Prokurori Arian Xhaferraj i Prokurorisë së Vlorës do të përballet të premten më 11 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Suela Zhegu, Etleda Çiftja dhe Alma Faskaj.
Arian Xhaferraj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore. Prej vitit 2015, ai e ushtron funksionin e prokurorit pranë Prokurorisë së Rrethit Vlorë.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga prokurori Arian Xhaferraj nga viti 2015 deri në fund të vitit 2018. [Kliko për skedën në PDF].
Në deklarimin për të herë të parë në vitin 2015, prokurori Arian Xhaferraj zotëronte pasuri me vlerë 885 mijë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria e tij familjare kap vlerën e 5 milionë lekëve.
Ai zotëron familjarisht likujditete bankare prej 2.8 milionë lekësh, kursime në cash prej 1.1 milionë lekësh si dhe një automjet me vlerë rreth 1 milion lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 8.9 milionë lekë, nga të cilat 44% kanë si burim pagën e tij nga funksioni dhe 54% të ardhurat e bashkëshortes nga aktiviteti privat si dentiste.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për katër vite, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” mungesën e të dhënave për vendbanimin e prokurorit gjatë vitit 2018.
Subjekti Arian Xhaferraj gjatë periudhës deklaruese 2016-2017 ka deklaruar shpenzime qeraje për apartament banimi në Vlorë, ndërsa për vitin 2018 nuk të dhëna mbi vendbanimin.
Vlen gjithashtu të theksohet se bashkëshortja e subjektit ka deklaruar shpenzime qeraje për ushtrimin e aktivitetit privat “klinikë dentare”, por këto shpenzime nuk janë përfshirë në këtë analizë, pasi duhet të pasqyrohen në pasqyrat financiare të biznesit.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Deklarata e pasurisë së vitit 2018
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al