Gjyqtarja Luljeta Kolonja pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Gjyqtarja Luljeta Kolonja jep shpjegime për burimet e blerjes së një apartamenti

Gjyqtarja e Korçës, Luljeta Kolonja u përball të enjten më 4 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime më së shumti për të ardhurat e bashkëshortit nga puna në emigracion në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë deklaruar si burim për blerjen e një apartamenti, pasuri për krijimin e të cilës u konstatua bilanc negativ. Ajo dha shpjegime dhe për gjendjen në dukje në konflikt interesi në gjykimin e një çështje me palë shoqërinë ndërtuese ku kishte blerë apartamentiin, si dhe për gjetjet në aspektin profesional. Për pastërtinë e figurës mori vlerësim pozitiv.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Kolonja po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Luljeta (Topalli) Kolonja përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua gjyqtare në Gjykatën e Pogradecit. Ajo mban aktualisht pozicionin e gjyqtares në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

Bilanci negativ

KPK nuk ka gjetur probleme për disa ngastra toke të përfituara nga ligji “Për tokën” prej familjes së origjinës së subjektit dhe për një automjet të blerë prej saj në vitin 2005 me të ardhurat nga paga.

Në vijim të seancës u relatua dhe u dhanë shpjegime më së shumti për burimet e një apartamenti me sipërfaqe 127 m2 në Pogradec, të porositur në vitin 2012, për vlerën 6 milion lekë.

Si burime për pagesat e kryera prej saj subjekti ka deklaruar gjendje cash në vlerën 1 milion lekë dhe kursimet nga pagat në vitet 2012 e 2013 në shumën 405 mijë lekë. Për shlyerjen e pjesës më të madhe të çmimit të apartamentit, janë deklaruar të ardhurat e bashkëshortit në vlerën rreth 3 milionë e 844 mijë lekë.

KPK nuk konstatoi probleme për burimin e krijimit të vlerës së investuar nga subjekti për blerjen e apartamentit, ndërsa u konstatuan pamundësi e bashkëshortit për të kursyer vlerat e disponuara në depozita bankare që prej vitit 2004.

Si burim të llogarive bankare dhe cashit që bashkëshorti subjektit ka pakësuar për shlyerjen e çmimit të banesës në vitet 2012 dhe 2013, ka deklaruar depozitat bankare të krijuara në vitin 2004 më të ardhura nga emigracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA në vlerën totale 60 mijë USD.

Nga dokumentet e dorëzuara nga subjekti lidhur me të ardhurat e bashkëshortit nga emigracioni, KPK konstaton se ai ka pasur mundësi kursimi në masën 27 mijë e 928 USD, nga për rrjedhojë është evidentuar pamundësi në shumën 32 mijë USD për të kursyer vlerën 60 mijë USD në 2004-ën.

Në vijim, relatorja Bungo konstatoi se subjekti ka tërhequr në vitin 2006 vlerën rreth 46 mijë euro, ndërkohë që në atë vit dhe në 2007-ën nuk janë deklaruar kursime cash. Ndërkohë, në vitin 2008, bashkëshorti subjektit ka deklaruar për herë të parë kursime cash në masën 42 mijë USD.

Bungo tha se bashkëshorti gjyqtares Kolonja ka qenë në pamundësi të krijimit të gjendjes cash, pasi nuk ka pasur mundësi të krijonte depozitat e deklaruara si burim. Bazuar në këto konstatime, nuk është përfshirë në analizën financiare gjendja cash në masën 42 mijë USD e deklaruar si burim për krijimin e depozitave që më pas janë pakësuar për shlyerjen e çmimit të apartamentit.

Nga analiza financiare paraprake e kryer për apartamentin, KPK konstaton pamundësi në shumën 1 milion e 746 mijë lekë në vitin 2012 dhe 2.1 milionë lekë në 2013-ën.

Nga hetimi i KPK për apartamentin, është konstatuar gjendja e subjektit në konflikt interesi gjatë gjykimit të një çështjeje civile me kërkues shoqërinë ndërtuese me të cilën ka lidhur kontratën e porosisë. Sipas relatores, subjekti ka vendosur pranimin e kërkesës së shoqërisë ndërtuese me objekt lëshimin e urdhërit të ekzekutimit për një vendim gjyqësor.

Bungo vërejti se gjyqtarja Kolonja ka gjykuar një çështje ndërkohë që i detyrohej palës kërkuese në shumën 393 mijë lekë, si dhe kur gjendeshin ende në mardhënie interesi pasi nuk ishte lidhur kontrata e shitblerjes për banesën.

Ndërkohë, nga verifikimi pasurive të bashkëshortit konstatohet se nuk janë deklaruar ndryshimet e planimetrisë së një banese të trashëguar nga babai, me pjesë takuese ¼-at, si dhe investimet të kryera.

Sipas KPK, ndryshimet duket se janë kryer para dhe pas vitit 2007, kohë që përkon me tërheqjen e vlerës së depozitës që në dy vjet nuk është deklaruar si gjendje cash.

Në përfundim të analizës financiare paraprake për periudhën prej fillimit të detyrës, deri në dorëzimin e deklaratës “veting”, KPK konstaton pamundësi vetëm në vitin 2008, në shumën reth 3.7 milionë lekë.

Gjyqtarja Kolonja këmbënguli gjatë seancës dëgjimore se bashkëshorti ka pasur të ardhura të mjaftueshme nga puna në SHBA për krijimin e depozitave në vitin 2004 në masën 60 mijë USD, që sipas saj kanë qenë burim për gjendjen cash të tërhequr në 2006-ën dhe krijimin e depozitave të mëvonshme të pakësuara për pagesën e çmimit të apartamentit.

Ajo pohoi se mbulohen me dokumentacion ligjor 54 mijë USD për periudhën 2001-2004. Subjekti vërejti se bashkëshorti ka qenë gjithmonë koherent për deklarimet lidhur me jetën dhe punën e tij në emigracion, ku sipas saj ka jetuar për periudhën 1999-2004.

Kolonja shpjegoi se gjatë periudhës 1999-2001, bashkëshorti ka qenë në pritje të lejes së qëndrimit dhe të punësimit, por ndërkohë ka punuar në mënyrë informale duke siguruar të ardhura. Sipas subjektit, edhe kur bashkëshorti është pajisur me dokumentacion, ai ka vijuar që veç punës me dokumentacion të rregullt ligjor, ka punuar edhe në mënyrë informale duke siguruar të ardhura shtesë. Nisur nga fakti se ka punuar në restorante dhe piceri, subjekti pohoi se bashkëshorti ka pasur më shumë të ardhura nga bakshishet se nga paga e deklaruar prej punëdhënësit.

Në vijim, ajo pretendoi se bashkëshorti ka pasur shpenzime të reduktuara pasi ka jetuar me një kushëririn e tij, duke i ndarë shpenzimet e jetesës. Po ashtu, deklaroi se nga puna joformale dhe bakshishet jo vetëm që kishte mbuluar shpenzimet, por edhe kishte kursyer.

Kolonja tha se bashkëshorti kishte pasur llogari bankare në SHBA, por se ishte në pamundësi objektive për të evidentuar gjithë vlerat e gjendjes së tyre për arsye të kohës së largët. Po ashtu, pretendoi se gjendej në pamundësi objektive edhe për të vërtetuar të ardhurat informale, që sipas saj, së bashku me ato të dokumentuara, kanë qenë më se të mjaftueshme për të kursyer vlerën 60 mijë euro.

Subjekti e cilësoi si pasaktësi mosdeklarimin në vitin 2006 të krijimit të gjendjes cash nga tërheqja e shumës 46 mijë euro nga depozitat. Ajo tha se bashkëshorti e kishte korrigjuar në vitin 2008 këtë pasaktësi, kur kishte deklaruar gjendjen cash me burim tërheqjen e depozitave në 2006-ën.

Sipas Kolonjës, vlera 42 mijë USD nuk ishte shpenzuar në vitet 2006-2007 për punim në banesën ku bashkëshorti ka pjesë takuese. Sipas saj, ndryshimet që konstatohen nga Komisioni kanë ndodhur për arsye të vendosjes së një tende për ta mbrojtur objektin nga shiu dhe dielli, shumë kohë më parë. Sipas subjektit, investimet në atë banesë ishin kryer nga nëna e bashkëshortit që prej vitit 1991 dhe se dukej qartë se tenda ishte e dëmtuar nga koha.

Kolonja pretendoi se shuma e tërhequr në vitin 2006 ishte mbajtur cash dhe se ishte investuar sërish në depozita që ishin përdorur për apartamentin. E pyetur nga Jacobs se përse bashkëshorti e tërhoqi këtë vlerë në vitin 2006, subjekti tha se ai i konsideronte bankat të pasigurta në atë periudhë. Por Jacobs e konsideroi në kundërshti të veprimeve të kryera nga bashkëshorti i subjektit këtë qëndrim, duke sjellë në vëmendje se pak vite më vonë bashkëshorti sërish kishte investuar në depozita bankare.

Në përgjigje të pyetjeve të relatores Bungo, Kolonja shpjegoi se kishte lidhur martesë me bashkëshortin në vitin 2007 dhe se për gjendjen cash në banesë të krijuar nga tërheqja e depozitave në 2006-ën, kishte mësuar në vitin 2008.

Në përfundim subjekti deklaroi se bashkëshorti ka pasur burime të mjatueshme për pagesat e kryera me të ardhurat e tij. Ajo kërkoi që të vlerësohet se të ardhurat e saj nuk kanë të bëjnë me ato të bashkëshortit.

Kolonja theksoi se nuk mund të ngarkohej me përgjegjësi, pasi gjendej në kushtet e pamundësisë objektive për të vërtetuar me dokumentacion ligjor një pjesë të të ardhurave të bashkëshortit në emigracion.

Gjykimin e çështjes me palë kërkuese shoqërinë ndërtuese me të cilën kishte lidhur kontratatën për blerjen e apartamentit, subjekti e cilësoi si harresë të sajën si pasojë e ngarkesës.

Figura dhe profesionalizmi

Gjyqtarja Luljeta Kolonja mori vlerësim pozitv për pastërtinë e figurës. Lidhur me profesionalizmin u evidentuan tejkalime të afatit të gjykimit në dy raste në tre çështjet e përzgjedhura nga subjekti dhe në pesë të shortuarat.

Nga informacionet e paraqitura nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ është mësuar se ndaj subjektit janë kryer 25 ankesa, shumica e të cilave janë arkivuar pasi kanë pasur të bëjnë me themelin.

Ndërkohë, janë verifikuar ankesat për zvarritje të gjykimi, nga ka rezultuar se në pesë raste ka Kolonja ka tejkaluar afatet e gjykimit, ndërsa në dy raste nuk ka argumentuar vendimin. Nga dy ankesa të depozituara pranë Ministrisë së Drejtësisë, ka rezultuar se në një rast janë tejkaluar afatet e gjykimit, pasi nuk janë marrë masat e nevojshme për përfundimin e procesit në kohë.

Në KPK janë paraqitur 14 denoncime, tetë prej të cilëve janë përsëritje. Për një denoncim, subjektit i janë kërkuar shpjegime se përse nuk ka argumentuar vendimin dhe nuk e ka arsyetuar në afat; për dorëzimin në sekretari jashtë afatit të një vendimi të arsyetuar; si dhe për moszbardhjen e një vendimi.

Bungo relatoi edhe për pretendimet e ngritura në tre artikuj në media, për tejkalim të afateve të zbardhjes së vendimeve në dy raste dhe në shkrimin tjetër për fshehje të një aksidenti automobilistik për shkak të përfshirjes së bashkëshortit.

Subjekti pohoi se kohëzgjatja e gjykimeve kishte ndodhur për shkaqe të arsyeshme, në funksion të kryerjes së procesit të rregullt ligjor për palët. Por, sipas saj, shtyrjet e seancave kanë qenë brenda afateve. Lidhur me pretendimet për vonesat në zbardhjen e vendimeve, Kolonja shpjegoi se kishte qenë e kujdeshme në arsyetimin e tyre. Edhe për vonesat e arsyetimeve të vendimeve, ajo pohoi se kishin ndodhur për shkaqe objektive, nga ngarkesa e lartë në punë. “Arsyetimet e vendimeve i kam punuar në ditët e pushimit, duke reduktuar përgjegjësitë e mia familjare”, pohoi Kolonja.

Për pretendimet e ngritura në media lidhur me fshehjen e aksidentit, subjekti tha se nuk ka asnjë indicie apo provë për bashkëshortin e saj. Ajo e cilësoi shpifëse përmbajtjen e shkrimit.

Në përfundim, gjyqtarja Luljeta Kolonja kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 5 prill, në orën 09:50.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *