Gjyqtari Ervin Trashi pas seancës dëgjimore. Foto: Vladimir Karaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Veting vetëm në dy kritere, gjyqtari Ervin Trashi përballet me pyetje në KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se kishte gjetur probleme në pasurinë e gjyqtarit Ervin Trashi dhe kishte cilësuar si problem mosdeklarimin prej tij të një procedimi penal. Trashi kërkoi hapje të hetimit edhe në kriterin e profesionalizmit.

Gjyqtari Ervin Trashi pas seancës dëgjimore. Foto: Vladimir Karaj.

Gjyqtari i Vlorës, Ervin Trashi u përfshi në debat teorik me dy anëtaret e trupës, relatoren Firdes Shuli dhe kryesuesen Brunilda Bekteshi, mbi saktësinë e plotësimit prej tij të formularit të deklarimit të figurës dhe interpretimet juridike mbi të. Por siç doli nga relatimi, problemet kryesore të tij ishin në kriterin e pasurisë.

Shuli relatoi se Trashi rezultonte me një bilanc negativ prej 7.7 milionë lekësh në fund të analizës financiare, me dyshimet për fshehjen e një makine dhe mungesë burimesh për disa transaksione të tjera. Ai siç edhe pohoi në gjykatë kishte nënshkruar, me kërkesë të kompanisë së ndërtimit, një kontratë noteriale që sipas vetë Trashit nuk ishte e saktë.

Trashi kundërshtoi gjetjet e KPK-së në kriterin e pasurisë, por nuk qe e qartë nëse ai mund të provonte me dokumente të ardhurat e të vëllait që i kishte dhënë një hua 1.8 milionë lekë. Gjyqtari kërkoi që të rihapej hetimi për kriterin e profesionalizmit ”në respekt të 15 viteve punë”.

Trashi u hetua nga një treshe që veç Shulit dhe Bekteshit, kishte anëtare edhe Suela Zhegun. Vëshguese e ONM-së ishte Maria Tuma.

Ervin Trashi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Gjirokastrës. Prej vitit 2011, ai e ushtron funksionin pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Hetimi mbi figurën

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte përcjellë në KPK që në vitin 2017 një raport papërshtatshmërie për Trashin. Sipas këtij raporti, gjyqtari nuk kishte deklaruar një procedim penal ndaj tij për korrupsion aktiv.

Shuli tha se vepra penale për të cilën kishte nisur procedimi përfshihej në veprat që hetoheshin në bazë të ligjit kundër krimit të organizuar, por tha se Trashi ishte përgjigjur negativisht pyetjes nëse ishte “i përfshirë në krimin e organizuar”. Ajo tha se duke qenë se ligji i vetëdeklarimit nuk përjashtonte rastet e pushimit të hetimeve, por vetëm ato të pasurisë gjyqtari i ishin kërkuar shpjegime mbi këtë fakt.

Trashi këmbënguli në fjalën e tij se vetëdeklarimi ishe i saktë. Ai tha se pyetja në formular nuk ishte e llogjikshme dhe se ai nuk mund të deklaronte se ishte i përfshirë në krimin e organizuar, kur hetimet ishin pushuar pasi ndaj tij nuk ishte gjetur asnjë element i përfshirjes në vepër penale.

Por kryesuesja Bekteshi ndërhyri dhe i kërkoi shpjegime gjyqtarit në lidhje me saktësinë formale të plotësimit të vetëdeklarimit. Bekteshi tha se e kuptonte që në thelb ai nuk ishte i përfshirë, por se formalisht hetimet ndaj tij nënkuptonin që ai duhej t’i kishte deklaruar.

Trashi tha se ai përfshihej në rastet përjashtimore, pasi nuk ishte marrë i pandehur dhe se ligji parashikonte që nuk mund të konsiderohej i “përfshirë në krimin e organizuar” sa kohë nuk ishte marrë i pandehur.

Shuli u përfshi në debat me gjyqtarin në këtë pikë, duke këmbëngulur se ai nuk ishte në rastet përjashtimore dhe se duhej të kishte deklaruar. Në fillim të seancës KPK vuri në dukje se provat në këtë kriter konsideroheshin të plota dhe ishin një nga arsyet e mbylljes së hetimit vetëm në dy kritere.

Problemet e pasurisë

Gjyqtari i rezultoi Komisionit me një bilanc negativ prej 7.7 milion lekësh. Siç doli nga relatimi ai kishte probleme me deklarimin dhe mbulimin me burime të ligjshm etë blerjes së një apartamenti në Orikum, një papafingoje në shtëpinë e prindërve, shpenzimet për një makinë dhe transaksionte që kishin çuar deri te këto zotërime.

Sipas Komisionit Trashi nuk kishte bërë deklarime të plota dhe nuk kishte deklaruar burimet për apartamentin 27 mijë euro në Orikum. Apartamenti ishte paguar me 20 mijë euro kredi dhe 4 mijë euro të paguara cash. Një shumë prej 3 mijë eurosh ishte ulur nga çmimi për shkak të punimeve të pa kryera prej kompanisë.

Por ky rezultoi një problem për gjyqtarin. KPK vuri në dukje se kontrata e revokuar bënte me dije se Trashi do kryente vetë punimet në shumën 3 mijë euro, por gjyqtari nuk kishte deklaruar të tilla. Në seancë dhe në shpjegime gjyqtari tha se ai nuk kishte bërë punime shtesë. Ai këmbënguli se çmimi ishte ulur për shkak të mos përfundimit të punëve prej kompanisë në mjediset e tjera të pallatit që e kishin lënë atë në gjendje jo të mirë.

Por Shuli i tha Trashit se deklarata e tij nuk përputhej me deklaratën noteriale dhe kur u pyet specifikisht nëse kontrata noteriale ishte e saktë, Trashi këmbënguli se ajo ishte bërë e tillë me kërkesë të kompanisë së ndërtimit dhe se atij i kishte leverdisur për shkak të uljes në çmim.

Trashi kishte probleme edhe të justifikonte të ardhurat e vëllait të cilit i kishte marrë një hua prej 1.8 milion lekësh. KPK tha se ai nuk kishte sjellë dokumente justifikuese për burimet e ligjshme. Vetë Trashi pranoi mungesën e dokumenteve për një periudhë kohe, por tha se i vëllai kishte punuar me kondicionerët dhe se punonte në rregullimin e ekspresëve të kafesë. Ai tha se vëllain e kishte me vete dhe KPK mund të kontrollonte duart e tij për të parë nëse ai ishte apo jo punëtorë.  Ai gjithashtu citoi disa kontrata pune të të vëllait. Ai tha se KPK ishte kontradiktore pasi nuk kishte marrë në konsideratë huanë, por kishte konsideruar shpenzimet e tij në shlyerjen e saj.

Trashi po ashtu sipas KPK-së u gjet me probleme sa i përket një papafingoje në shtëpinë tre katëshe të familjes. Shuli tha se ai kishte dhënë qëndrime kontradiktore mbi kohën e ndërtimit të papafingos. Kjo e fundit ishte deklaruar fillimisht se ishte ndërtuar para fillimit të detyrës në vitin 2006, por ortofotot q ëKPK kishte marrë nga Kadastra tregonin se ky kat i tretë i shtëpisë nuk ishte ndërtuar deri në vitin 2007, kohë kur Trashi kishte filluar punë si gjyqtar.

Pasi i ishte kaluar barra e provës Trashi kishte këmbëngulur se papafingo ishte ndërtuar në gusht 2007, tre muaj para se ai të niste punë si gjyqtar në tetor të atij viti. Trashi këmbënguli se ai nuk kishte investuar në shtëpi dhe ajo nuk mund të përfshihej në analizën e tij financiare.

Por Shuli i tha Trashit se ai kishte bërë deklarime të ndryshme për këtë ndërtesë dhe i kërkoi shpjegime. Trashi tha se koha e ndërtimit nuk i kujtohej mirë, pasi ai kishte qenë student në Tiranë. Ai këmbënguli se një faturë e thjeshtë tatimore, ndaj një personi fizik që kishte kryer punimet e çatisë vërtetonte pohimet e tij.

I pyetur nëse faturën e kishte marrë nga familja apo nga personi fizik që kishte kryer punimet Trashi nuk qe i qartë në përgjigje, por tha se mendonte që atë e kishin gjetur prindërit e tij.

Problem tjetër për Trashin ishin transaksionet për një makinë që ishte blerë nga burri i tezes së tij për 600 mijë lekë, shitur një miku të tij disa vite më vonë për 800 mijë lekë dhe më pas gjyqtarit për 600 mijë lekë. KPK tha se shitësi i parë e kishte blerë makinën më shtrenjt se sa ia kishte shitur atë burrit të tezes së gjyqtarit dhe se me kërkesën për sqarime vetë gjyqtari kishte pranuar se ajo ishte blerë për 13 mijë euro.

KPK vuri në dukje se Trashi e kishte përdorur këtë makinë që prej blerjes së saj nga burri i tezes. Më pas kur ajo ishte blerë nga miku i tij Trashi ishte pajisur me prokurë që i lejonte edhe ta shiste makinën. Dhe se miku i tij në fakt nuk jetonte në Shqipëri dhe se ai ia kishte shitur makinën Trashit pak kohë më vonë.

Trashi tha se makina i kishte pëlqyer, por tha se ai vetëm e kishte përdorur. Ai këmbënguli se fakti që sigurimet e makinës dhe lejet e qarkullimit ishin në emër të tij nuk e bënin atë pronar dhe kundërshtoi hetimet mbi pasurinë e burrit të tezes si person tjetër i lidhur. Trashi u hetua po ashtu edhe pë rnjë makinë të xhaxhait për të cilën nuk kishte shumë dokumente dhe ai tha se nuk kishte sjellë të tjera sepse nuk kishte pasur barrë prove.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *