Nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
KPK

Gjyqtarja Zeta Tërpollari dorëhiqet dy vjet pasi filloi vetingu

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 19 dhjetor 2022 të ndërpresë vetingun për gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, Zeta Tërpollari, si dhe i hoqi asaj të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, për shkak të dorëheqjes.

Në vendimin e arsyetuar të KPK thuhet se në korrik të vitit 2020 është filluar hetimi administrativ për gjyqtaren Zeta Tërpollari, e cila pasi kishin kaluar më shumë se dy vjet, në tetor të 2022-it, ka kërkuar ndëprerjen e procesit të rivlerësimit të nisur ndaj saj, duke bërë me dije se kishte dorëzuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, KLGJ, kërkesë për dorëheqje nga funksioni i gjyqtares dhe për mbarimin e statusit të magjistratit.  Ajo ka shpjeguar se e ka kërkuar dorëheqjen për shkak të angazhimeve profesionale jashtë vendit.

Komisioni është njoftuar nga KLGJ për vendimin e marrë më 21 nëntor për mbarimin e statusit të magjistratit të Tërpollarit për shkak të dorëheqjes së saj, ndërkohë që Gjykata Administrative e Apelit Tiranë ka konfirmuar se subjekti nuk ka ushtruar ankim.

E ftuar nga Komisioni për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore, subjekti është shprehur se nuk kishte dëshirë për të marrë pjesë.

Bazuar në këto rrethana, KPK ka vepruar sipas nenit G të Aneksit të Kushtetutës që përcaktohen se në rastet e dorëheqjes së magjistratëve nga detyra, ndërprerja e procesit të rivlerësimit kalimtar shoqërohet me sankzionin 15 vjeçar.

Për rrjedhojë, trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Firdes Shuli, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Xhensila Pinen ka vendosur ndërprerjen e procesit të vetingut për gjyqtaren e Lushnjës Zeta Tërpollari, si dhe i ka ndaluar asaj emërimin si gjyqtare ose prokurore e çdo niveli, anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektore e Lartë e Drejtësisë ose Prokurore e Përgjithshme, për një periudhë 15-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *