Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Valdete Hoxha pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPA Lajme Veting

Qëndrimet e ndryshme të KPA-së në rivlerësimin e Valdete Hoxhës

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA është ndarë në vlerësimin e ankimit të gjyqtares së Apelit Tiranë, Valdete Hoxha lidhur me konfirmimin e kësaj të fundit nga Komisioni, ku shumica e përbërë nga kryesuesja Albana Shtylla dhe anëtarët Ina Rama, Rezarta Schuetz e Sokol Çomo kanë vendosur ta lënë në fuqi, ndërsa relatorja Natasha Mulaj në pakicë çmon se ky subjekt rivlerësimi nuk e meriton të jetë në radhët e sistemit të drejtësisë.

Gjyqtari Çomo paraqet gjithashtu mendim paralel kundrejt asaj të shumicës për konfirmimin, duke e konsideruar qëndrimin përfundimtar të Komisioneres Publike, Irena Nino për lënien në fuqi të vendimit të Komisionit si heqje dorë nga ankimi. Sipas tij, vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK duhej të ishte konfirmuar pa u shqyrtuar shkaqet e ankimit.

Gjyqtarja Valdete Hoxha u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, më 1 korrik 2020, pasi u konkludua se kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Por ky vendim u ankimua nga ish-komisioneri Darjel Sina, i cili vlerësoi se nevojitej riçelje e hetimit në Kolegj lidhur me aftësinë financiare të kunatës së subjektit për dhënien hua në shumën 93 mijë dollarë kanadezë për shkollimin e vajzës së Hoxhës në Kanada, si dhe për dhurime në vlerën rreth 11 mijë dollarë kanadezë. Në ankim u përfshi edhe pamundësia financiare e familjes së subjektit për blerjen e një automjeti dhe e vajzës për shlyerjen e një pjese të huasë në vitin 2016.

Gjyqtarja Hoxha kreu kundërankim, duke pretenduar se shkaqet e ankimit ngriheshin mbi bazën e dyshimeve dhe hipotezave që nuk qëndrojnë në raport me provat, faktet, dokumentet dhe shpjegimet e paraqitura prej saj, si dhe me provat e administruara nga Komisioni.

Gjatë shqyrtimit në Kolegj, institucioni i Komisionerëve Publikë u përfaqësua nga komisionerja Irena Nino, e cila pasi u njoh me dokumentet e reja të dorëzuara nga subjekti si prova, u bind se huadhënësja kishte pasur mundësi financiare,

Nino vlerësoi gjithashtu se balancat negative ishin të pamjaftueshme për të sjellë penalizimin e subjektit.

Vlerësimet ndryshe

Lidhur me mundësinë e kunatës së subjektit për të dhënë hua të bijës vlerën 93 mijë dollarë me qëllim mbulimin e shpenzimeve të studimit në Kanada gjatë viteve 2012-2016, si dhe dhurimet në shumën rreth 11 mijë dollarë kanadezë, Sina pretendoi në ankim se nuk ishte hetuar vlera totale dhe viti i investimit të kryer nga familja e huadhënëses për blerjen e një apartamenti në Shqipëri, si dhe për blerjen e shtëpisë në Kanada – duke lënë të paqartë nëse për këtë të fundit është përorur vetëm kredia bankare e pretenduar, apo janë përdorur edhe kursimet.

Hoxha ka sqaruar se motra e bashkëshortit dhe familja e saj kanë shkuar në Kanada në fund të vitit 2002 dhe se tashmë janë shtetas kanadezë. Sipas subjektit, të dy djemtë e kunatës janë punësuar mënjeherë pas diplomimit. Po ashtu, ka shpjeguar se kostot e studimeve për studentët vendas janë shumë më të ulëta krahasuar me studentët e huaj, dhe ka dorëzuar dpokumentacion për pagesat e tarifave të studimit të dy djemve të kunatës për periudhën 2009-2013.

Hoxha ka shpjeguar se kunata nuk ka blerë pasuri të paluajtshme pas vitit 2010 në Kanada, ndërsa në Shqipëri ka blerë apartament dhe automjet në vlerat rreth 75 mijë euro dhe 6000 euro. Subjekti ka theksuar se burime të këtyre pasurive janë të ardhurat e familjes së kunatës.

Kolegji është bindur se llogaritë e hapura nga kunata në Shqipëri janë çelur vetëm për likujdimin e vlerës së apartamentit.

Për shtëpinë e blerë në Kanada nga familja e kunatës në vitin 2006, subjekti ka deklaruar se ka shërbyer një kredi bankare e marrë prej tyre. Hoxha ka vërejtur se, kjo pasuri është blerë nga familja e kunatës gjashtë vjet përpara se të fillonte marrdhënia e huasë dhe ka depozituar dokumentacion provues për pretendimet e saj.

Gjatë parashtrimeve në Kolegj, komisionerja Nino solli në vëmendje që investimi për shtëpinë në Kanada nga huadhënësja është kryer disa vite përpara se të fillonte marrëdhënia e huas dhe dhurimit me personat e lidhur me subjektin e rivlerësimit. Për rrjedhojë, kredia e marrë për këtë shtëpi u vlerësua prej saj se nuk ndikon në aftësinë financiare për të mbuluar huatë dhe dhurimet e dhëna gjatë periudhës 2012-2016. Po ashtu, Nino është bindur se familja e kunatës së subjektit ka pasur mundësi për pagesat e apartamentit në Tiranë në vlerën rreth 75 mijë euro, si dhe për dhënien e huave dhe të dhurimeve në favor të vajzës së Hoxhës.

Ndryshe nga KPK që e ka kryer analizën financiare të huadhënëses për periudhën 2010-2016, KPA e ka shtrirë dhe në vitin 2009 me argumentin se dhurimi i parë në shumën 2000 dollarë kanadezë është kryer në 2010-ën, si dhe është blerë apartamenti në Tiranë në atë vit. Nga analiza e kryer në Kolegj është konkluduar se ata kanë pasur të ardhura financiare të ligjshme të mjaftueshme për dhurimet dhe huat në favor të vajzës së subjektit, personave të lidhur me subjektin e rivlerësimit.

Ashtu si KPK, edhe Kolegji e ka vlerësuar si pasaktësi mospasqyrimin e dhurimeve në deklaratën “veting”.

Në të njëjtën linjë me Komisioneren Publike, Kolegji konkludon pamundësi financiare për shlyerjen e një pjese të huasë në vitin 2016 në vlerën 13 mijë e 775 dollarë kanadezë, pasi nga analiza ka rezultuar balancë negative në shumën 3325 dollarë kanadezë.

Shumica e Kolegjit, bazuar në parimin e proporcionalitetit, vlerëson se bilanci negativ i konstatuar në shlyerjen e huas nga vajza e subjektit kundrejt hallës së saj nuk mund të shërbejë për të ngarkuar gjyqtaren Hoxha me përgjegjësi.

Lidhur me pagesën e shumës 7000 euro për blerjen e makinës “Ford Focus”, në pronësi të subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortit të saj, Kolegji vlerëson ndryshe nga Komisionerja e cila ka konstatuar një balancë negative në shumën 387 mijë lekë.

Nisur nga pretendimt e subjektit se për blerjen e këtij automjeti kanë shërbyer gjendja e llogarive bankare dhe ajo cash nga të ardhurat e akumuluara në vite, Kolegji ka analizuar deklaratat periodike të periudhës 2003-2011 për të verifikuar gjendjen cash të deklaruar. Bazuar në këtë analizë, bilanci negativ është rrudhur duke mbetur në shumën 46 mijë lekë, që sipas shumicës është jo domethënës.

Në përfundim, shumica çmon se Hoxha ka arritur nivel të besueshëm të pasurisë e figurës, si dhe nivel të mirë kualifikues për profesionalizmin e për rrjedhojë ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të KPK-së për konfirmimin e saj.

Gjyqtari Sokol Çomo, i cili dhe ai ka votuar për lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të Hoxhës, paraqet mendim paralel nga pjesa tjetër e shumicës, duke e bazuar vendimarrjen “vetëm në fakte juridike të natyrës procedurale dhe zbatimin e legjislacionit procedural mbi këto fakte, duke mos marrë në shqyrtim faktet juridike të natyrës material mbi të cilat ishte ngritur fillimisht ankimi”.

Ai vlerëson se në mbështetje të parashikimeve kushtetuese dhe ligjore, Institucioni i Komisionerëve Publikë, si përfaqësues i interesit publik, disponon në mënyrë të plotë dhe të pavarur të drejtën e ushtrimit të ankimit kundër vendimeve të KPK-së lidhur me procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas tij, si pasojë e kësaj të drejte ligjore, Komisioneri Publik gëzon në mënyrë ekskluzive edhe të drejtën e disponimit mbi ankimin e ushtruar prej tij. Çomo vlerëson se kërkimi përfundimtar i komisioneres Nino për lënien në fuqi të vendimit të Komisionit, është dorëheqje nga ankimi. Ai konkludon se pas këtij kërkimi përfundimtar të Ninos nuk ka më lëndë procedurale për të vijuar kontrollin gjyqësor të vendimit objekt ankimi.

Relatorja Natasha Mulaj ka dalë në pakicë, duke kërkuar shkarkimin e gjyqtares Valdete Hoxha nga detyra. Mulaj konstaton se subjekti ka shënuar në deklaratën “veting” një apartament të blerë në vitin 2007 për shumën 2 milionë lekë nga mota e bashkëshortit. Ajo vëren se Komisioneri Publik, si në ankim, ashtu edhe gjatë shqyrtimit të çështjes në Kolegj, nuk kërkoi asnjëherë kontrollin e kësaj pasurie të subjektit.

Mulaj sqaron se për këtë pasuri ka pyetur subjektin në seancë gjyqësore publike, duke e konsideruar fiktiv çmimin 2 milionë lekë krahasuar me referencat e tregut të lirë për qytetin e Tiranës.

Sipas saj, shpjegimet e subjektit për të përfituar apartamentin me sipërfaqe 125 m2 me vlerë disa herë më të ulët se ajo e tregut, nuk janë bindëse. “…Pretendimet e subjektit të rivlerësimit se çmimi i blerjes së pasurisë së paluajtshme objekt shqyrtimi është kushtëzuar nga rrethana të tilla si pozicioni i apartamentit, zona ku ndodhet, lloji i pallatit ekzistues me strukturë parafabrikat, si dhe rrethanat e posaçme për shkak të lidhjes së ngushtë mes bashkëshortit e motrës së tij, të cilët kanë synuar ta ndihmojnë, në vlerësimin tim, nuk janë bindëse”, shprehet Mulaj.

“Vlera disa herë më e ulët e përfitimit të kësaj pasurie, gjykoj se edhe në perceptimin e një qytetari të thjeshtë, do të dukej alogjike dhe aspak bindëse dhe, për këtë arsye, në vlerësimin tim, ky fakt, duhet të konsiderohej i mjaftueshëm për marrjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra pa nevojën e trajtimit të shkaqeve ankimore, pasi mungesa e burimeve të ligjshme rezulton në vlerën -9.736.096 lekë”, arsyeton Mulaj dhe thekson se nuk pajtohet kurrsesi me qëndrimin e shumicës që çmon se shqyrtimi i çështjes nuk duhet të shkojë përtej shkaqeve ankimore.

Ajo vëren se Kolegji është organ Kushtetues, i cili mbron interesin publik dhe të drejtën e subjektit në këtë proces rivlerësimi, por se nuk qëndron brenda shkaqeve të ankimit në rastet kur konstaton që kontrolli i vendimit ka nevojë të shkojë më tej. Sipas Mulajt, në këtë rast duhej të kishte kryer kontrolli në tërësi i vendimit të Komisionit.

Pakica e konsideron ankimin si mjet procedural që vë në lëvizje Kolegjin dhe më pas çështja është objekt i shqyrtimit dhe vlerësimit të Kolegjit, pavarësisht kërkimeve të Komisionerit Publik.

Mulaj e cilëson jobindës dhe alogjik pretendimin e subjektit për vetëofrimin e hallës për dhënie huaje dhe dhurime në favor të vajzës, ndërkohë që kishin të akumuluara kursime në masën 3.1 milionë lekë në fund të vitit 2011 dhe 4.4 milionë lekë në 2015-ën.

“…Është alogjike që prindërit akumulojnë kursime në sasi të konsiderueshme në llogaritë e tyre bankare dhe nuk investojnë në studimet e së bijës, por lejojnë përfshirjen e saj në marrëdhënie detyrimi financiar me të tretë”, arsyeton Mulaj.

Ajo vlerëson se analiza financiare për huadhënësit duhej të ishte më gjithëpërfshirëse, duke përllogaritur edhe shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit, ose të paktën ato drejt Shqipërisë. Sipas Mulajt, kjo analizë do të kishte ndryshuar rezultatin financiar të huadhënësve në pamjaftueshmëri për dhurimet dhe huatë.

Po ashtu, pakica çmon se Hoxha anashkaloi qëllimisht detyrimin ligjor për të shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të shumave të depozituara në llogaritë bankare të familjes së kunatës që kanë shërbyer për shlyerjen e çmimit të apartamentit të blerë prej tyre në Tiranë në vitin 2010.

Sipas Mulajt, vajza e subjektit rezulton me pamundësi në shumën 890 mijë lekë për shlyerjen e huasë në vitin 2016. Ndryshe nga shumica, ajo e gjen të drejtë konkluzionin e Komisioneres Publike se subjekti dhe bashkëshorti kanë qenë në pamundësi financiare në shumën 387 mijë lekë për blerjen e automjetit 7000 euro në vitin 2011. Në përfundim, Mulaj çmon se gjyqtarja Valdete Hoxha nuk duhej të ishte në radhët e sistemit të drejtësisë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *