Përfaqësuesi ligjor i gjyqtares Viola Canaj, njëherazi bashkëshorti i saj, Kreshnik Ziaj në seancë dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Gjyqtarja Viola Canaj konfirmohet në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurën më 23 nëntor vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Vlorës, Viola Canaj. Vendimi për konfirmimin e Canajt u mor nga trupa e KPK e keyesuar nga Roland Ilia, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Pamela Qirkon. Kryesuesi Ilia sqaroi se KPK ka vendosur të transferojë për inspektim pranë Institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë një çështje të gjykuar nga Canaj.

Gjatë seancës dëgjimore më 21 nëntor, Canaj i përfaqësua nga bashkëshorti i saj, avokati Kreshnik Ziaj, i cili dha shpjegime dhe kundërshtoi barrën e provës për pasurinë si dhe dha shpjegime të përmbledhura për gjetjet për profesionalizmin. Gjyqtarja Canaj u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës. Edhe gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtarja Canaj nuk ishte e pranishme dhe u përfaqësua prej bashkëshortit.

Viola Canaj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Durrësit, u emërua në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ku vazhdon ta ushtrojë edhe aktualisht funksionin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *