Prokurorja Natasha Prifti pas vendimit të KPK.
Analiza KPA Veting

Argumentet e Kolegjit për shkarkimin e prokurores Natasha Prifti

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi më 4 korrik 2022 të ndryshojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimion në detyrë të prokurores së Lushnjës, Natasha Prifti (Shallapi) dhe e shkarkoi atë për probleme në kriterin e pasurisë.

Vendimi për shkarkimin e Priftit u mor me votat e shumicës së trupit gjykues të Kolegjit, të përbërë nga kryesuesja Rezarta Schuetz dhe anëtaret Natasha Mulaj, Ina Rama dhe Albana Shtylla, që konkludoi se pasaktësitë në deklarimin e likujditeteve cash e bënin të pamundur verifikimin e burimeve të pasurive të rrjedhura prej tyre. Ndërsa relatorja Mimoza Tasi doli kundër shkarkimit, duke arsyetuar se shumica ka tejkaluar qëllimin e ligjit dhe se në këtë rast duhej lënë në fuqi vendimi i Komisionit për konfirmimin e Priftit, duke zbatuar parimin e objektivitetit dhe të proporcionalitetit.

Natasha Prifti (Shallapi) u konfirmua në detyrë nga KPK më 28 maj 2021, pasi mungesat financiare dhe deklarimet e pasakta në kriterin e pasurisë nuk u konsideruan penalizuese. Komisioni argumentoi se balanca negative përfshin kursime të krijuara nga bashkëshorti në një periudhë të gjatë para lidhjes së martesës dhe përpara se subjekti të fillonte detyrën, duke e konfirmuar Priftin në aplikim të parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit.

Por, vendimi i Komisionit nuk u gjet i drejtë dhe i bazuar prej Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, që vlerësoi se kishte mangësi serioze logjike në pjesën arsyetuese dhe i kërkoi institucionit të Komisionerëve Publikë që ta ankimonin atë. Objekti i rekomandimit lidhej me rezultatet e dala nga hetimi administrativ në raport me përfundimet e arritura nga Komisioni për kursimet cash në vlerën 4 milionë lekë të deklaruara nga bashkëshorti i subjektit në vitin 2013 pas fillimit të bashkëjetesës – ku dhe u bazua ankimi.

Si ish-komisioneri Darjel Sina, ashtu dhe zëvendësuesja e tij, komisionerja Irena Nino, kërkuan shkarkimin e prokurores Prifti për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm lidhur me gjendjen cash të bashkëshortit të saj, si dhe për përdorimin e kësaj vlere për krijimin pasurive gjatë martesës.

Prifti e cilësoi të pabazuar këtë pretendim, duke argumentuar se pasaktësitë në deklarimet e gjendjes cash ishin korrigjuar gjatë deklarimeve të dhëna në ILDKPKI dhe i konsideroi gjetjet të pamjaftueshme për të sjellë pasojë, duke kërkuar që të aplikohej parimi i objektivitetit dhe proporcionalitetit.

Natasha Prifti (Shallapi) përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe pas një periudhe stazhi në Fier u emërua prokurore në Prokurorinë e Gjirokastrës. Prej vitit 2012 deri në shkarkimin nga detyra, ajo e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnjë.

Qëndrimet ndryshe

Kolegji vëren se prokurorja Prifti ka deklaruar kursime cash në shumën 600 mijë lekë në vitin 2007, para fillimit të detyrës. Në momentin e këtij deklarimi, ajo ka qenë me status gjendjeje civile “e pamartuar”. Në vitin 2013, përveç subjektit të rivlerësimit, ka deklaruar për herë të parë edhe bashkëshorti i saj, i cili ka shënuar kursime cash në shumën 4 milionë lekë.

Si prokurorja Prifti, ashtu edhe bashkëshorti i saj nuk kanë deklaruar pakësim të kursimeve cash në deklaratat periodike vjetore për periudhën 2008-2014. Në vitet 2015 dhe 2016 deklarohet pakësimi i likuiditeteve cash, në total në shumën 3.2 milionë lekë dhe për rrjedhojë gjendja e këtyre likuiditeteve në fund të vitit 2016 është llogaritur prej Kolegjit në vlerën 1.4 milionë lekë, nga të cilat 800 mijë lekë të mbetura nga cash-i i bashkëshortit dhe 600 mijë lekë, kursimet e vetë subjektit. Ndërkohë, në deklaratën “veting”, nuk është deklaruar kursim cash. Gjithashtu, në deklaratat periodike pasardhëse të viteve 2017 dhe 2018, nuk janë deklaruar shtesa apo pakësime të likuiditeteve cash.

E pyetur nga KPK për destinacionin e shumës 800 mijë lekë, subjekti ka deklaruar se është shpenzuar në vitin 2014, por se është harruar të deklarohet atë vit si shpenzim.

Kolegji konstaton se në dosjen e Komisionit, gjendet i administruar një procesverbal i mbajtur pranë ILDKPKI-së, datë 29 janar 2016, kur Prifti ka deklaruar se gjendja cash e bashkëshortit në shumën 4 milionë lekë gjendej ende në banesë dhe se do ta depozitonin këtë vlerë në bankë e do të dorëzonin dokumentacion për këtë veprim. Ajo ka sqaruar se kjo shumë është akumuluar me të ardhurat e bashkëshortit nga veprimtaria private shitje me pakicë, e ushtruar me prindërit e tij dhe, më pas, nga vetë bashkëshorti, si dhe punë të ndryshme private.

Pas afro një muaji, më 23 shkurt 2016 subjekti ka dhënë sërish shpjegime në ILDKPKI, kur këtë herë ka deklaruar se gjendja cash e bashkëshortit në vlerën 4 milionë lekë është pakësuar ndër vite. Sipas deklarimit të saj në atë procesverbal, deri në fund të dhjetorit 2014 gjendja cash ka qenë 3.2 milionë lekë, ndërsa gjatë vitit 2015 ka pasur sërish pakësim. Në vijim, Prifti ka sqaruar se në momentin e deklarimit në procesverbal, gjendja cash është depozituar në bankë, në shumën 1.3 milionë lekë dhe ka paraqitur dokumentacion bankar për këtë transaksion.

Kur është pyetur në KPK për mospërputhjet, Prifti ka sqaruar se në momentin që kishin përpiluar deklaratën “veting”, nuk kishin pasur gjendje cash. Ajo ka theksuar se deklarimi i saktë është dhënë në ILDKPKI në shkurt të 2016-ës, pasi është konsultuar edhe me bashkëshortin.

Mosdeklarimin e pakësimit të gjendjes cash, ajo e ka cilësuar si një pakujdesi të bashkëshortit, por pa pasur si qëllim fshehjen e pasurisë apo të burimit të saj. Prifti ka pretenduar se kjo pasaktësi nuk mund ta penalizonte dhe Komisioni i ka gjetur bindëse këto argumente.

Por, këto shpjegime nuk janë vlerësuar të besueshme prej Kolegjit. “Subjekti është kontradiktor edhe mes deklarimeve në procesverbalet e dhëna brenda një kohe shumë të shkurtër, duke përfshirë këtu edhe deklaratat periodike dhe qëndrimin e subjektit gjatë procesit të rivlerësimit në Komision e në Kolegj, prandaj ato janë të pabesueshme dhe e humbin vlerën provuese”, citohet në vendimin e KPA.

Nisur nga qëndrimet kontradiktore për gjendjen cash, Kolegji ka çmuar ti përllogarisë duke vlerësuar deklarimet e subjektit dhe të personave të lidhur me të në deklaratat periodike. Nga analiza e përgjithshme ka rezultuar se këto pasaktësi që subjekti i justifikon me harresë, shoqërohen dhe me mungesën e burimeve të ligjshme për të justifikuar pasurinë. Për rrjedhojë është vlerësuar se Prifti ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm, si dhe ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë.

Duke u bazuar edhe në pamundësitë financiare për krijimin e pasurive, shumica e Kolegjit çmon se rëndësia e shkeljes është e tillë që nuk e lejon zbatimin e parimit të proporcionalitetit ashtu si ka vepruar Komisioni. Sipas shumicës, pasaktësitë në deklarim të subjektit të rivlerësimit në deklaratat periodike të konstatuara ndër vite, si dhe në deklaratën “veting”, pamundësuan kontrollin e kriterit të pasurisë për subjektin e rivlerësimit.

“Në çdo version të analizës financiare të kryer në Kolegj, duke konsideruar si kursim të mundshëm shumën prej 2.351.358 lekësh, të konstatuar nga Komisioni, si dhe të pranuar në seancë gjyqësore në Kolegj nga subjekti i rivlerësimit, znj. Natasha Prifti (Shallapi), ajo rezultoi me pamundësi financiare të tillë, që nuk mund të lejonte zbatimin e parimit të proporcionalitetit dhe, për pasojë, të sillte konfirmimin e saj në detyrë”, konstaton shumica dhe pasi ka konkluduar se Prifti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë, ka vendosur ndryshimin e vendimit të Komisionit duke e shkarkuar nga detyra prokuroren e Lushnjës.

Relatorja Mimoza Tasi në pakicë, megjithëse vëren se qëndrojnë pasaktësitë e konstatuara në deklarimet e subjektit të rivlerësimit dhe të bashkëshortit, vlerëson ndryshe, duke çmuar se Prifti duhej të ishte lënë të vijonte detyrën.

“Në ndryshim nga shumica e trupit gjykues, vlerësoj se subjekti i rivlerësimit nuk duhej të ishte ngarkuar me përgjegjësi disiplinore … dhe t’i jepej masa e shkarkimit nga detyra, për sa kohë provohet se subjekti i rivlerësimit ka mbajtur të njëjtin qëndrim konstant sqarues dhe plotësues lidhur me shpjegimet dhe argumentet për likuiditetet cash prej 4 milionë lekësh…,” shprehet ajo.

Tasi sjell në vëmendje se pyetjet që i ishin drejtuar subjektit në janar të 2016-ës kishin të bënin me deklarimet e bashkëshortit, ndërkohë që ky i fundit nuk kishte qenë i pranishëm. Sipas relators, procesverbali i dytë i mbajtur në ILDKPKI në shkurt të 2016-ës është dokument zyrtar mbi bazën e të cilit shpjegimet e subjektit kanë korrigjuar objektivisht pasaktësitë e deklarimeve të mëparshme. Tasi thekson se sqarimi që ka bërë subjekti në këtë procesverbal në muajin shkurt 2016, është në përputhje me deklaratat e pasurisë, në të cilat bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit shpjegon shtesat dhe pakësimet e gjendjes cash të deklaruar prej tij.

Duke ju referuar konkluzioneve të nxjerra në vendim nga shumica e trupit gjykues, realtorja Tasi çmon se mungesa e burimeve financiare të ligjshme nuk ka rezultuar për të gjitha pasuritë e pretenduara nga Komisioneri Publik të krijuara nga likuiditeti cash në shumën prej 4 milionë lekësh, por vetëm për dy prej tyre.

Sipas Tasit, balanca negative në vlerën rreth 1.5 milionë lekë e konstatuar nga analiza në Kolegj, nuk duhej të përbënte shkak për shkarkim pasi gjendja cash në shumën 4 milionë lekë është deklaruar për herë të parë nga bashkëshorti në vitin 2013, si kursime të krijuara nga aktiviteti i tij për një periudhë të gjatë kohore përpara martesës.

Pakica vëren se ankimi i Komisionerit Publik ka pasur si objekt vetëm një pasuri, ndërsa në Komision është analizuar e gjithë pasuria. Sipas relatores, trajtimi i pasurive të krijuara nga likuiditetet cash prej 4 milionë lekësh, si pasuri të shkëputura e të veçuara dhe duke ia nënshtruar analizës financiare si në momentin e krijimit të tyre, ashtu edhe të analizës vjetore, e kanë rënduar situatën e subjektit.

“Konstatoj se shumica e trupit gjykues…ka shkelur standardet objektive të vendosura në jurisprudencën e Kolegjit e që duhet të zbatohen rast pas rasti, pasi: (i) masa disiplinore e shkarkimit nuk është në raport të drejtë me shkeljen e kryer nga subjekti i rivlerësimit; (ii) gjykimi nuk është bërë në tërësinë e procesit të rivlerësimit dhe shkelja e kryer nuk e pengon zbatimin e këtij parimi; (iii) dhënia e masës disiplinore nuk është bazuar në standarde objektive dhe nuk është në proporcion me shkeljet e konstatuara, duke tejkaluar qëllimin e ligjit nr. 84/2016”, vlerëson Tasi.

Pakica sjell në vëmendje se Prifti kishte arritur nivel të besueshëm për figurën dhe profesionalizmin dhe se në këto rrethana duhej të ishte aplikuar zbatimi i parimeve të objektivitetit dhe të proporcionalitetit, duke e lënë në fuqi konfirmimin e saj në detyrë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *