Gjyqtari pranë Gjykates së Rrethit Gjyqësor Tirane, Kreshnik Omari, | Foto : LSa
Analiza KPA Veting

KPA e gjeti të drejtë shkarkimin e Kreshnik Omarit për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e gjeti të drejtë shkarkimin e gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Kreshnik Omari për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, si dhe konfirmoi pamundësinë financiare dhe dyshimet e ngritura për fshehje pasurie në emër të prindërve.

Në vendimin e arsyetuar të KPA analizohen shkaqet e ngritura në ankim prej Omarit, si ato procedurale dhe ato për gjetjet në kriterin pasuror, që janë rrëzuar sit ë pabazuara.

Komisioni ka konstatuar pamundësi financiare të subjektit në shumën 1.4 milionë lekë për blerjen e një garazhi me sipërfaqe 11.5 m2, duke e kryer analizën bazuar në çmimin e referencës. Nisur nga çmimi i blerjes që rezulton rreth dy herë më i ulët nga ai i referencës, është konsideruar se subjekti ka kryer deklarim të rremë, pasi është përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë këtë pasuri.

Edhe KPA vlerëson se çmimi prej 2725 eurosh i përcaktuar në kontratën e shitjes është dukshëm i ulët në raport me vlerën 1 milion lekë të përcaktuar në kartelën e pasurisë së paluajtshme, në kuadër të aplikimit për rivlerësimin e pasurisë në tetor të vitit 2013.

Sipas Kolegjit, depozitimi i kontratës së sipërmarrjes të vitit 2005 nga subjekti vetëm pasi ai është njohur me rezultatet e hetimit administrativ e bën të pabesueshme vlerën provuese. Megjithatë, në kushtet kur subjekti ka depozituar kontrata të ngjashme shitjeje, të cilat përmbajnë të njëjtin çmim për pasuri me të njëjtën sipërfaqe të ndodhura në të njëjtin objekt, si dhe për vetë karakteristikat e garazhit si vendparkim i hapur, Kolegji në ndryshim nga Komisioni, ka vlerësuar se nuk mund aplikohet situata e deklarimit të rremë.

Komisioni ka vlerësuar se Omari ka kryer deklarim të rremë edhe për çmimin e blerjes së një automjeti tip “Lancia” në vitin 2013 dhe se ka fshehur vlerën reale të saj, si dhe të shpenzimeve të tjera të kryera prej tij. Subjekti ka deklaruar se e ka blerë në shumën 300 mijë lekë nga shtetasja italiane V.P., ndërkohë që kjo e fundit e kishte blerë rreth dy muaj më parë në Itali në shumën 9000 euro dhe ka paguar detyrime doganore në verën 255 mijë lekë.

Nga verifikimet e sitemit TIMS Komisioni ka gjetur se Omari dhe shtetasja italiane V.P. kanë udhëtuar shpesh së bashku jashtë shtetit dhe se janë të njohur, fakt që është pranuar edhe nga vetë subjekti i rivlerësimit.

Bazuar në këto rrethana, KPK ka krijuar bindjen se kjo pasuri i përkiste subjektit që prej momentit që u ble dhe u soll në Shqipëri dhe se veprimet e kryera prej znj. V. P. ishin të qëllimshme, për të fshehur vlerën reale të këtij automjeti dhe shpenzime të tjera të kryera për të.

Omari ka kundërshtuar duke pretenduar në ankim se e ka deklaruar këtë pasuri dhe çmimin faktik të tij. Po ashtu, ka sjellë në vëmendje të Kolegjit se KPK nuk arsyeton mospranimin e shpjegimeve të tij se znj. V. P. ia shiti automjetin më lirë nga sa e kishte blerë, për shkak të marrëdhënies miqësore mes tyre.

Në këtë rast, Kolegji e gjen të drejtë konkluzionin e Komisionit se subjekti i rivlerësimit nuk ka qenë bindës në pretendimet e tij. “Ndërsa në Komision subjekti i rivlerësimit shprehet se nuk ishte në dijeni të arsyes se përse znj. V. P. ia kishte shitur automjetin më lirë, në ankim pretendon se maksimumi kjo situatë mund të konsiderohet si mosdeklarim nga ana e tij në deklaratën periodike vjetore 2013 të dhuratës së bërë nga znj. V. P., për shkak të mungesës së vëmendjes në përpilimin e saktë të kësaj deklarate, nisur nga fakti që nga blerja e automjetit deri në plotësimin e saj kishte kaluar mbi një vit, si dhe pasojat dhe stresi prej divorcit”, konstaton KPA dhe vlerëson se nënshkrimi i kontratës së shitjes mes tyre vetëm një muaj e njëzet ditë pas blerjes, në një vlerë rreth pesë herë më të ulët, mbështet konkluzionin e Komisionit se automjeti i përket subjektit të rivlerësimit që në momentin e blerjes së tij. Po ashtu, konstatohet pamundësi në shumën 1 milione 175 mijë lekë për blerjen e kësaj pasurie.

Komisioni ka gjetur probleme edhe deklarimin e blerjes së një veliere me gjatësi 9 metra në vitin 2015, kundrejt vlerës 4000 euro. Si burim krijimi për këtë pasuri, Omari ka deklaruar kursimet vjetore, por nga analiza financiare është konstatuar balancë negative. Ai ka pretenduar se çmimi 4000 euro i është ofruar nga pronari i velierës, një shtetas Italian nga Napoli të cilin e njihte që prej kohës kur kishte qenë emigrant, pasi ai do të ndërtonte varkë më të madhe dhe nuk i nevojitej më ajo që dispononte.

Në ankim, subjekti ka pretenduar se Komisioni nuk ka marrë në konsideratë gjendjen cash në banesë deri në vitin 2015 në vlerën 135 mijë euro, por KPA vëren se ai nuk e ka deklaruar këtë shumë si burim në deklaratën periodike vjetore dhe as në atë “veting”. “Për më tepër, gjendja cash në shumën 135.000 euro rezulton të jetë përdorur për krijimin e depozitës bankare më 24.04.2015, ndërsa veliera është blerë gjashtë muaj më pas, më 13.10.2015”, citohet në vendimin e KPA.

Referuar deklarimeve të subjektit, shuma prej 135 mijë eurosh përbëhej nga kursimet cash në masën 97 mijë euro të deklaruara në 2003 me burim krijimi nga puna si emigrant, puna si avokat dhe si gjyqtar; si dhe diferenca 38 mijë euro e krijuar në vitet në vazhdim, me të ardhura nga pagat e subjektit dhe ish-bashkëshortes.

Megjithëse Omari ka dorëzuar dokumentacion për të provuar të ardhurat e përfituara nga puna si kamionist në Itali, sipas KPK ai ka arritur të justifikojë me dokumentacion ligjor vetëm shumën 76 milionë lireta, ekuivalent i shumës 39 mijë e 283 euro. Ndërsa nga puna si gjyqtar është konkluduar se mund të kishte kursyer rreth 1 milion lekë për periudhën 1997-2003. Po ashtu, Omari ka rezultuar në KPK në pamundësi financiare në vlerën 2,2 milionë lekë për të krijuar më vonë gjendjen cash 38 mijë euro të deklaruar prej tij se ka shërbyer për plotësimin e vlerës së depozitës 135 mijë euro.

Pamundësi e Omarit për krijimin e gjendjes cash në shumën 97 mijë euro deri në fund të vitit 2003 ka rezultuar edhe nga analiza financiare e kryer në Kolegj, nga është konstatuar bilanc negativ në vlerën 14.2 milionë lekë, pa përfshirë të ardhurat e provuara nga emigracioni. Megjithatë, Kolegji evidenton se edhe nëse do të ishin konsideruar në analizë ato të ardhura që janë vërtetuar nga emigracioni, sërish bilanci negativ do të mbetej në vlerën 12.1 milionë lekë.

“Për më tepër, mbeten të paqarta arsyet përse subjekti i rivlerësimit duhet të mbante gjendje cash në banesë shuma të konsiderueshme, ndërkohë që prej vitit 2003 ai ka përdorur llogaritë bankare për ruajtjen e kursimeve të tij”, vëren KPA.

Kolegji ka gjetur të drejtë edhe konkluzionin e Komisionit se subjekti nuk ka pasur mundësi as për krijimin e gjendjes cash 38 mijë euro gjatë periudhës 2004-2015, nga për rrjedhojë është arritur në përfundimin se është gjendur në pamundësi edhe për investimin në depozitën 135 mijë euro në prill të 2015-ës.

Transaksionet e prindërve

Komisioni është vënë në dijeni nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave për disa transaksione të kryera nga nëna dhe babai i subjektit të rivlerësimit, raportuar pranë këtij institucioni nga noterët. Konkretisht, bëhet fjalë për kontratë qiraje të një apartamenti, vendvarke, si dhe dhënie në përdorim të shërbimeve portuale në Orikum, Vlorë, në vlerën 99 mijë e 600 euro dhe një kontratë porosie për apartament në Tiranë në vlerën 80 mijë euro – pasuri këto të kontraktuara nga nëna e subjektit të rivlerësimit. Po ashtu, kanë rezultuar edhe kontrata premtim shitje e dy vendparkimeve në Tiranë, në vlerën 2.8 milionë lekë, të nënshkruara nga babai i subjektit.

Komisioni ka vlerësuar se subjekti nuk ka qenë bashkëpunues për qartësimin e këtyre transaksioneve dhe nisur nga fakti se nuk i ka deklaruar dhe nuk ka provuar burimet e krijimit të tyre, ka ngritur dyshime se mund të jenë pasuri të fshehura të tij.

Ashtu, si KPK edhe Kolegji shprehet se subjekti nuk ka mundur të provojë të kundërtën e rezultateve të hetimit pasi dokumentacioni për të ardhurat e prindërve që kanë shërbyer për krijimin e këtyre pasurive ka qenë i pamjaftueshëm. “[…]Pasi, sikurse deklaron dhe vetë subjekti i rivlerësimit, aktivitetet e ushtruara nga prindërit nuk ishin të regjistruara në organet tatimore e, për rrjedhojë, edhe nëse këto të ardhura do të ekzistonin nuk do të plotësonin kërkesat e ligjshmërisë në kuptim të nenit D, pika 3 të Aneksit të Kushtetutës, për pagesën e detyrimeve tatimore”, konstaton KPA dhe çmon se shuma 160 mijë euro ka qenë një pasuri e fshehur e subjektit e për rrjedhojë afekton ligjshmërinë e pasurive të krijuara më pas nga nëna e tij, të cilat kanë këtë shumë si burim krijimi.

Në vijim KPA analizon pasuritë e marra me qira nga nëna e Omarit. “[…]Nëna e subjektit të rivlerësimit merr me qira një vend varke, ndërkohë që ajo nuk disponon një mjet të tillë dhe subjekti kishte vetëm pak muaj që kishte blerë mjetin e lundrimit velierë; (ii) subjekti i rivlerësimit ka banuar dhe banon në të njëjtën adresë me prindërit e tij dhe aktualisht me nënën; (iii) në kushtet kur në përgjigjet e pyetësorit standard, deklaron se për shkak të moshës së nënës është autorizuar prej saj të bëjë veprime në llogarinë e saj bankare […], por që deri aktualisht nuk ka kryer ndonjëherë veprime dhe, gjithashtu, është pajisur me prokurë për të tërhequr pensionin e saj nga sigurimet shoqërore, ndërkohë që nga ana tjetër shprehet se nuk ka pasur dijeni për transaksionet bankare të kryera nga nëna, në vlerësim të trupi gjykues tregojnë qartë që subjekti i rivlerësimit nuk ka qenë i sinqertë në deklarimet e tij dhe pasuritë apartament i përfituar me kontratë qiraje, vend varke dhe shërbime portuale në Orikum, Vlorë janë pasuri të fshehura[…]”, citohet në vendimin e KPA.

Po ashtu, Kolegji konkludon se subjekti duhej të kishte deklaruar të drejtat e krijuara pas çeljes së trashëgimisë ligjore dhe se mosdeklarimi e vendos në kushtet e fshehjes së pasurisë. Qëndrimi vetpërjashtues i subjektit për pasuritë e kontraktuara nga prindërit, shkujdesja apo mungesa e vëmendjes në raport me faktet dhe rrethanat e krijimit të tyre, vlerësohen prej KPA se kanë pasur për qëllim fshehjen e këtyre pasurive.

Omari ka rezultuar me bilanc negativ në vlerë të madhe, edhe nga analiza financiare e kryer në Kolegj. Nga pamundësia në shumën 22.3 milionë lekë të konstatuar në Komision, balanca negative e përgjithshme e konkluduar në KPA është në vlerën 20.4 milionë lekë dhe është vendosur lënia në fuqi e shkarkimit të tij.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *