Petrit Bica dhe avokati i tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza KPA Veting

KPA lë në fuqi precedentin e KPK për pensionin e parakohshëm

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të lërë në fuqi sanksionin e vendosur nga Komisioni ndaj ish-prokurorit të Tiranës, Petrit Bica që i ndalon rikthimin e tij në sistemin e drejtësisë, megjithëse u konstatua shkelje e rendë procedurale në shkallën e parë të vetingut. Vendimarrja u arrit me shumicë votash, ku shumica e trupit gjykues të KPA e vlerëson të drejtë aplikimin e sanksionit ndaj Bicës, ndërsa një anëtare në pakicë çmon se është vendosur dhe lënë në fuqi pa u bazuar në ligj.

Më 1 dhjetor të vitit 2021, ndërkohë që KPK e kishte filluar procesin e vetingut ndaj Bicës, ky i fundit bëri kërkesë për të dalë në pension të parakohshëm me argumentet se vuante nga tensioni, zemra dhe diabeti, sëmundje për të cilat kurohej.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP e pranoi kërkesën për dalje në pension të parakohshëm të Bicës dhe vendosi të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për këtë subjekt rivlerësimi.

Kërkesa e Bicës u konsiderua si dorëheqje nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK që vendosi më 31 janar 2022 të ndërpresë procesin e vetingut ndaj tij. Gjithashtu, u vendos ndalimi i riemërimit të tij gjatë 15 viteve të ardhshme në pozicione në sistemin e drejtësisë që janë të barazvlefshme me ato që kërkojnë si kriter statusin e magjistratit.

Bica e ankimoi vendimin duke e cilësuar të padrejtë dhe të pabazuar në ligj. Gjatë seancave publike në KPA, subjekti dhe përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Klodian Skënderaj e cilësuan vendimin e Komisionit me probleme në përmbajtje dhe në dispozitë, duke theksuar se është “copy paste” e një vendimi për një tjetër subjekt rivlerësimi.

Bica kërkoi nga Kolegji ndryshimin e vendimit të Komisionit dhe të deklarohet ndëprerja e procedurës së rivlerësimit pa një vendim përfundimtar, pasi është bërë e pamundur. Gjithashtu, ai kërkoi që të ndryshohej edhe pjesa arsyetuese bazuar në provat që kishte depozituar.

Kolegji e ka gjetur të drejtë pretendimin e Bicës se ai nuk ka kërkuar dorëheqje në KLP. Po ashtu, ka rezultuar se referimi i Komisionit për mbarimin e statusit të magjistratit për shkak të dorëheqjes, nuk përputhet me vendimin e KLP-së.

Trupi gjykues i KPA vlerëson se situata faktike është konstatuar gabimisht nga Komisioni dhe për të kryer korrigjimin e nevojshëm, si dhe për t’i garantuar subjektit të drejtën për t’u dëgjuar e mbrojtur në mënyrë efektive, është kaluar shqyrtimi i çështjes në seancë publike.

Debati për sanksionin

Bica e cilëson të papranueshëm dhe jo ligjor arsyetimin e Komisionit që e ka konsideruar si dorëheqje kërkesën për dalje në pension. Ai ka theksuar se ka respektuar të drejtën e pakufizuar të njohur nga ligji për të dalë në pension të parakohshëm dhe për rrjedhojë vendimi i KPK ka shkelur parimin e ligjshmërisë.

Bica e kundërshton arsyetimin dhe vendimarrjen e KPK-së me pretendimin se mungon dorëheqja para KLP-së. Sipas tij, dorëheqja duhet të ishte me shkrim dhe në referencë të ligjit që të mund të trajtohej si e tillë. Subjekti ka këmbëngulur se ka ushtruar të drejtën kushtetuese për të dalë në pension të parakohshëm, që sipas tij është pension pleqërie i reduktuar. Ai pretendon se është penalizuar pa ligj dhe se vendimi i Komisionit bie ndesh me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, KEDNj.

“Dalja në pension dhe ‘dorëheqja’ janë dy institute që nuk mund të qëndrojnë njëherazi, pasi përjashtojnë njëri-tjetrin. Të dyja këto institute sjellin ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, por ato ndryshojnë katërcipërisht me njëra-tjetrën, pasi dalja në pension është e lidhur domosdoshmërisht me moshën – magjistrati duhet të ketë mbushur moshën 60 vjeç dhe të ketë të paktën 30 vjet në ushtrim të funksionit si magjistrat – kushte që subjekti i plotëson; ndërsa dorëheqja shpreh vetëm një vullnet subjektiv dhe të pakushtëzuar të individit”, argumentin Bica.

Ashtu si KPK, edhe shumica e trupit gjykues të Kolegjit vlerëson se subjekti me vullnetin e tij ka lënë detyrën që ushtronte përkundrejt mundësisë për të vazhduar ushtrimin e funksionit. “Pasi me veprime konkrete, ka hequr dorë nga ushtrimi i tij, ndërkohë që ende nuk kishte mbushur moshën 67 vjeç, për të dalë në pension të plotë pleqërie dhe të vazhdonte të ushtronte detyrën e të gëzonte statusin e magjistratit edhe për disa vjet të tjerë, duke plotësuar në këtë mënyrë kushtet për të kualifikuar këtë situatë faktike sipas parashikimit të nenit G të Aneksit të Kushtetutës”, arsyeton shumica.

Kolegji shprehet se pajtohet me subjektin se “dalja në pension të parakohshëm pleqërie” nuk është e njëjtë me “dorëheqjen nga detyra”, por vlerëson se mbarimi i statusit të magjistratit për shkak të daljes në pension pleqërie afekton në mënyrë të pashmangshme dhe procesin e vetingut, duke sjellë për pasojë humbjen e statusit si subjekt rivlerësimi ex officio dhe ndërprerjen e procesit.

Sipas shumicës, në këtë rast janë të ndërlidhur me vetingun shkaku subjektiv dhe ai objektiv i largimit nga detyra. “Në momentin që subjekti i rivlerësimit ka shprehur qëndrimin e tij subjektiv për të lënë me vullnet të lirë detyrën e prokurorit dhe për të mbaruar statusin e magjistratit që e bën atë subjekt të procesit të rivlerësimit ex officio, duhet të marrë në konsideratë edhe pasojën ligjore në ecurinë e procesit të rivlerësimit, sipas nenit G të Aneksit të Kushtetutës”, konstaton shumica dhe vëren se kjo pasojë ligjore i është bërë e ditur Bicës nga Komisioni.

Kryesuesja e trupit gjykues të KPA, gjyqtarja Mimoza Tasi vlerëson ndryshe nga shumica, duke kërkuar pranimin e ankimit të subjektit. Ajo shprehet kundër interpretimit të shumicës për shkaqet “objektive” dhe “subjektive” të largimit nga detyra dhe ndërlidhjes së tyre me procesin e rivlerësimit.

Ajo vlerëson se instituti i “dorëheqjes” dhe ai i “daljes në pension”, nuk mund të aplikohen për analogji të njëri-tjetrit, në funksion të vijimit apo ndërprerjes së procesit të vetingut të magjistratëve. Sipas saj, megjithëse të dyja këto institute sjellin ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, dallojnë qartësisht njëri nga tjetri pasi “dalja në pension të parakohshëm” është e lidhur domosdoshmërisht me dy kushte ligjore, me moshën dhe me ushtrimin e funksionit të magjistratit për të paktën 30 vjet. “Kushte të cilat, nga shqyrtimi i akteve në fashikull, rezulton se subjekti i rivlerësimit i plotëson”, konstaton Tasi dhe arsyeton se “dorëheqja” është vetëm shprehje e vullnetit të subjektit kur egziston marrdhënia e punës, por e pakushtëzuar me kërkesa të posaçme ligjore.

“Këto dy institute, në rastin kur nuk janë të parashikuara shprehimisht në Kushtetutë apo në ligj, nuk mund ta zëvendësojnë njëri-tjetrin”, shprehet pakica dhe e vlerëson aplikimin e sanksionit si bazë ligjore të “dorëheqjes” në rastet e “daljes në pension”, si një penalizim pa ligj që vjen ndesh me Kushtetutën, legjislacionin dhe fuqi dhe me KEDNj.

Tasi sjell në vëmendje edhe faktin se ditën e vendimarrjes së KPK-së, subjekti nuk e gëzonte më de jure dhe as de facto statusin e magjistratit. Sipas saj, për këtë arsye vetë vendimi i Komisionit ka mbetur pa objekt.

“Edhe sikur të pranohej teorikisht fakti që subjekti mund të pretendojë në një moment të mëvonshëm fitimin përsëri të statusit të magjistratit, […], ky kërkim do ta penalizonte subjektin me cenim të etikës dhe figurës së agjistratit, duke iu referuar situatës juridike të kërkesës së tij për përfitimin e pensionit të parakohshëm, rrethanë kjo që do të vlerësohej domosdoshmërisht nga këto organe”, argumenton Tasi duke e cilësuar si hipotetike një mundësi të tillë.

Në përfundim, ajo i bashkohet pretendimit të ish-prokurorit Petrit Bica se procesi i tij i rivlerësimit duhej të ishte përfunduar pa një vendim përfundimtar të çështjes, për shkak se objekti për të cilin ka nisur procedura është bërë i pamundur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *