Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjatë shpalljes së vendimit për Sekretarin e Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese Eugen Papandile. Foto:Edmond Hoxhaj/BIRN
KPK Veting

KPK ndërpret vetingun për Eugen Papandile

Komisioni u Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurën më 23 nëntor vendimin për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Sekretarin e Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese, Eugen Papandile. Gjithashtu, u vendos ndalimi i emërimit të tij në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme. Papandile nuk ishte i pranishëm gjatë shpalljes së vendimit.

Gjatë seancës dëgjimore të martën, Papandile u përball me relacionin e Komisionit që konstatonte se pranimi prej tij i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm dhe heqja dorë nga të qenit ndihmës ligjor, ishte de fakto dorëheqje.

Trupa e KPK kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Alma Faskaj dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin, arsyeton se pas hetimeve dhe pas disa përgjigjeve të Papandiles në të cilat ai thoshte se nuk ishte subjekt rivlerësimi, dukej se në rastin e tij duhej të zbatohej neni G i Kushtetutës, që parashikon se në rast dorëheqje subjekti përjashtohet për 15 vite nga mbajtja e funksioneve në sistemin e drejtësisë.

Papandile i pranishëm në seancë, pasi u ankua për defekt teknik të e-mailit për shkak të ndryshimit të sistemit nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe se nuk i kishte marrë disa e-maile të KPK-së, këmbënguli se nuk kishte dhënë dorëheqjen dhe ishte gati të rivlerësohej.

Megjithatë i pyetur disa herë në seancë për qëndrimin e tij në këtë rast ai po ashtu i qëndroi tezës që nuk ishte subjekt rivlerësimi dhe që rasti i tij ishte “gjë e gjykuar” për shkak të vlerësimit të mëparshëm nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *