Avokati Julian Mërtiri dhe prokurori Erion Pano pas seancës në KPA| Foto:BIRN
KPA Lajme Veting

Komisioneri Publik i qëndron kërkesës për shkarkimin e prokurorit Erion Pano

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të enjten bisedimet përfundimtare në çështjen që i përket ankimit të Komisionerit Publik ndaj prokurorit Erion Pano. Gjatë seancës së shkurtër Komisionerja Publike Irena Nino, vuri në dukje se i qëndronte ankimit të bërë më herët dhe kërkoi nga KPA të ndryshonte vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duke vendosur shkarkimin e Panos nga detyra.

Pano i cili ishte i pranishëm në seancë u mbrojt nga avokati Julian Mërtiri, i cili përsëriti në seancë argumentet kundër pretendimeve të ngritura nga Komisioneri Publik. Mërtiri, i cili u mëshoi argumenteve të dhëna më herët mbi kursimet e subjektit dhe deklarimet e tij në vite, këmbënguli në lënien në fuqi të vendimit të KPK.

Pano u konfirmua në detyrë nga Komisioni më 24 nëntor 2022, pasi u vlerësuan bindëse shpjegimet e tij për balancat negative për krijimin e një pjese të burimeve financiare që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 83 m2 + 9.8 m2 sipërfaqe e përbashkët, në Tiranë. Po ashtu, u çmuan bindëse prapësimet e subjektit për konstatimet për disa çështje profesionale, ndërsa një rast kur rezultoi se nuk kishte zbatuar urdhërimet e gjykatës, u konsiderua i pamjaftueshëm për të sjellë pasojë.

Por, Komisionerja Publike, Irena Nino e ka gjetur të pabazuar vendimin e KPK-së dhe e ankoi vendimin në Kolegj ku kërkon shkarkimin e prokurorit Pano nga detyra për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm të pasurisë dhe mangësitë profesionale.

Duke qenë se palët nuk paraqitën dokumente shtesë, trupa e KPA, e kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relatore Mimoza Tasi dhe anëtarë: Albana Shtylla, Ina Rama, Sokol Çomo, njoftoi tërheqjen për vendim që do të shpallet më datë 15 prill.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *