Gjyqtari Bevis Shehaj pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Gjyqtari Bevis Shehaj jep shpjegime për profesionalizmin dhe pasurinë e prindërve

Gjyqtari Bevis Shehaj i Gjykatës Administrative të Vlorës u përball të enjten më 10 mars me pyetje mbi kriterin profesional në një seancë dëgjimore 4-orëshe me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Në seancë u konstatuan gjithashtu balanca negative në vlera të mëdha për pasuritë e krijuara prej prindërve të subjektit, përpara se ky i fundit të emërohej si gjyqtar.

Shehaj këmbënguli se nuk mund të ngarkohej me përgjegjësi për pasurinë e prindërve. Në seancë, ai mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Bevis Shehaj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2016 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtar në Gjykatën Administrative të Vlorës.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Bevis Shehaj po kryhet nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonci Petkovic.

Konstatimet për profesionalizmin

Relatori Olsi Komici vërejti se denoncimet nga publiku për gjyqtarin Shehaj ngrinin probleme të disponimit me vendimarrja jashtë objektit të padisë apo vendimarrje ku nuk konsideroheshin të gjitha kërkimet.

Komisioni vëren se në disa raste duket se subjekti nuk ka kryer proces të rregullt ligjor dhe nuk ka respektuar të drejtat e palëve.

Relatori tha gjithashtu se nga verifikimi i çështjeve të denoncuara rezulton se subjekti ka konkluduar në disa raste se paditë kishin qenë abuzive dhe i kishte gjobitur paditësit.

“Dukeni se i keni qej’ gjobat për paditë abuzive,” vërejti relatori Komici në seancë.

Komici sqaroi se në një vendim për një padi të kryer nga avokati A.Gishto, subjekti jo vetëm që kishte dalë jashtë objektit të padisë, por dukej se kishte gjykuar në kushtet e konfliktit të interesit, pasi e paditura ishte një gjyqtare dhe shoqe klase me të në Shkollën e Magjistraturës.

“Ju thoni se padia nuk duhej të pranohej se po gjykohej në Apel. Por padia nuk kishte të bënte me themelin, por me një togfjalësh që ka dhënë gjyqtarja duke e bërë avokatin të ndihet i fyer. Gjyqtarja është shprehur se Gishto manifeston papërgjegjshmëri dhe është ndjerë i fyer. Ju e keni rrëzuar dhe i keni vendosur gjobë,” tha Komici.

Gjyqtari Shehaj deklaroi se nuk e kishte rrëzuar padinë, por nuk e kishte pranuar atë, duke refuzuar t’i hynte shqyrtimit në themel. Ai argumentoi se një padi të tillë mund ta shqyrtonte vetëm nëse vendimi i gjyqtares do të ishte rrëzuar nga një gjykatë më e lartë.

Ndërkohë, ai nuk pranoi të ishte gjendur në kushtet e konfliktit të interesit me argumentin se nuk kishte miqësi me gjyqtaren në fjalë dhe se nuk e kishte takuar prej vitit 2016. Shehaj deklaroi se në raste të tjera, që kishte kërkuar dorëheqjen për shokë të gjimnazit me të cilët kishte miqësi dhe për një pedagog që punonin bashkë, nuk ishin pranuar.

Komici evidentoi dhe një tjetër rast, kur Shehaj kishte marrë vendim jashtë objektit të padisë lidhur me një kërkesë ekezekutimi përmbarimor. Nga relatimi u kuptua se spitali rajonal i Vlorës kishte kërkuar ndryshimin e vlerës së kërkuar nga përmbaruesi dhe pezullimin e ekzekutimit, por Shehaj kishte vendosur ta rrëzonte kërkesën për ekzekutim.

Shehaj tha se nuk e kishte rrëzuar, por pasi kishte parë se vlera e kërkuar nga përmbaruesi ishte e ekzagjeruar nëse do të krahasohej me detyrimin real, i kishte hyrë shqyrtimit në themel. Ai u shpreh se kishte konstatuar se ishte urdhëruar ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit për shpërblimin, kur sipas një udhëzimi duhej të kryhej në vitin pasardhës.

Në seancë u evidentua se babai i subjektit punonte në Spitalin Rajonal Vlorë, ndërkohë nga verifikimi në platformën sociale Facebook, KPK ka gjetur se gjyqtari Shehaj është mik me drejtoreshën e këtij siptali, si dhe ka bërë pëlqime në postimet në llogarinë e saj.

Nisur nga kjo gjetje, KPK ka hetuar dhe për çështje të tjera të gjykuara nga subjekti ku Spitali Rajonal Vlorë rezulton të ketë qenë palë. Në një rast, subjekti ka vendosur gjobë ndaj një juristeje të spitalit lidhur me mosekzekutimin e një vendimi për dëmshpërblim, megjithëse ajo nuk e përfaqësonte këtë institucion.

“Është e paqartë pse është ngarkuar me gjobë juristja, kur nuk ka pasur të drejtë firme dhe nuk ka qenë palë në padi, por ishte drejtoresha,” konstatoi Komici dhe e pyeti subjektin se përse nuk e kishte thirrur juristen në cilësinë e palës së tretë, por e kishte penalizuar financiarisht pa qenë pjesë e procesit.

Po ashtu, Komici evidentoi se nga të dhënat duket se subjekti gjendet në kushtet e konfliktit të interesit për shkak se babai punon në këtë spital, ku sipas relatorit duket se vendimet janë në favor të drejtoreshës.

Gjyqtari Shehaj u shpreh se kjo çështje ishte ‘thelbësisht ligjore’. Ai pretendoi se pengesa për ekzekutimin e vendimit për shpërblimin e dëmit nuk vinte nga spitali, por nga juristja, e cila sipas tij kishte krijuar ngatërresa duke këshilluar keq.

Shehaj sqaroi se 33-vjeçarja që kishte përfituar shpërblimin nga spitali ishte dëmtuar nga mjekimi i pakujdesshëm që e pengonte për shtatëzani në rrugë natyrale. Sipas tij, për shkak dhe të moshës, e dëmtuara rrezikonte që të mos mbetej shtatzanë dhe duhej vepruar shpejt, ndërsa juristja këshillonte keq duke mos e mundësuar ekzekutimin e vendimit për dëmshpërblimin. Subjekti pretendoi se falë vendimarrjes së tij ishte bërë e mundur të ekzekutohej një pjesë e vlerës në shumën 800 mijë lekë dhe e dëmtuara tani është shtatzanë.

Shehaj nuk pranoi që të gjendej në kushtet e konfliktit të interesit me drejtoreshën e spitalit. Ai deklaroi se e njihte, por nuk ishte miqësi mes tyre. Edhe për të atin ai tha se ishte koleg me drejtoreshën për shkak të punës.

“Nuk ka rast që kur gjykon punëdhënësin e prindërve duhet të japësh dorëheqjen,” pohoi Shehaj dhe theksoi se sipas praktikës dhe legjislacionit, dorëheqja jepet kur bëhet fjalë për njohje e miqësi të bërthamës së familjes, bashkëshortit, bashkëshortes dhe fëmijëve.

I pyetur nga vëzhguesi Petkovic lidhur me mënyrën se si e njeh drejtoreshën e spitalit, Shehaj tha se e njihte si një mjeke të njohur në qytetin e Vlorës. “Edhe babai im është një mjek i njohur në qytet. Jam nënkryetar gjykate dhe më thërrasin ende ‘djali i doktorit,’” ilustroi ai dhe këmbënguli se nuk kishin pasur asnjëherë marrdhënie shoqërore me drejtoreshën e spitalit.

Subjekti solli në vëmendje se në një rast kishte gjykuar një çështje ku ishte i përfshirë dhe bashkëshorti i drejtoreshës së spitalit, në cilësinë e mjekut ortoped dhe kishte vendosur kundër tij.

Gjyqtari Shehaj dha shpjegime për një vendimarrje të bashkimit të dy çështjeve të tjera me të tijën, që sipas relatorit Komici e kishte kryer pa i njoftuar kolegët që ishin duke shqyrtuar dy paditë e tjera. Sipas KPK, vendimarrja e mëvonshme e subjektit është rrjedhojë e një procesi jo të rregullt gjyqësor, duke cenuar dhe të drejtat e palëve. Shehaj këmbënguli se i kishte njoftuar gjyqtarët për bashkimin e çështjeve.

Komici relatoi edhe konstatime për denoncimet publike në media dhe faktin se ndaj tij kishte pasur hetim disiplinor në ILD.

Lidhur me denoncimet në media, gjyqtari Bevis Shehaj deklaroi se në vitin 2021 ishte anatemuar nga televizioni Top Channel. Ai u shpreh se gjithçka kishte ndodhur pasi kishte marrë një vendim, ku palë kishte qenë dhe një drejtor i Top Channel, që kërkonte sipas tij sipërfaqe të konsiderueshme toke në Dhërmi. Subjekti deklaroi se vendimarrja e tij nuk kishte qenë në favor të drejtorit të televizionit.

Gjatë kohës që gjyqtari Shehaj ishte duke shpjeguar versionin e tij lidhur me denoncimet në media, kryesuesja e trupës së KPK-së, Valbona Sanxhaktari i kërkoi të mos vijonte pasi nuk i kishin kaluar barrë prove për këtë gjetje.

“Më kanë nxjerrë si dhunues publikisht dhe dua të sqaroj dhe për vëzhguesin ndërkombëtar,” tha Shehaj, i cili nuk u lejua të jepte shpjegime të tjera për këtë çështje.

Gjetjet për pasurinë

Gjetjet për pasurinë që u relatuan në seancë kishin të bënin kryesisht me balancat negative të konstatuara në burimet financiare të prindërve të subjektit, të deklaruara prej tij gjatë hetimit administrativ se kishin shërbyer për krijimin e pasurive, përpara fillimit të detyrës së gjyqtarit.

Deri në vitin 2016, gjyqtari Shehaj ka rezultuar në të njëjtin trung familjar me prindërit, por atë vit është ndarë veçmas. Kur relatori Komici e pyeti se përse ishte ndarë pikërisht atë vit prej trungut familjar, Shehaj shpjegoi se e kishte kryer me qëllim që prindërit të mos përfshiheshin në procesin e vetingut që pritej të zhvillohej.

KPK konstaton pamundësi për blerjen e një apartamenti + garazh në Tiranë të porositur në vitin 2011 në emër të subjektit, si burime krijimi të të cilit janë deklaruar të ardhurat familjare.

Po ashtu, ka rezultuar pamundësi financiare e prindërve për blerjen e një apartamenti në Vlorë vitin 2002 që përdoret akutalisht nga subjekti; për ndërtimin në vitin 1996 të një objekti me dy kate po në qytetin bregdetar që i ati përdor si klinikë private; si dhe të një shtëpie pushimi me dy kate në vitin 2007 në Dhërmi. Sipas Komicit, nuk është depozituar dokumentacion ligjor për të ardhurat dhe shpenzimet e kryera për një pjesë të këtyre pasurive të paluajtshme. Po ashtu, në seancë u tha se babai i subjektit kishte rezultuar në pamundësi financiare dhe për blerjen e një Benz-i në vitin 2007 për çmimin 12 mijë e 600 euro.

Komisioni vëren se në analizën financiare të përgjithshme janë përfshirë edhe shpenzimet për studimet e larta të subjektit dhe të motrës së tij në Varshavë të Polonisë. Sipas Komicit, në analizën financiare të përgjithshme paraprake prej vitit 1994 e në vijim ka rezultuar balancë negative e fondeve në shumën totale rreth 61 milionë lekë.

Shehaj shpjegoi se babai ka ushtruar gjithë jetën profesionin si mjek obstetër gjinekolog dhe se vitet e fundit ka administruar dhe klinikën e tij private. Ai këmbënguli se të ardhurat e prindërve kishin rrjedhur nga aktivitet i ligjshëm, por i paformalizuar në të kaluarën, si dhe kërkoi që të mos penalizohej për pasuritë e prindërve të krijuara përpara fillimit të detyrës, kur ishte fëmijë i mitur apo student.

Në përfundim, gjyqtari Bevis Shehaj falënderoi Komisionin për objektivitetin dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 16 mars, në orën 09:30.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *