Trupa e KPK gjatë seancës për verifikimin e dorëheqjes së një ish-prokurori. Foto:BIRN
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Dorëheqja nga Prokuroria, KPK ndërpret vetingun për Henrik Ligorin

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deklaroi humbjen e së të drejtës së pedagogut Henrik Ligori për t’u emëruar në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.

Trupa e KPK gjatë seancës për verifikimin e dorëheqjes së ish-prokurorit Henrik Ligori. Foto:BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 1 shkurt 2021 të ndërpresë procesin e rivlerësimit për ish-prokurorin e Krimeve të Rënda, Henrik Ligori, për shkak të dorëheqjes së tij nga detyra si dhe t’i heqë atij të drejtën për t’u riemëruar në një pozicion në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Prej vitit 2018, Ligori ushtron detyrën si pedagog i Brendshëm i Shkollës së Magjistraturës.

Më 8 dhjetor 2020 ai i ka bërë me dije KPK-së se nuk e ushtron më detyrën e prokurorit ndaj nuk e gëzon me cilësinë e subjektit rë rivlerësimit. Ligori ka pretenduar gjithashtu se kërkesa për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit si ish-prokuror nuk gjente zbatim në rastin e tij, pasi në çastin e hyrjes në fuqi të ligjit të vetingut, e gëzonte statusin e magjistratit dhe se i ushtronte efektivisht funksionet e prokurorit.

Nisur nga kërkesa e Ligorit, trupi gjykues i KPK i kryesur nga Suela Zhegu, me relatore Alma Faskaj dhe anëtare Etleda Çiftja vendosi më 27 janar të mbyllë hetimin administrativ dhe e ftoi Ligorin në seancë dëgjimore.

Ligori i ka bërë me dije KPK se seanca dëgjimore do të ishte e panevojshme, pasi sipas tij, raporti i rezultateve të hetimit ishte i qartë dhe i saktë dhe se nuk mbetej ndonjë fakt që do të duhej të sqarohej. Ai ka konfirmuar se i gjente të drejta, logjike e të mbështetura në fakte e ligje analizën dhe përfundimet e Komisionit.

“Me aktin e dorëheqjes të datës 3.7.2018 unë zgjodha opsionin e ushtrimit të detyrës së pedagogut të brendshëm të Shkollës së Magjistraturës, pa afat të kufizuar, sipas dispozitave rregulluese që parashikon neni 264 i ligjit nr. 115/2016, ‘Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë’, duke u dorëhequr për këtë shkak nga detyra e prokurorit,” tha shpjeguar ai.

Në vendim, KPK analizon mënyrën se si u krye emërimi i Ligorit si pedagog dhe ka ngritur pikëpyetje nëse ai e gëzon apo jo statusin e magjistratit.

Për të arritur në një konkluzion është kërkuar informacion nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Shkolla e Magjistraturës.

Në vendim thuhet se KLP ka informuar se pas verifikimit të dokumenteve që disponohen në Sektorin e Burimeve Njerëzore, Ligori nuk e gëzon statusin e magjistratit, pasi është larguar nga detyra me vendimin të datës 4 korrik 2018 të Prokurorit të Përgjithshëm, kur është vendosur mbarimi i emërimit të tij.

Gjithashtu janë administruar nga Prokuroria e Përgjithshme kopje të dorëheqjes së Ligorit nga detyra si prokuror, ndërsa nga Shkolla e Magjistraturës është vendosur në dispozicion kopje e dokumentacionit të emërimit në detyrën e pedagogut të brendshëm.

Pas analizimit të dokumentacionit, Komisioni çmon se Ligori, duke ushtruar fuksionin si pedagog i brendshëm në Shkollën e Magjistraturës, referuar edhe procedurave të ndjekura për emërimin e tij, nuk e gëzon statusin e magjistratit.

Sipas Komisionit, Ligori nuk është emëruar në Shkollën e Magjistraturës sipas nenit 265 “Pedagogët gjyqtarë ose prokurorë”, që garanton statusin e magjistratit dhe rikthimin në detyrë.

Në vijim, Komisioni çmon se rezulton e provuar se në rastin konkret subjekti ka kërkuar dorëheqjen nga detyra dhe, për pasojë, edhe nga statusi i magjistratit.

Në përfundim, KPK vendosi të ndëpresë procesin e rivlerësimit për Ligorin dhe të deklarojë humbjen e së drejtës së tij për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *