Trupa që hetoi rastin e prokurorit Bardhyl Shehu (nga e majta) Xhensila Pine relatore, Pamela Qirko kryesuese dhe Alma Faskaj anëtare. Foto:BIRN
Analiza KPK Veting

KPK: Prokurori Bardhyl Shehu kreu deklarim të pamjaftueshëm për pasuritë dhe cënoi besimin e publikut

Prokurori i Lezhës, Bardhyl Shehu u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 10 gusht 2023, pasi u konkludua se nuk kishte shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive; se kishte ndërmarrë hapa për t’i fshehur dhe paraqqitur ato në mënyrë të pasaktë; duke u arritur në përfundimin se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm dhe se ndodhet në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.

Procesi i vetingut për prokurorin Shehu krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Alma Faskaj. Hetimi u përmbyll vetëm në kriterin e pasurisë pasi provat u gjetën të mjaftueshme për të arritur në konkluzionin përfundimtar të shkarkimit të këtij subjekti rivlerësimi.

Në vendimin e arsyetuar të KPK konstatohet se subjekti ka paraqitur një sërë raportesh mjekësore, në fazën e fundit të procesit të rivlerësimit, në momentin që duhej të përballej me konkluzionet e në seancën dëgjimore. Kjo sjellje konsiderohet si një tendencë e qëllimshme e Shehur për shtyrjen e seancave dëgjimore të caktuara, duke mos marrë asnjë masë për të realizuar të drejtën e tij të mbrojtjes në seancë. Shehu nuk u paraqit në seancën dëgjimore dhe as kur u shpall vendimi.

Bardhyl Shehu e nisi karrierën në vitin 1985 dhe punoi për gati dy dekada si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2005 dhe punoi në Prokurorinë e Kurbinit. Pas miratimit të hartës së re gjyqësore dhe deri në shkarkimin nga detyra, Shehu e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.

Problemet me pasuritë

Bashkëshortja e subjektit ka shënuar në deklaratën “veting” një apartament në Tiranë me sipërfaqe 138 m2 me vlerë rreth 151 mijë euro dhe si burim të krijimit të kësaj pasurie ka deklaruar shumën 181 mijë euro të dhënë nga vëllezërit e prokurorit Shehu dhe babai i tij, në këmbim të një objekti me sipërfaqe 16 m2 dhe sipërfaqe toke 180 m2, po në kryeqytet, pasuri për të cilën ka deklaruar se i është dhuruar më parë bashkëshortit nga i ati.

Ajo ka shpjeguar se 2 nga vëllezërit e bashkëshortit kanë punuar prej rreth 14 vite në emigracion; njëri rreth 5-6 vjet, ndërsa tjetri për pak kohë. Subjekti ka dorëzuar si dokumente justifikues të dhënat për punën dhe gjendjen e llogarive të një prej vëllezërve, i cili ka emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ShBA në vitin 2010.

Edhe në vitin 2013, janë deklaruar të njëjtat të dhëna për apartamentin, vlerën dhe burimet e krijimit.

Të njëjtat burime janë deklaruar dhe për blerjen e një garazhi me sipërfaqe 18.6 m2 kundrejt çmimit 30 mijë euro. Ndërkohë, gjatë hetimit administrativ ka deklaruar se për shumën 181 mijë euro ka kontribuar dhe e motra, por bazuar në jurispudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisioni çmon se nuk mund të merret në konsideratë, pasi vjen në kundërshtim dhe me deklaratën “veting”.

Komisioni ka analizuar mbi burimin e krijimit të të ardhurave të dhëna nga 4 vëllezërit e tij dhe babai, në këmbim të objektit me sipërfaqe 16 m2 dhe sipërfaqe toke., prej nga është konstatuar se nuk provohet marrëdhënia e pretenduar lidhur me shkëmbimin e pasurive; si dhe nuk është provuar ligjshmëria e burimit të shumës 181 mijë euro e deklaruar se është përfituar nga vëllezërit dhe babai i subjektit.

Pretendimet lidhur me të ardhurat e motrës të deklaruara nga subjekti vetëm në fundin e hetimit administrativ, vlerësohet se janë bërë nga prokurori Shehu vetëm për efekt rregullimi të pamundësisë financiare të vëllezërve dhe babait të tij, sipas rezultateve të hetimit administrativ.

Po ashtu, është konsideruar i pabesueshëm dhe sfidues i logjikës ekonomike dakordësimi se trualli brenda rrethimit të banesës së vëllezërve dhe një dhomë e ndërtuar mbi të ketë vlerën e një apartamenti dhe garazhi në një nga zonat qendrore të qytetit të Tiranës.

“[…]Trupi gjykues arriti në konkluzionin se transaksionet e pretenduara dhe dokumentacioni ligjor i hartuar nga subjekti me vëllezërit e babain e tij, të paprovuara nga ana ligjore e financiare, janë hartuar vetëm me qëllim justifikimin e burimit të krijimit të shumës së përdorur nga subjekti i rivlerësimit si burim krijimi për pasuritë apartament dhe garazh, në rrugën “***” Tiranë në vitin 2011”, konkludon Komisioni.

Shehu ka rezultuar me mungesë të burimeve financiare të ligjshme edhe për të justifikuar blerjen e një automjeti në vitin 2008. Ashtu si është pasqyruar në kontratë, subjekti ka deklaruar se e ka blerë këtë automjet për shumën 2000 euro. Por nga hetimi ka rezultuar se pala shitëse e kishte blerë pak kohë më parë për shumën 838 mijë lekë.

Në vendim konstatohet se kontrata e shitblerjes është bërë me qëllim për të shmangur deklarimin e vlerës së plotë të automjetit. Bazuar në dokumentacionin e administruar, Komisioni ka çmuar se automjeti është blerë nga subjekti në shumën 838 mijë lekë dhe se çmimi i pasqyruar në deklaratën “veting” dhe në në dokumentacionin e hartuar, është bërë vetëm për të justifikuar burimin e krijimit të kësaj pasurie të luajtshme prej tij. Bazuar në këtë arsyetim, nga analiza financiare është konstatuar pamundësi për krijimin e kësaj pasurie.

Shehu është gjetur në situatë të ngjashme edhe për një truall me sipërfaqe 1058 m2 të blerë nga bashkëshortja e tij në vitin 2009 për çmimin 45 milionë lekë, pasuri që ëshë shitur për të njëjtën vlerë një vit më vonë.

Nga hetimi ka rezultuar se subjekti nuk ka pasqyruar në deklaratën “veting” të ardhurat në vlerën 45 milionë lekë të përfituar nga shitja e këtij trualli, si dhe nuk nuk provohet burimi i ligjshëm i krijimit të kësaj pasurie, për të njëjtën shumë.

Megjithëse Shehu ka pretenduar se nuk ka pasur dijeni për kryerjen e veprimeve noteriale nga bashkëshortja lidhur me shitjen e pasurisë, Komisioni sjell në vëmendje se subjekti ka nënshkruar në kontratën e shitjes.

“Deklarimet e subjektit për padijeninë e tij për kryerjen e veprimeve noteriale nuk mbështeten nga dokumentacioni ligjor, kontrata e shitjes së kësaj pasurie në vitin 2010 kur subjekti ka nënshkruar kontratën, duke konfirmuar se ka pasur dijeni të plotë të veprimeve ligjore e financiare të kryera nga personi i lidhur me të bashkëshortja e tij, lidhur me transaksionet e shitblerjes së pasurisë dhe vlerave monetare përkatëse”, citohet në vendim.

“Trupi gjykues çmon të nënvizojë përpjekjen e subjektit të rivlerësimit për të deformuar të vërtetën në funksion të paraqitjes së të dhënave, të cilat do ta shpëtonin atë nga situata që lidhej me justifikimin e burimeve të ligjshme të kësaj pasurie të tij, duke u ndodhur në kushtet e pikës 5 të nenit D të Aneksit të Kushtetutës”, shton në vijim Komisioni.

Shehu është gjetur në pamundësi financiare dhe për krijimin e një depozite në shumën rreth 3.4 milionë lekë.

Në përfundim, veprimet e subjektit për të fshehur apo paraqitur në mënyrë të pasaktë pasuritë, si dhe konkluzioni se ai ka kryer deklarim të pamjaftueshëm, janë çmuar se sjellin si pasojë ndodhjen Shehut në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *