Gjyqtarja Igerta Hysi pas seancës dëgjimore me Komisionin e Pavarur te Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza Korrupsioni KPK Vendi

Vendimi për Igerta Hysin, KPK: Lirimi i të kërkuarit nga Italia, i bazuar në ligj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e gjeti të drejtë një vendim të debatueshëm të gjyqtares së Gjykatës së Fierit për lirimin në vitin 2014 të Arben Isufajt, ndërsa nuk konstatoi probleme në kriterin e pasurisë.

Gjyqtarja Igerta Hysi pas seancës dëgjimore me Komisionin e Pavarur te Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 11 janar 2021 të konfirmojë në detyrë gjyqtaren e Fierit, Igerta Hysi, pasi rrëzoi si të pabazuar konkluzionin negativ të DSIK për figurën.

Në vendimin e arsyetuar analizohen disa dosje për të cilat DSIK ka ngritur dyshime për subjektin e rivlerësimit, si dhe një informacion publik lidhur me vendimin e diskutueshëm të lirimit në vitin 2014 të Arben Isufajt, i njohur edhe si Ben Qimja, i cili kërkohej asokohe nga Italia për trafik droge.

I cilësuar si i pabazuar në ligj nga Prokuroria e Përgjithshme, ky vendim iu nënshtrua inspektimit asokohe nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Komisioni i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor praktikën dhe rezultatin e inspektimit të kryer për këtë vendimarrje të Hysit, por ankesa rezultoi e arkivuar.

KPK sqaron në vendim se gjyqtarja lgerta Hysi, në përfundim të gjykimit të çështjes për të pandehurin Arben Isufaj, ka vendosur më 15 korrik 2014 rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë së Fierit për zgjatje të afateve të paraburgimit dhe dy ditë më vonë ka vendosur shuarjen e masës së sigurimit.

Pas ankimit të bërë nga Prokuroria, Gjykata e Apelit Vlorë ka vendosur me shumicë votash një muaj më vonë lënien në fuqi të vendimit të Hysit.

Ndërkohë, edhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në muajin tetor 2014, ka vendosur të mospranojë të dy rekurset e kryera nga prokuroria e Apelit Vlorë. Pas përfundimit të shqyrtimit të çështjes në të tre shkallët e gjyqësorit, nga ana e inspektorëve të KLD-së  është sugjeruar arkivimi i ankesës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Komisioni konstaton se vendimarrja e subjektit të rivlerësimit është konfirmuar nga Gjykata e Apelit Vlorë dhe Gjykata e Lartë.

“Gjithashtu edhe nga inspektimi i kryer nga ish-KLD-ja nuk u evidentuan shkelje ligjore të pretenduara si të kryera nga subjekti i rivlerësimit,” citohet në vendim.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se vendimarrja për lirimin e Arben Isufit është e bazuar ‘në ligj dhe priva”.

Pasi analizoi çështjet e mësipërme në të gjithë dinamikën e tyre, Komisioni nuk konstatoi ndonjë shkelje ligjore të kryer nga subjekti i rivlerësimit, si dhe nuk u evidentua ndonjë veprim i subjektit që mund të cenonte figurën apo aftësitë e saj profesionale.

Në kuadër të kriterit të figurës, Komisioni ka verifikuar edhe disa dosje gjyqësore për të cilat DSIK ka raportuar informacione lidhur me veprime të mundshme jo të ligjshme.

Lidhur me një çështje penale në ngarkim të tre të pandehurve për veprën penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ka rezultuar se trupi gjykues ku Hysi ka qenë në cilësinë e anëtares, ka pranuar kërkesën e të pandehurve për gjykim të shkurtuar duke u ulur 1/3 e dënimit, si dhe ka urdhëruar pezullimin e dënimit të mbetur për një afat prej 2 vjetësh me kusht që të mos kryejnë vepra të tjera penale.

Sipas informacionit të DSIK, fillimisht relatorja e çështjes ka qenë e prerë se të pandehurit duhej të dënoheshin, por më pas është vendosur pezullimi i dënimit të mbetur dhe lirimi i menjëhershëm i të pandehurve.

Komisioni konstaton se nga shqyrtimi i akteve të kësaj dosje nuk janë gjetur shkelje ligjore të kryera nga Hysi dhe se vendimi është lënë në fuqi edhe nga Apeli, ndërkohë që ndodhet për gjykim në Gjykatën e Lartë.

KPK nuk ka gjetur probleme edhe në një vendim tjetër të ngjashëm të Gjykatës së Fierit, ku Hysi ka qenë anëtare, kur është vendosur pezullimi i dënimit të mbetur të një personi të akuzuar për “prodhim dhe shitje narkotikësh”, si dhe urdhërimi i lirimit të menjëhershëm të tij.

Sipas trupit gjykues, nga hetimi administrativ i kryer nga Komisioni nuk u gjetën elementë që të vërtetojnë ekzistencën e kontakteve të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar apo përfshirjen e subjektit të rivlerësimit në veprime korruptive dhe se Hysi ka arritur një nivel të besueshëm në kontrollin e figurës.

Komsioni nuk ka gjetur probleme edhe me 6 denoncimet e kryera nga publiku lidhur me aspektin profesional.

“Nga hetimi i thellë administrativ i kryer, nuk u provua asnjë indicie apo element që cenon figurën e gjyqtares Igerta Hysi dhe sipas parashikimeve në nenin 44/a të ligjit nr. 84/2016, subjekti i rivlerësimit ka treguar cilësi të pranueshme në punë, është eficiente dhe efektive në masë të pranueshme dhe, përfundimisht, u vlerësua për kriterin profesional ‘e aftë'”, konkludon KPK.

 Pasuria pa probleme

Nga analiza financiare e pasurisë, KPK ka gjetur pamundësi të familjarëve të gjyqtares Igerta Hysi në shumën e 470 mijë lekëve për blerjen e një apartamenti të zotëruar nga kjo e fundit. Megjithatë, prona ishte blerë përpara emërimit të Hysit si gjyqtare dhe u konsiderua jo-penalizuese.

Hysi ka shpjeguar se kjo pasuri është likujduar para martesës dhe para emërimit të saj si gjyqtare, me të ardhurat nga puna e të atit dhe ato të siguruara prej vëllait në emigracion, në shtetin grek. Ndërsa për mobilimin, është shprehur se e ka kryer së bashku me bashkëshortin pasi kanë qenë të martuar.

Trupi gjykues vlerëson se krijimi i të ardhurave dhe blerja e pasurisë apartament, janë veprime që kanë ndodhur përpara se subjekti të merrte detyrën e gjyqtares dhe çdo burim i përdorur për krijimin e kësaj pasurie është krijuar nga familjarë të saj.

“Për këto arsye, balanca negative që rezultoi nga analiza financiare, nuk mund të ngarkojë me përgjegjësi disiplinore subjektin e rivlerësimit”, vlerëson trupi gjykues i KPK.

Për krijimin e një depozite bankare në shumën 900 mijë lekë në vitin 2014, gjyqtarja Hysi ka deklaruar se burim i krijimit te kësaj depozite është çmimi i shitjes së një Benzi në vlerën 900 mijë lekë, që bashkëshorti e kishte blerë para martesës.

Makina ishte blerë përmes një kredie prej 500 mijë lekësh. Komisioni e ka konsideruar fillimisht të paqartë shitjen e mjetit me vlerë më të madhe nga sa ishte blerë 4 vite më parë, si dhe i ka konsideruar jo bindëse pretendimet e Hysit.

Pavarësisht këtyre paqartësive në ngritura fillimisht, Komisioni pranon si çmim të blerjes së mjetit shumën 500 mijë lekë të marrë kredi dhe merr në konsideratë funksionimin e tregut të automjeteve të përdorura në Shqipëri, duke mos konkluduar probleme për burimin e depozitës.

“…tregu i automjeteve të përdorura funksionon si i tillë,…madje funksionon si një biznes mjaft fitimprurës,” argumenton trupi gjykues, duke interpretuar se makinat blihen jashtë vendit me çmim shumë më të lirë nga ai i tregut.

Në fund, deklarimi i Hysit për llogarinë bankare dhe makinën konsiderohet i saktë dhe i vërtetë.

Komisioni nuk ka gjetur probleme edhe në daljen e gjyqtares Hysi dhe bashkëshortit si dorëzanësa për një kredi në vlerën 14 milionë lekë të marrë nga vëllai dhe babai i saj për blerjen e një lokali në Tiranë.

Komisioni konkludon se nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka deklaruar saktë, si detyrimin financiar, ashtu edhe marrëdhënien e ngushtë familjare lidhur me cilësinë e dorëzanëses, për shkak të kredisë 14 milionë lekë të marrë nga familja e origjinës.

Një denoncim anonim lidhur me këtë pasuri, ku janë ngritur dyshime se gjyqtarja Hysi kishte pjesë të fshehur në lokalin e blerë në Tiranë, është konsideruar si i pabazuar nga Komisioni.

Nga analiza financiare përmbledhëse për periudhën 2009 – 2016, KPK ka konkluduar se subjekti dhe personat e lidhur me të kanë pasur burime të ligjshme për të krijuar pasuritë dhe për të përballuar shpenzimet ndër vite.

Në përfundim, Komisioni konkludon se Hysi ka arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe të figurës si dhe nivel kualifikues për profesionalizmin.

Në faqen online të KPK thuhet se vendimi ka marrë formë të prerë, pasi nuk u ankimua.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *