Gjqytari Astrit Kalaja | Foto: Edmond Hoxhaj
Analiza KPA Veting

KPA me dy qëndrime në konfirmimin e Astrit Kalasë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA është ndarë në vendimarrjen për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Apelit Shkodër, Astrit Kalaja. Shumica e trupit gjykues të Kolegjit, e përbërë nga relatori Sokol Çomo dhe anëtarët Albana Shtylla, Ina Rama dhe Ardian Hajdari e kanë gjetur të drejtë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin e tij në detyrë duke i rrëzuar shkaqet e Komisionerit për deklarim të pamjaftueshëm dhe mungesë burimesh financiare lidhur me dy pasuri.

Ndërsa kryesuesja Rezarta Schuetz në pakicë vlerëson se intepretimi i shumicës është formalist dhe bie ndesh me legjislacionin e vetingut të magjistratëve. Ashtu si Komisioneri Ballhysa, ajo çmon se Kalaja duhej të ishte shkarkuar nga detyra.

Gjyqtari Astrit Kalaja u konfirmua më 20 dhjetor 2019 me shumicë votash në KPK, por çështja e tij u dërgua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga komisioneri Florian Ballhysa.

Sipas vendimit të arsyetuar të KPA-së, komisioneri pretendoi se Kalaja kishte kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për një apartament me sipërfaqe 109,5 m2 si dhe për një sipërfaqe toke prej 379 m2 në Velipojë, ku gjendet edhe një ndërtim informal prej 60 m2.

Për blerjen e apartamentit në vitin 2009, Kalaja deklaroi si burim një kredi bankare prej 3 milionë lekësh, e garantuar fillimisht me hipotekën e një apartamenti të mëparshëm. Garancia është zëvendësuar më pas me një depozitë prej 3.3 milionë lekësh e arkëtuar për llogari të gjyqtarit nga një person tjetër, por e padeklaruar prej tij.

Komisioneri konstatoi se Kalaja nuk e ka deklaruar këtë marrëdhënie huaje, si dhe nuk ka provuar mundësinë e huadhënësit për të mbuluar me burime të ligjshme vlerën 3.3 milionë lekë. Sipas Ballhysës, Kalaja nuk mbulon me burime të ligjshme edhe shlyerjen e këstit të dytë dhe shlyerjen e parakohshme të kredisë për blerjen e apartamentit.

Kolegji vlerësoi se subjekti ka pasur detyrim të deklaronte marrëdhënien me shtesatin Rr.P., që ka vendosur garanci shumën 3.3 milionë lekë për kredinë e subjektit. Megjithatë, mosdeklarimi konsiderohet si pasaktësi që nuk mund të sjellë penalizimin.

Kolegji vlerëson gjithashtu se subjekti i rivlerësimit është sjellë si pronar i këtyre parave dhe e cilëson si të pabazuar pretendimin e tij se rasti në fjalë është marrëdhënie juridike pengu dhe jo huadhënie.

Megjithëse shumica e trupës së KPA çmon se dhënia e parave nga z.Rr.P është një marrëdhënie huaje, vëren se subjekti nuk e ka futur në qarkullim për krijim pasurie apo kryerje shpenzimesh vlerën 3.3 milionë lekë, e cila ka shërbyer vetëm për garantimin e kredisë.

Bazuar në këto konstatime, shumica ka vlerësuar të mos e verifikojë mundësinë e huadhënësit për krijimin e shumës 3.3 milionë lekë me burime financiare të ligjshme.

Për pretendimin e komisionerit se deklarimet kontadiktore të subjektit lidhur me burimin e shumës 3.3 milionë lekë krijojnë paqartësi në drejtim të identifikimit të huadhënësit real, shumica çmon se është e provuar me dokumentacion se huadhënësi është z.Rr.P.

Shumica ka rrëzuar edhe shkakun e ankimit lidhur me mosdeklarimin si likujditet cash të të ardhurave të siguruara nga shitja e apartamentit, që ishte lënë fillimisht si garanci për kredinë. Sipas KPA-së, ndonëse Kalaja nuk ka kryer në vitin 2008 deklarim në përputhje me parashikimet ligjore lidhur me gjendjen cash, ai i ka deklaruar këto të ardhura në rubrikën e shtesave dhe pakësimeve të pasurive.

Gjithashtu, një deklarim i vitit 2010 i Kalasë se ka shlyer një pjesë të kredisë me kursimet cash në shtëpi, ka krijuar bindjen e shumicës mbi vërtetësinë e pretendimeve të subjektit gjatë procesit të rivlerësimit për disponimin e likujditeteve cash.

Bazuar në këto konkluzione, shumica ka vlerësuar se subjekti ka pasur burime të ligjshme për pagesën e këstit të dytë të apartamentit dhe për shlyrjen e pjesshme të kredisë në vitin 2010 në shumën 2 milionë lekë, duke i çmuar të pabazuara shkaqet e ankimit të Komisionerit për deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm.

Por kryesuesja e trupës, gjyqtarja Rezarta Schuetz vlerëson ndryshe. Ajo vëren se gjatë hetimit të kryer në Komision, subjekti ka qenë kontradiktor në lidhje me identitetin e huadhënësit real, fakt që e konsideron si pasaktësi në deklarim dhe se pamundëson vlerësimin e burimeve të ligjshme në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar.

Po ashtu, ajo thekson se nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka garantuar kredinë me një shumë të ngurtësuar në dispozicion të tij nga një individ tjetër që e mbështet financiarisht, veprim i padeklaruar nga Kalaja për 9 vjet, pavarësisht se e ka pasur detyrim ligjor.

Sipas saj, në marrëdhënien e huasë legjislacioni i vetingut detyron justifikimin e burimeve të ligjshme të personit të lidhur. Ajo argumenton se nëse subjekti nuk do ta posedonte shumën e dhënë hua në vitin 2007, do ta kishte pasur të pamundur të çlironte nga barra apartamentin e vendosur si koletareal dhe për rrjedhojë për ta shitur atë.

Gjithashtu, pakica vëren se marrëdhënia e huadhënies nuk është provuar, pasi nuk rezultojnë të dokumentuara transaksione të kryera nga z. P. apo bashkëshortja e tij në momentin dhe në vlerën e huasë së dhënë. Sipas Schuetz, nga analiza financiare ka rezultuar se huadhënësi nuk ka pasur mundësi për dhënien e shumës 3.3 milionë lekë.

“…Qasja e shumicës që anashkalon natyrën e vërtetë të rrethanave faktike, të cilat nuk lenë vend për dilema, është e gabuar pasi anashkalon logjikën e ftohtë, duke e fokusuar analizën në sasinë e parave që kanë hyrë e dalë nga llogaria e subjektit, pasi ka marrë huanë dhe në këtë mënyrë redukton detyrimet e subjekteve të rivlerësimit..,” argumenton Shuetz, e cila shton se qëllimi i ligjit është cenuar.

Bazuar në faktin se Kalaja nuk ka deklaruar si gjendje cash të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit; destinacionin e këtyre fondeve dhe as arsyen përse i nevojiteshin jashtë sistemit bankar, pakica ashtu si Komisioneri, vlerëson se subjekti nuk ka pasur mundësi për shlyerjen e këstit të dytë.

“Në mungesë të burimeve të ligjshme të mjaftueshme, subjekti gjendet minimalisht në kushtet e deklarimit të rremë për burimet që kanë shërbyer për të shlyer këstin e dytë të apartamentit,” vlerëson Schuetz dhe shton se Kalaja gjendet në të njëjtën situatë edhe për shlyerjen e kredisë.

Edhe për blerjen e pasurisë tokë arë në Velipojë, Komisioneri vlerëson se subjekti nuk ka pasur burime të ligjshme financiare për krijimin e kësaj pasurie, pasi nuk ka pasqyruar gjendje cash në banesë.

Por shumica e Kolegjit, duke u bazuar në hetimin e kryer në Komision, konstaton se Kalaja ka pasur mundësinë e disponimit të një likuiditeti në gjendje cash në fund të vitit 2012, në vlerën e 3.7 milionë lekë, ndonëse kjo shumë apo pjesë e saj nuk është pasqyruar në deklaratën periodike të vitit 2012.

KPA vëren se subjekti e ka deklaruar burimin e blerjes së kësaj pasurie në deklaratën pasardhëse të vitit 2013, duke “shëruar” pasaktësitë e evidentuara në deklarimin e likujditeteve të vitit 2012.

Kryesuesja Schuetz në pakicë e konsideron dhe në këtë rast në kundërshtim me ligjin vlerësimin e shumicës. “Subjekti nuk ka deklaruar gjendje likuiditetesh jashtë sistemit bankar në deklaratën periodike vjetore të vitit 2012, gjë që do të mund të justifikonte teorikisht disponimin e të ardhurave prej tij në momentin kur është kryer blerja,” argumenton Schuetz.

Duke ju referuar hetimit në shkallën e parë ku është bazuar shumica në vlerësimin e saj, Schuetz konstaton se Komisioni ka vendosur t’i injorojë dokumentet zyrtare të hartuara në vite që sipas saj kanë vlerë provuese, duke e bazuar vlerësimin në pretendimet e Kalasë gjatë procesit administrativ dhe në funksion të përmirësimit të situatës së tij.

Duke iu referuar edhe jurisprudencës së mëparshme të Kolegjit, Schuetz vlerëson ndryshe nga katër kolegët e saj dhe çmon se Kalaja duhej të ishte shkarkuar nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *