Gjyqtarja Blerta Marku dhe avokatja Irena Reso, gjatë seancës në KPK. Foto:Edmond Hoxhaj/BIRN
Analiza KPK Veting

KPK: Gjyqtarja Blerta Marku fshehu një apartament në emër të nënës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 26 shtator 2022 të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, Blerta Marku (Çibuku) pasi konkludoi se ajo kishte fshehur një apartament në emër të nënës, se kishte mungesë të burimeve të ligjshme në vlera të konsiderueshme për të justifikuar pasuritë dhe shpenzimet, si dhe kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Marku e kundërshtoi barrwn e provës për pasuritë si të pabazuar dhe kërkoi riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjerë, figurën dhe profesionalizmin – por kjo kërkesë nuk u pranua pasi u konkludua se gjetjet për pasurinë ishin të mjaftueshme për të arritur në një konkluzion përfundimtar.

Procesi i vetingut për Markun u krye nga trupa e Komisionit e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Suela Zhegun. Blerta Marku e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash në Gjykatën e Rrethit Gjirokastër.

Fshehja e apartamentit

Nga verifikimi i dokumentacionit bankar, pjesë e dosjes së hetimit administrativ, Komisioni ka konstatuar disa transaksione të kryera nga bashkëshorti i subjektit për llogari të një pasurie në emër të nënës së saj. Konkretisht, ka rezultuar se në vitin 2007 ai ka transferuar në një llogari të një shoqërie ndërtuese vlerat 31 mijë euro dhe 25 mijë euro, duke përshkruar se po shlyente këstet e një shtëpie në kryeqytet.

E pyetur më parë nga ILDKPKI mbi pagesat e kryera në favor të shoqërisë ndërtuese, arsyet e mosdeklarimit të apartamentit, si edhe burimin e krijimit të këtyre shumave të transferuara, subjekti i rivlerësimit ka deklaruar se apartamenti në Tiranë është porositur nga bashkëshorti në vitin 2007, për llogari të prindërve të saj. Marku ka sqaruar se aktualisht apartamenti është i regjistruar në emrin e nënës së saj.

Lidhur me burimet e krijimit të kësaj pasurie, subjekti ka pohuar se me sa mban mend ka kontribuar edhe ajo në shumën rreth 2 milionë lekë. Ndërsa, mbi mundësinë financiare të prindërve të saj për blerjen e këtij aseti, subjekti i rivlerësimit ka deklaruar se “prindërit pa dyshim kanë patur kursimet e tyre nga puna ndër vite, por përveç saj, kanë kontribuar edhe dy motrat, të cilat punojnë dhe jetojnë në Greqi, qysh para vitit 1996”.

Po ashtu, Marku ka deklaruar se për shkak të gjendjes shëndetësore të babait, B.Ç, prindërit e saj shfaqën dëshirën për të jetuar në Tiranë, për arsye se kujdesi shëndetësor atje ishte më i mirë. Sipas shpjegimeve të subjektit, babai ka pasur miqësi me ndërtuesin dhe kanë rënë dakort për blerjen e apartamentit kundrejt shumës 56 mijë euro. Por, duke qenë se babai nuk kishte një mundësi të tillë financiare, ajo dhe bashkëshorti kanë vendosur të kontribuonin dhe si shenjë respekti për kujdesjen që prindërit kanë bërë në rritjen e dy fëmijëve të tyre dhe gadishmërinë e tyre për t’i plotësuar dëshirën.

Komisioni vëren se nga hetimi ka rezultuar se babai i subjektit ka pasur llogari bankare aktive në periudhën kur janë kryer pagesat dhe për rrjedhojë i është kërkuar të japë shpjegime se përse këto transferta nuk janë realizuar nga ato llogari.

Marku ka pretenduar se pagesat janë kryer nga bashkëshorti për shkak të gjendjes shëndetësore dhe moshës së madhe të prindërve të saj dhe faktit që nuk ishin të familjarizuar me këto lloj transaksionesh.

Në vijim të verifikimeve, Komisioni ka gjetur se bashkëshorti i subjektit ka kryer edhe pagesa për shpenzimet e ujit të energjisë elektrike, fakte që janë pranuar edhe nga vetë Marku.

Nga rethanat e konstatuara Komisioni vlerëson se subjekti ka pasur lidhje intresi me prindërit dhe i ka konsideruar si persona të tjerë të lidhur, duke kryer analizën financiare edhe për mundësinë e tyre për krijimin e kësaj pasurie.

Nga hetimi ka rezultuar se bashkëshorti i subjektit nuk ka pasur të ardhura nga burime financiare të ligjshme për të justifikuar plotësisht depozitimin dhe transferimin në vitin 2007 të vlerës monetare në shumën prej 56 mijë euro në favor të shoqërisë ndërtuese, pasi nuk janë provuar me dokumentacion të ardhurat e tij nga puna në emigracion.

Ndërkohë, ka rezultuar se prindërit e Markut kanë pasur të ardhura vetëm nga pensioni i pleqërisë dhe nuk është përcaktuar në vlerë kontributi i motrave të saj – të referuara si të dhëna babait, si dhe as periudha kur i janë dhënë këto shuma me qëllim mundësimin e kryerjes së analizës financiare.

Në vijim, Komisioni konstaton se subjekti dhe bashkëshorti i saj nuk kanë deklaruar saktësisht shtesat dhe pakësimet e gjendjeve të llogariave bankare për vitet 2004 – 2007. “Në këtë kuptim rezulton se subjekti nuk ka deklaruar plotësisht pasuritë e llojit “likuiditete”, të materializuara në llogari të ndryshme bankare të saj dhe personit të lidhur, me gjendje totale në fund të vitit 2006, në shumën rreth 5,5 milionë lekë, pakësimi i të cilave rezulton të ketë shërbyer për likuidimin e pagesës së çmimit të apartamentit në Tiranë”, vëren trupa e KPK dhe shton se nga ana tjetër, Marku nuk ka qenë e qartë dhe koherente në deklarimin e bërë mbi kontributin e dhënë prej saj dhe personit të lidhur, e konkretisht mbi shumën e të ardhurave të tyre, të cilat kanë shërbyer për likuidimin e çmimit të pasurisë objekt vlerësimi.

Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se babai i subjektit të rivlerësimit ka shpenzuar në total shumën rreth 11 mijë e 700 euro për apartamentin, ndërsa ajo dhe bashkëshorti kanë qenë financuesit kryesorë për blerjen e kësaj pasurie.

Bazuar në pamundësinë financiare për investimin e kësaj pasurie si nga familja e subjektit, ashtu edhe nga prindërit e saj, si dhe në rrethanat e tjera të konstatuara lidhur me kryerjen e pagesave për apartamentin dhe likujdimin e shpenzimeve të ujit dhe energjisë, Komisioni ka ngritur dyshime për se kjo pronë mund të jetë pasuri e fshehur e Markut.

“…Trupi gjykues çmon se dyshimet e ngritura mbi këtë pasuri nuk kanë të bëjnë vetëm me faktin se janë kryer pagesa për likuidimin e çmimit të saj me të ardhura nga burime financiare të subjektit dhe/apo personit të lidhur, pasi është e drejta e tyre të përdorin sipas dëshirës kursimet, porse ato kanë të bëjnë me faktin e mosdeklarimit në kohë të vlerave të depozituara dhe të krijuara në llogari bankare, transfertave të kryera në vitin 2007 dhe qëllimin e kryerjes së tyre”, shprehet Komisioni dhe vlerëosn se janë bërë përpjekje për shmangien e verifikimit të ligjshmërisë së krijimit të gjendjeve të llogarive bankare deri në fund të vitit 2006 dhe depozitimeve të kryera në vitin 2007.

Komisioni e ka rrëzuar si të pabazuar petendimin e subjektit se prindërit e saj nuk mund të jenë persona të lidhur dhe për rrjedhojë nuk kanë detyrimin për të justifikuar pasuritë. Sipas KPK-së, në kushtet kur ka pasur lidhje të vazhdueshme interesi me prindërit, pikërisht për këtë pasuri, ata kategorizohen në cilësinë e “personave të tjerë të lidhur” e për rrjedhojë duhet të justifikojnë burimet e ligjshme që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit.

“…Nisur nga fakti i konstatimit të pagesave të kryera nga personi i lidhur për likuidimin e çmimit të blerjes së kësaj pasurie, vetëdeklarimit të bërë mbi kontributin e dhënë në pagesën e kryer, si edhe nisur nga të dhënat e provuara dhe indiciet të tjera që e lidhin subjektin e rivlerësimit me këtë pasuri, Komisioni vlerësoi se në këtë rast kemi të bëjmë me situatë të dyshuar se personat e tjerë të lidhur mund të mbajnë pasuri të fshehur të subjektit të rivlerësimit”, konstaton KPK dhe konkludon se bazuar në këto indicia të besueshme ka krijuar bindjen se apartamenti në Tiranë është pasuri e fshehur e subjektit në emër të nënës së saj, me qëllim shmangien e kontrollit të ligjshmërisë së burimeve financiare të krijimit të kësaj pasurie

Cënimi i besimit

Nga verifikimi i deklaratave të interesave privatë të depozituara ndër vite në ILDKPKI, Komisioni ka konstatuar se Marku në vitet 2013 dhe 2014 ka deklaruar si vendqëndrim një adresë banimi tjetër në Tiranë. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka informuar KPK-në se më datë 5 dhjetor 2012, subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshorti i saj, D.M, kanë ndryshuar vendbanimin nga Bashkia Gjirokastër dhe janë vendosur në Tiranë. në nëntor të 2014-ës kanë ndryshuar sërish vendbanim duke u rikthyer në Gjirokastër.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të adminsitruar gjatë hetimit ka rezultuar se në nëntor të vitit 2012, subjekti ka marrë me qira një apartament në Tiranë, me qira mujore 20 mijë lekë dhe me afat një vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.

Kur KPK e ka pyetur Markun që të shpjegojë rrethanat që lidhen me këtë adresë banimi në Tiranë si dhe mospasqyrimin në deklarimet vjetore, ajo ndër të tjera ka pohuar se nuk e ka deklaruar kontratën e qira pasi realisht as kanë paguar qira dhe as banuar ndonjëherë në atë adresë.

Sipas subjektit, arsyeja e hartimit të kësaj kontrate ishte në funksion të një kërkese të bërë pranë KLD nga ana e saj në atë periudhë për transferim në Gjykatën e Tiranës. Si qiradhënës në këtë kontratë paraqitet z. D.A, i cili është i afërmi i saj. Marku ka shpjeguar se bazuar në këtë kontratë mundësohej të provohej për KLD-në vendbanimi në Tiranë, kusht pa të cilin transferimi i mundshëm në Gjykatën e Tiranës formalisht nuk mund të realizohej.

Po ashtu, ajo ka shpjeguar se transferimi i të dhënave të gjendjes civile, në Tiranë u bë për po të njëjtin qëllim dhe formalisht ka qenë banore e Tiranës deri në 2014, ndërsa faktikisht ka vijuar jetesën dhe punën në qytetin e Gjirokastrës.

Komisioni vëren se subjekti i rivlerësimit ka pranuar kryerjen e veprimeve simuluese në lidhjen e marrëdhënies kontraktuale dhe, si rrjedhojë ka pranuar edhe deklarimin e rrethanave të rreme në formularët e ILDKPKI-së për vitet 2012 – 2014, mbi vendqëndrimin e saj, adresën tjetër të banimit.

“Nga ana tjetër rezulton se lidhja e kësaj kontrate qiraje me një person tjetër, e pranuar si e lidhur fiktivisht, në kushtet kur nëna e saj dispononte apartament banimi në Tiranë, tregon edhe një herë se subjekti i rivlerësimit ka dashur të shmangë lidhjet e saj me pasurinë në Tiranë dhe mundësinë e verifikimit të ligjshmërisë së burimeve financiare me të cilat është krijuar, për të cilën Komisioni krijoi bindjen se është pasuri e fshehur e subjektit të rivlerësimit”, i rikthehet Komisioni analizës për apartamentin e blerë në emër të nënës së subjektit.

Trupi gjykues çmon se Marku me veprimet e saj në nënshkrimin e një kontrate qiraje fiktive ka cënuar besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë

 Balancat negative

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK, subjekti është gjetur në pamundësi financiare për të paguar një pjesë të çmimit të një apartamenti në Gjirokastër në vitin 2003; për blerjen e një automjeti në vitin 2006; për krijimin e një depozite në shumën rreth 21 mijë euro; për pagesat e kryera për apartamentin në Tiranë; si dhe për kryerjen e shpenzimeve të tjera ndër vite.

Në vendimin e Komisionit sqarohet se, bazuar në dokumentacionin e administruar në dosje, në deklarimet e subjektit dhe në përgjigje të pyetësorëve të dërguar gjatë procesit të vetingut, prej analizës paraprake është konkluduar një balancë negative totale në vlerën 13.2 milionë lekë për periudhën 2004-2016.

Pas kalimit të barrës së provës, subjekti ka dorëzuar prova dhe shpjegime, por sërish pamundësia financiare për gjithë periudhën e rivlerësimit ka mbetur në shumën 11 milionë lekë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *