisioni kishte kryer hetim të pavarur mbi disa dosje. Nga relatimi u kuptua se një nga çështjet kishte të bënte me përplasjet për pronat në zonën e Himarës. Sipas KPK prokurori kishte pasur në hetim kallëzimin e I.B për shkatërrim prone ndaj disa personave, por kishte vendosur mosfillim të çështjes pasi e njëjta çështje po hetohej në një kallëzim tjetër. BIRN mësoi se bëhej fjalë për Irini Bua, një prej familjeve në konflikt pronësie në zonën e Himarës. Bua akuzon ish-deputetin e partisë Socialiste Alekt Hyseni për përvetësim të pronës.

Faskaj tha se vendimi i mosfillimit ishte lënë në fuqi nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, por ishte prishur në Apel. Sipas saj Gjykata e Apelit kishte kërkuar kryerjen e disa veprimeve hetimore.

Por prokurori këmbënguli se vendimi i mosfillimit të hetimeve ishte i drejtë. Ai tha se paralelisht me kallëzimin që ai kishte marrë në dorë, në të njëjtën prokurori po hetohej një kallëzim i ngjashëm me të njëjtët persona si kallëzues dhe të kallëzuar. Po ashtu ai tha se kallëzuesit nuk kishin sjellë dokumente që të provonin pronësinë e tokës dhe se pas dëshmive nuk ishte e qartë se çfarë ishte shkatërruar.

Komisionerja Etleda Çiftja ndërhyri duke e pyetur prokurorin nëse vërtet ishte ezauruar hetimi. çiftja tha se kërkonte një sqarim të çështjes duke qenë se denoncimet për të ishin publike dhe se bëhej fjalë siç e përshkroi ajo për kallëzues të pafuqishëm para njerëzve me pushtet. “Ata nuk kanë asnjë mjet tjetër”, tha Çiftja dhe shtoi se ndoshta hetimet duhej të kishin filluar edhe vetëm bazuar mbi Aktin e Marrjes së Tokës në Përdorim (AMTP).

Por Xhaferraj këmbënguli se nuk mund të bëheshin hetime paralele dhe se atij nuk i ishte paraqitur asnjë dokument pronësie, përfshi AMTP.

Pyetje prokurorit iu bënë edhe mbi mosfillimin e hetimeve për një grup të dyshuar për kultivim dhe trafik narkotikësh. Faskaj tha se pas përgjimeve Oficeri i Policisë Gjyqësore kishte ngritur dyshime të arsyeshme mbi veprimtarinë e grupit dhe se prokurori duhej të kishte filluar hetimet.

Por Xhaferraj tha në seancë se ai kishte kërkuar dy herë afat shtesë për përgjimet dhe kishte autorizuar edhe ndjekjen e personave në fjalë, por se nuk u gjetën në asnjë rast indicie apo prova materiale që do të çonin në fillimin e hetimeve. Ai tha se pavarësisht dyshimeve OPGJ kishte rekomanduar pushimin e hetimeve, ndërsa shtoi se përgjimet e bëra nuk mjaftonin për të nisur një hetim.

Në fund Xhaferraj kërkoi të konfirmohej në detyrë. KPK njoftoi se seanca e shpalljes së vendimit do të mbahej në 15 mars në orën 9.45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *