Prokurori Julian Çafka pas seancës në KPA. Foto: Vladimir Karaj.
KPA Lajme Veting

Komisioneri Publik kërkon kthimin në shkollë të prokurorit Juljan Çafka

Komisioneri Publik Florjan Ballhysa, pasi renditi edhe një herë problemet me profesionalizmin që i ishin gjetur prokurorit Juljan Çafka i kërkoi të hënën Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të ndryshonte vendimin e KPK-së dhe të dërgonte Çafkën për 1 vit trajnim në Shkollën e Magjistraturës.  Komisioneri po ashtu i kërkoi KPA që të dërgonte dy çështje të ndjekura nga prokurori për hetim disiplinorë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Çafka i pranishëm në seancë i justifikoi problemet e gjetura me ngarkesën e lartë në punë, kompleksitetin e çështjeve dhe këmbënguli që ato nuk ishin të tilla sa të ndëshkoheshin nga institucionet e rivlerësimit. Çafka referoi në KPA precedentë nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut mbi pavarësinë e magjistratëve dhe kërkoi që të lihej në fuqi vendimi i konfirmimit në detyrë.

Pasi dëgjoi palët trupa e Kolegjit e kryesuar nga Ina Rama, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtare Rezarta Schuetz, Albana Shtylla dhe Sokol Çomo, njoftoi se do të tërhiqej për vendim, i cili do të shpallet në 5 prill.

Prokurori Julian Çafka u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 14 shtator pasi disa çështje të denoncuara nga publiku, ku janë konstatuar mangësi në hetimet e kryera nga drejtuesi i komanduar i Prokurorisë së Gjirokastrës nuk u konsideruan penalizuese.

Ndërkohë, KPK vendosi të transferojë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dy çështje të hetuara prej prokurorit Çafka në vitet 2018 dhe 2019 , për “inspektim të shkaqeve që mund të përbëjnë shkelje disiplinore”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *