Prokurori Albert Kuliçi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Prokurori Albert Kuliçi përballet me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shqyrtoi të enjten çështjen ndaj prokurorit të Prokurorisë së Vlorës,  Albert Kuliçi. Kuliçi kërkoi konfirmimin në detyrë.

Prokurori Albert Kuliçi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.

Prokurori i Vlorës, Albert Kuliçi u përball të enjten në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me pak pyetje në lidhje me pasurinë, ndërsa u vlerësua pozitivisht për figurën dhe për profesionalizmin.

Atij iu kërkuan shpjegime për mosdeklarim të pjesës takuese në dy shtëpi të lëna trashëgimi nga babai në deklarimet vjetore dhe të dhëna mbi pronarët e shtëpisë, që ai kishte në përdorim në Vlorë.

Kuliçi shpjegoi se pasuritë e babait, një shtëpi e pabanuar prej vitesh në Tropojë dhe një shtëpi në një fshat të Durrësit, nuk kishin qenë në “qarkullim të ligjshëm” dhe për këtë arsye ai nuk kishte deklaruar pjesë takuese në të, që sipas KPK ishte 1/5.

Trupa që hetoi Kuliçin kryesohej nga Valbona Sanxhaktari me anëtar Olsi Komicin dhe relatore Firdes Shulin.

Prokurori Albert Kuliçi ka filluar punë në vitin 2010 dhe punon prej vitesh në prokurorinë e Vlorës. Në dhjetor 2019, makina që ai përdorte u hodh në erë me eksploziv. Atentati u konsiderua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si sulm për shkak të funksionit.

Hetimi i pasurisë dhe denoncimet

Relatorja Shuli lexoi një listë të gjatë me çështje që ishin hetuar nga Komisioni, përfshirë llogari bankare, transaksione, shpenzime mbi vlerën 300 mijë lekë dhe të ardhurat e prokurorit, bashkëshortes, motrës dhe nënës së tij.

Të gjitha këto, sipas KPK rezultuan pa probleme. Dy shtëpi të ndërtuara njëra para 1990 dhe tjetra në mes të viteve 2000 nga babai i prokurorit rezultuan po ashtu pa probleme. KPK tha se prokurori kishte investuar në shtëpinë e dytë të ndërtuar në një fshat të Durrësit dhe se investimi ishte deklaruar.

Komisioni megjithatë tha se kishte kërkuar shpjegime për mosdeklarimin në deklaratat vjetore të pjesës takuese prej 1/5 që prokurori kishte si pasojë e trashëgimisë në të dy shtëpitë të ndërtuara nga prindërit. Sipas relatimit, Kuliçi kishte sqaruar se besonte që në të dy rastet shtëpitë ishin “jashtë qarkullimit ligjor” dhe se për këtë arsye nuk i kishte deklaruar.

KPK tha se Kuliçi kishte provuar që shtëpia në Tropojë ishte e pabanuar prej vitesh dhe se në të nuk ishin kryer investime nga prokurori. I njëjti konstatim u mbajt edhe për shtëpinë në Durrës, për të cilën vetë Kuliçi kishte deklaruar investime të kryera dhe që sipas KPK-së, mbuloheshin me të ardhura të ligjshme.

Komisioni po ashtu hetoi një kontratë qiraje për një banesë në Vlorë dhe një kontratë huapërdorje pa afat për një apartament tjetër.

Shuli tha se duke qenë se Kuliçi kishte marrë në përdorim pa qira një apartament në Vlorë me sipërfaqe 50 metra, KPK kishte hetuar gjërësisht mbi të. Kuliçi kishte deklaruar se apartamentin e kishte marrë nga familja e mikut të tij të ngushtë, që po ashtu punonte si oficer i Policisë Gjyqësore.

Komisioni tha se nuk kishte gjetur konflikt interesi dhe se prokurori kishte sjellë shpjegime të detajuara dhe foto që përkonin me deklarimet, por se kishte kërkuar shpjegime mbi mënyrën se si ishte ndërtuar apartamenti. Nga të dhënat në seancë u tha se apartamenti i përkiste S.P dhe ishte përfituar pas një investimi të tij në shumë 4.7 milionë lekë në vitin 2007.

Apartamenti ishte përdorur prej S.P që nga viti 2010 dhe më pas nga prokurori Kuliçi. KPK tha se Kuliçi kishte sjellë dokumente që tregonin për investimin e S.P në këtë apartament, edhe pse nuk kishte pasur një kontratë dhe kalimi i pasurisë ishte bërë përmes dhurimit.

Relatorja tha se kishte hetuar tre denoncime ndaj prokurorit Kuliçi. Dy denoncime ishin për zvarritje dhe një i tretë për pushimin e një hetimi. Sipas KPK-së, prokurori kishte sjellë dosjet përkatëse. Ai kishte pranuar vonesat, por kishte sqaruar se bëhej fjalë për shumë veprime hetimore dhe pezullimin e punës për shkak të pandemisë si arsye të vonesës. Shuli tha se rezultonte që veprimet hetimore ishin kryer. Prokurori po ashtu kishte argumentuar se përse kishte pushuar hetimet në një rast. Ai kishte sjellë vendime të gjykatës së Faktit dhe Apelit, që kishin lënë në fuqi pushimin.

Kuliçi vetë foli shumë pak në seancë. Ai tha se i qëndronte shpjegimeve të dhëna me shkrim dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Vendimi u la të shpallej në 11 tetor në orën 9.30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *